Mallkim shtrigash!

Nga Behar Jacaj

Rrugën deri në dorën e tim Zoti është e panevojshme ta permend, ca për mungesë rendësie, ca ngaqë e gjithçka mbaj mend është një errësirë nëpër ca kuti kartoni. Unë jam një kukull suedeze. “Pse edhe kukullat kanë kombësi?”, do çuditeni ju.

Keni të drejtë. Unë jam një kukull e prodhuar në Suedi, të paktën kështu shkruhet në etikentën që më është qepur në brinjë dhe më shërben si pasaportë.

Gjithë ditën e lume e kaloj në dorë të tim Zoti. Nëse im Zot do të ishte një nga njerëzorët e zakonshëm, do e quaja pronar, por ai është paksa i ndryshëm, i çuditshëm dhe i veçantë njëherësh, përveç kësaj Ai, edhe konceptin e pronësisë e quan aq të panevojshëm sa nuk arrin ta kuptojë, ndaj dhe e quaj Zot.

Në trup vjen i mbushur, me gjatësi mesatare, dhe me flokë perherë të gjatë, kjo ngaqë urren berberët, dhe me kopsat e jakës përherë të zberthyera. Dashuron heshtjen, vetminë dhe mua kuptohet. Jam lodra e tij e preferuar. Kështu thonë familjarët. Im Zot, me gjuhën e tij mistike, siç ndodh zakonisht të jetë gjuha e heshtjes, më thotë se unë paskërkam aftësi magjike për të luftuar përbindëshat. Të jem e sinqertë kjo më shastis pak ngaqë nuk arrij të shikoj as aftësitë e mia dhe as përbindëshat e tij.

Im Zot shumë gjera i shikon si të panevojshme, pronësinë, fjalët,rregullat e shoqërisë, rritjen. Truri im prej plasteline e ka të pamundur të thotë me saktësi ne ai i shikon vertet ashtu, apo nuk ka mundësi t’i shikojnë ndryshme. Kur e pyes, po me gjuhën mistike të heshtjes, mendohet nje hop, belbëzon diçka të kuptueshme, pastaj gjërat i ngatërrohen, acarohet dhe fillon të godasë mua dhe veten. Njerëzorët përreth, që natyrisht nuk e degjojnë dialogun tonë, mundohen taa qetësojnë duke e joshur me ndonjë gjë tjetër

të pelqyeshme, me ushqim për shembull, ai acarohet më keq dhe me heshtjen e tij mundohet të thotë se nuk ka uri. Unëi them që je një njeri prehistorik, të cilit Hyji pijanec i ka ngatërruar, jo vetem kontinentin, por edhe shekullin. Ai fillon dhe qesh me të madhe, mandej meket.

Nuk arrij ta marr vesh, ndoshta i duket qesharak një Hyj pijanec. Ku ta dish… Ka raste, ne ato pak raste kur im Zot del në shetitje, kur ne qeshim me lot me fytyrat e kalimtarëve, ai me të qeshurën e çiltër të nje fëmijë të prekur nga…Se si ia thonë emrin… nga aaa… E gjeta, nga Autizmi, ndersa unë me të qeshurën time prej kukulle, ngurosur në heshtje.

Pra, po thoja që qeshim me me lot, me hundën e zgjatur si shkabë të ndonjë kalimtari, me dy pleq që ecin duke mbajtur për krahu njërin tjetrin dhe ngjajnë si pemë të thyera që mbajnë njëra-tjetrën në këmbe, me flokë kukullash,(vajzash) që derdhen në erë e me raste të tjera si këto.

Ne qeshim dhe me shikimin e tyre gjithë frikë kur ne u kalojmë pranë. Domethënë im Zot me shoqëruesin e tij, dhe me mua rrasur nën sqetur. Ka raste, kur im Zot nuk mjaftohet vetem me pamjen e tyre qesharake, por shkon dhe bën me ta shaka që për mua janë të papërsëritshme.

Për shembull, u hedh në asfalt atë që kanë në dorë, zakonisht smartfonin, u zgjat dorën për t’i trembur, i nuhat edhe pse të panjohur, ose u ndreq flokët e shkuar keq.

Këto, shoqëruesi i tim Zoti i quan shaka të renda, ndaj i ka rralluar shetitjet. Ka raste kur imzot e harron fare ekzistencën time. Nuk më ngel hatri, thjesht e quaj si periudhë pushimi. Zakonisht kjo ndodh kur ai lidhet me ndonjë lodër të re. Ose natën vonë, para se ta zërë gjumi. Këso rastesh ai më hedh në dysheme. Nena e Tij (Im Zot, ndryshe nga

Zoti i njerëzorëve, ka familje) më ngre nga dyshemeja dhe fillon të më flasë edhe pse e di që nuk i kthej dot përgjigje. Ndoshta, pikërisht për këtë arsye më flet.

Një natë po më thoshtë se heshtja e të birit i dukej si mëri adoleshëntësh, por që nuk do zgjasë shumë. Funda njeriu lodhet edhe me mërinë, shpjegonte ajo me zërin e mallëngjyer. Bëra të vetmen gjë që di të bëj, heshta. Mbrëmë më tha diçka interesante.

E di, më tha, e gjitha më duket si mallkim që ndodhin në botën tuaj, në botën e kukullave. Atje, në botën e kukullave, mallkohet gjithmonë princi ose princesha, pra më të mirët. Im bir është më i miri. Atë thjeshtë e kanë mallkuar shtrigat. Bota jashtë është e mbushur me shtriga dhe shtrigorë. Tani, ashtu si në botën tuaj, na duhet një formulë për të zhbërë mallkimin.

Një dreq formulë, tha ajo e rrëfimin ia ndërpreu e qara. Unë u rrëqetha, kuptohet , ashtu siç rrëqethën kukullat, ngurosur me heshtje, pa i vënë re njëri. E besova që duhet gjetur një formulë.

Po ku dreqin ta gjesh se? Megjithatë, do gjendet, mendoi truri im prej plasteline, thjeshtë duhet durim dhe dashuri. Shumë dashuri. Ku ta dish. Ndoshta dashuria është vetë formula…

Shperndaje ketë postim:

spot_imgspot_img

- PUBLICITET -

Aktualitet

Te tjera
LAJME

ZJARR NE SHKODER, TYMI PUSHTON QYTETIN..

Tymi ka pushtuar gati gjithe qytetin e Shkodres. Flaket...

RAME LAHEJ DHE ALESSANDRO SAFINA KONCERT NË SHIROKË

Në pikën turistike të Shirokës, zëri brilant i tenorit...

Ata që po rithurin indet e një vendi të vuajtur

Herë pas herë duhet të kthejmë kokën dhe të...