KATËR TABLO STUDIM PËR SHQIPTARËT NGA PIKTORI FRANCEZ CHARLES BARGUE

KULTURE June 15, 2018 – No comments
KATËR TABLO STUDIM PËR SHQIPTARËT NGA PIKTORI FRANCEZ CHARLES BARGUE

Dr. Dorian Koçi

Charles Bargue (1826/1827 – 6 prill, 1883) është një piktor dhe litograf francez i njohur dhe për hartimin e një kursi të rëndësishëm vizatimi. Ai e hartoi këtë kurs vizatimi sëbashku me piktorin tjetër të njohur, mjeshtrin e njohur Leon Gerome. Ky kurs u botua nga viti 1866-1871, i përbërë nga 197 litografi të printuara si fletë të veçanta . Litografitë e tij u përdorën s

i modele të realizmit klasik. Duke qenë mik i ngushtë i Leon Gereome, i njohur si piktor që realizoi disa tablo nga jeta e shqiptarëve në Egjipt gjatë mbretërimit të Khedivit, edhe Bargue realizoi disa tablo të për shqiptarët apo arnautët si thërriteshin në Egjipt. Egjipti u qeveris për mëse 147 vjet nga familja shqiptare që e kish origjinën nga Mehmet Ali Pasha dhe pasardhësit e tij.

Mehmet Aliu lindi në vitin 1769

në një familje shqiptare nga Kavalla (Thesali). Zbarkimi i Napoelonit në Egjipt në 1799 do të trazonte jetën dhe fatin e Mehmet Aliut nga Kavalla. Egjipti u përfshi në konflikte , të cilat edhe pas tërheqjes së francezëve vazhduan. Ai ishte një ushtar i thjeshtë, kur më 1801 u dërgua në Egjipt për të marrë pjesë në shtypjen e revoltave të mamlukëve, zotër të vendit që prej shek. XIII. Më 1804, në krye të jeniçerëve shqiptarë, ai i dëboi mamelukët nga Kajro e u shpall guvernator. Brenda viteve 1820-1840 ushtria dhe flota e Mehmed Aliut, nën komandën e djalit të tij po aq të shquar, Ibrahim Pashës, u shfaqën sa në Kretë e Peloponez, aq edhe në Lindjen e Mesme, duke kërcënuar vetë kryeqendrën e Perandorisë.

Në 1831-2 Ibrahim Pasha pushtoi tërë Palestinën, Libanin si dhe provincën e Damaskut.

Sulltani dërgoi për të shtypur shqiptarin rebel, vezirin e madh, Mehmet Reshit Pashën, i cili vetëm ndonjë vit më parë kishte masakruar në Manastir ajkën e parisë kryengritëse shqiptare (1830). Por Ibrahim Pasha i shpartalloi forcat osmane dhe e vazhdoi kundërmësymjen drejt zëmrës së Anadollit, ku mori Konjën, Qytahjan dhe Bursën. Vitet 1833-1840 ishin vendimtare për të përforcuar dhe konsoliduar pushtetin e Mehemet Aliut në Egjipt. Pas intrigave dhe lojërave të shumta diplomatike midis Fuqive të Mëdha për të ndarë influencën dhe pushtetin në Mesdheun Lindor u arrit një marrëveshje midis tyre dhe Perandorisë Osmane. Në marrëveshjen e arritur në 15 korrik 1840 mes Fuqive të Mëdha, Egjipti kthehej në gjendjen e një province të Perandorisë Osmane, paçka se me status të veçantë. Në fakt, Mehmet Aliut iu njoh e drejta e pushtetit të trashëguar me titullin Kediv, që e veçonte atë nga guvernatorët e provincave të tjera. Fillon kështu historia e dinastisë sunduese shqiptare të Egjiptit, që u mbyll me shfronësimin e mbretit Faruk, më 1956.

Dy nga tablotë e Barger janë shumë interesante, pikërisht nga koha e qeverisjes së Egjiptit nga Khedivët shqiptarë, të titulluara “roja e patrullës shqiptare”, 1860, dhe 1870, ku shquajnë një shqiptar me qylaf në kokë, ndoshta nga Shqipëria e jugut dhe një tjetër i veshur me fustanellë.

