Dje, 10 mijëshen e fundit të rrogës e shpenzova për një libër…

Nga Kujtim Xhaja

E premte…ora 19:40… mbrëmje e freskët…

Sapo kam dalë nga puna dhe po bëj ca hapa trotuareve të Tiranës…
Është muaji Nëntor dhe atmosfera e festive të fundvitit, sapo ka filluar të ndihet. Dritat e para janë çelur në bulevard, një pëlhurë e ndriçuar është derdhur nëpër qiell e duket sikur të mbulon këmbë e krye.

Është edhe atmosferë panairesh. Panaire librash, vere, fotografish etj…
Një përurim po ndodh para syve të mi…

Një librari e re është hapur në një rrugë shumë të “gjesdisur” të Tiranës…
Bëj të futem, libraria gati bosh…dy çupëlina të sjellshme të presin me një buzëqeshje hollivudiane…
Qetësi…

Aroma kundruese e fletëve të librave më magjeps!…Shkoj drejt hollit të gjatë…me qindra tituj librash, autorësh. Letërsi e huaj, bashkëkohore shqiptare, vepra klasike, libra për fëmijë e shumë kategori të tjera..

Librat dukeshin të mirë, autorë të njohur edhe të panjohur, çmimet pak të kripura për xhepin e shqiptarëve.
Më erdhi cudi se nuk po shihja një të ri në atë librari! Njerëz pa kuriozitet që më parë dilnin, sesa futeshin, ca të huaj tek-tuk…

-Mos vallë të gjithë të rinjtë e kryeqytetit po bëhen gati të shkojnë tek panairi i madh i librit?!- mendova me vete.
-Po ç’ndryshim ka tek e fundit? Libra këtu, libra edhe atje!… Apo mbase atje është më në modë, të gjithë do bëjnë check në facebook, do mjaftohen edhe me një selfie për Instagram edhe ca foto librash në Instastory dhe kaq ishte…

 

Ndërkohë që po mendoja këto, u përhumba në libra kokë e këmbë. Nuk e di nëse më ndodh vetëm mua kjo…

Hallakatem në tituj librash e autorësh, kam një dëshirë të paepur t’i shoh të gjithë, t’i prek, t’i shfletoj, të lexoj madje edhe ca rreshta, të di kush është përkthyesi..
Më vjen inat me disa njerëz, që iu mjaftojnë disa sekonda dhe libri përfundon në cantën e blerjeve…

 

Librat e mi të preferuar janë përherë ata të autorëve klasikë dhe ata psikologjikë-spiritualist. Më vjen ndër mend koha kur isha student në universitet. Ndaja të njëjtën bangë me një mike të ngushtë, e cila njësoj si unë kultivonte po të njëjtin pasion për leximin. Të dy ishim të marrosur pas librave.

Në një rrugë afër universitetit, shiste libra një djalë i mirë babaxhan, mes shumë titujsh librash ishte edhe një kolanë me novela, tregime, romane të autorëve të huaj klasik. Ata kushtonin vetem 1 euro.

Një mëngjes dimri, unë bashkë me shoqen i afrohemi dhe ai na pyet:
-“Cilin libër do blini?”
Shoqja ime çapkëne me një buzëqeshje të çiltër ia kthen:
“Duam t’i blejmë të gjithë!”

Djali çapit sytë e vegjël me habi…
Këtë ndodhi e kujtoj përherë kur gjendem mes librash. Nuk e di në më ndodh vetëm mua edhe shoqes time. Kur bëhem gati të iki nga libraria, këmbët nuk më bëjnë…sytë jua kam vënë disave, kam bërë një listë të gjatë në mendjen time… S’di kë të marrë e kë të lë… Nga një anë një mendje më thotë t’i marr të gjithë, nga ana tjetër një zë më thotë: “nuk kemi lekë”…e unë mbetem përherë i dyzuar…

Duke menduar gjithë këto shoh se kanë kaluar dy orë të mira, ndërkohë në librari kam mbetur vetëm unë me dy vajzat e këndshme… Koha kish kaluar aq shpejt! Libraria edhe për pak mbyllej! Përfundoj me nxitim të marr njërin prej tyre!

 

Dje, bleva librin e një prej autorëve të mij të preferuar të psikologjisë: Karl Gustaf Jung.
“Aspekte të mashkullores”, titullohej libri. Bëntë fjalë për kuptimin e thellë të mashkulloritetit në të dyja sekset. Marrëdhëniet e dashurisë mes burrit dhe gruas, djalit-nënës, mbi babain, heroin, homoseksualitetin, etj.

 

E mora dhe me vrap bëra nga vajzat e buzëqeshura… Dal me një shije të mirë nga libraria…
Çudi! Kur bëj një blerje të natyrës vesh-mbathje nëpër qëndrat tregtare, më pas përherë më zë një gjendje ankthi, shpesh bëhem pishman për atë çka kam blerë…

-Përse e bleva? Mos vallë e bleva shtrenjtë? A më duhet vërtetë? Mos ishte një nevojë e rreme që ma diktoi moda, apo mania për tu dukur në sytë e të tjerëve?
Edhe pasi e blej, e vesh, e konsumoi dhe përherë ndihem më bosh, më zbrazët!
Dje kur bleva librin me 10 euro-shin e fundit të kartës së kreditit nuk më ndodhi kjo!
E shijova aq shumë atë blerje për faktin e thjeshtë se nuk kisha blerë dicka që do ia nxirrja qejfin me konsumin e parë. Jo! Mezi po prisja të shkoja në shtëpi, kisha kuriozitet ta shfletoja atë libër.

Nuk pata asnjë lloj mëdyshje, vrarje ndërgjegjeje dhe si rrallë ndonjëherë u ndjeva i mbushur, plot!
Kjo është magjia që të fal libri! Ndaj, nëse keni ndërmend të bëni një blerje, kaloni më parë nga libraria! Do më kujtoni!
(ky shkrim vjen si një këshillë në vigjilje të panairit të librit…
)

Shperndaje ketë postim:

spot_imgspot_img

- PUBLICITET -

Aktualitet

Te tjera
LAJME

PËRFSHIHET NGA FLAKËT FSHATI KAPRRE NË AFËRSI TË SYRIT TË KALTËR, RREZIKOHEN BANESAT

Një zjarr ka përfshirë fshatin Kaprre, pranë Syrit të...

ZJARR NE SHKODER, TYMI PUSHTON QYTETIN..

Tymi ka pushtuar gati gjithe qytetin e Shkodres. Flaket...

RAME LAHEJ DHE ALESSANDRO SAFINA KONCERT NË SHIROKË

Në pikën turistike të Shirokës, zëri brilant i tenorit...