Vogëlush po vjen dimri

Xhevat Latifi

Është dimri i parë që je jashtë shtëpisë
M’bahesh se je rritë je ba ujk
shikon nga larg shtëpinë e mbuluar me borë
pështjell shallin…
Shikon…

Atlantiku ka ngjyrën e syve tu
( i thellë, i madh pikëtakohet në qiell)
E sheh si e rrah era e rrinë mes nesh si peshkop me bastun!
Ki kujdes ajsberg ( duket se është femër ) ta mbyll syrin
por brenda ka bjeshkë te ftoftë akulli që e rrëzoi Titanikun

Papush!
Titaniku s’ka qene gjë tjetër sall ai pampuri i zi i këngëve te moçme
Si Qeraxhiu Grebenesë, që ka bart burra tutje në kontinent
(gratë kanë lënë përgjysmë gatimin tuj prek me duart e miell flokët e shprishura)
Amerika ka dimrin e egër Atlantikun e trishtuem
Shtëpi gazetash si kulla prej letre

ëndrrat dhe dashuritë i fusin në kronikë të zezë!
Ti ke me pa në Bronx të rinj që këndojnë (shqip) rreth zjarrit
Që fërkojnë duart për ëndrrën e lirisë
E ëndrra e lirisë duket se fluturon bashkë me xixat që dalin nga boritë.

Ke me pa njerëz qe flenë trotuareve të mbuluar me gazetë e plastmas
Nuk di nëse i kanë lexuar apo e kuptojnë botën me të tjerë sy.
Kujdes: Statuja e Paqes, ka një tjetër kuptim
nga çfarë kishte natën 30 dhjetorit 1998

Bora ishte mbi kulm e flaka e luftës mbi Drenicë
Kujto: Nga Amerika ka nisë ëndrra për çlirimin e atdheut
Janë kthyer djalëria në Luftën e Parë Botërore me luftu për Shqypni
Nga aty Brigada Atlantiku e UCK-së
u nisë për Kosovë me 1999 si F-117 Stealth Fighters e NATO-s
Vogëlush në Boston tek Kisha e Shën Gjergjit
At Artur Liolin, ka të ruajtur bibliotekën e Fan Nolit

Shko gjej aty vjershën “Mbahu Nanë, se ke djemtë në Amerikë”
Është himn i frymës që na mban gjallë tash e njëqind mote.
(ok lets go,fuck this winter!)
Pa merak vogëlush, kemi diellin në shpind e dritën e saj në ballë
Është dimër vogëlush, po s’ka borë që ngrin lisin te varret

ulurimë ujku vjen zani i babës, i kaçakëve që hanë buke me një zjarr përreth!
(si një grumbull reperesh N’Bronx që nuk përtojnë me shikua vëngër)
Mban mend këngët e kreshnikëve Ajkunën e Omerin?
Nuk ka qa jo Ajkuna, po ka pas mall!
Me pas për rreth oxhakut Omerin e ri, me ulë në prehër me i k’nue ninullë
Me pa se si i bahet kreshnik me i kthye ninullat në legjendë!

Euuu vogëlush shiko në shkallët e Theatre District Manhattan
luhet drama e ujkut Alpha dhe rruga e dritës për t’u kthyer në shtëpi
Në hukamë xhami të shoh se si e lëviz dorën tuj e vizatue Bablokun
një plis bardhë me ruajt për motin e aty ka pikë zanafilla e jetës në Illyria!
Të rrahurat e zemrës të behën flamur që ka në kujtesë ujin e rrënjëve
( Je më i fortë se sa dukesh, më jee me i forte nga çmendon )
Na duhen ujqër të rinj
që malet mos mbesin pashkelur!/KultPlus.com

TE TJERA

spot_img