Bie në sy veshja shqiptare si tipar i pandarë i shqiptarëve dhe në Afrikën e Veriut. Fustanella në këtë kohë jo vetëm ishte e përhapur në Kajro, Aleksandri dhe Ismailia por edhe në provincat më të largëta të Egjiptit të poshtëm, Sudanit e burimeve të Nilit ku kishte shkelur ushtria e Khedivëve shqiptarë.

Udhëtari anglez Georg Schweinfurth, një natyralist i njohur dhe që njihte gjuhët e afrikanëve, në kohën e sundimit të Ismail Pashës kishte udhëtuar drejt Khartumit dhe Nilit të Bardhë dhe pastaj ishte kthyer drejt liqeneve të Çadit, mes për mes kanibalëve të Kongos. Siç shkruan ai për udhëtimet e tij (1868-1875) mes të tjerash ai kishte takuar atje “pigmetë” dhe mbretin e tribusë Mambutos, i cili ndiqej nga një rresht vajzash që ishin gratë e tij si dhe shoqëruesi Abd es Semate”.

Ky i fundit sikurse e përshkruan Schweinfurth, “mbante uniformën e bukur të një prijësi të trupave shqiptare”( -Rama, L (2006). Arnauti Mehmet Ali Pasha “Napoloni Mysliman” parathënie e librit Gilber Sinoue “Faraoni i fundit” Globus R.: Tiranë, faqe 12).

Tabloja tjetër “Studim për arnautët”, pavarësisht që atribuohet një shqiptari, në fakt dukët më tepër si një vendas i veshur me një fest të kuq që e mbanin të krishterët shqiptarë. Këtë fes e gjejmë dhe tek piktura Gjergji Kokali e Edward Lear. Personazhi i përngjan më tepër popullsisë vendase egjiptiane ose popullsisë arape që shërbenin pranë pashallarëve shqiptarë me origjinë nga Afrika.

Zakonisht njerëzit nga popullsia zezake shërbenin pranë pashallarëve të fuqishëm shqiptarë dhe ishin objekt kurioziteti mes shqiptarëve. Ata ishin robër lufte apo dhe ushtarë që kishin marrë pjesë në fushatat e mëdha osmane për të nënshtruar territore afrikane, si ishte rasti i pushtimit të Sudanit nga fuqitë e Mehmet Ali Pashës. Në këtë fushatë morën pjesë shumë forca mercenare shqiptare, prijësit e të cilëve kur u kthyen në Shqipëri, sollën me vete edhe robër zezakë apo dhe ushtarë të rekrutuar që u shërbenin besnikërisht.

Ushtria dhe policia e Khedivëve përbëheshin kryesisht prej mercenarëve shqiptarë që vinin nga vendi i tyre për të shërbyer në Egjipt. Barger ashtu si dhe Gerome u ndikuan shumë nga Orientalizmi dhe miti i orientit në tablotë e tyre duke pasqyruar një botë joshëse, gjithë ngjyra por edhe ideale. Larshmëria e kostumeve dhe ngjyrat e ambientit janë në kombinim me idealin e bukurisë antike mashkullore ku roja e patrullës shqiptare ngjan si një model i stilit të Davidit të Mikelanxhelos që pozon për Barger. E gjithë atmosfera në pamje paqësore e një përhumbje shikimi të ushtarëve të rinj shqiptarë është e ngarkuar me armët e ndryshme të ngjeshura në brez që dëshmojnë për një tipar që të kujton poemat bajroniane dhe ilustrimet e Delacroix të këtyre poemave.

Romantizmi në letërsi dhe realizmi klasik në

artet figurative në fillimet e mesin e shekullit të XIX promovuan imazhin e shqiptarëve luftëtarë në beteja, shesh luftimi apo pushimi duke nxjerrë në pah koloritin e veshjeve të tyre dhe tiparet e një popullsie energjike të kudogjendur në pellgun e Mesdheut.

Studimi i kësaj trashëgimie botërore kulturore në artet figurative mund të hedhë dritë mbi zhvillimet e ndryshme kulturore të imazhit tonë në Europë, të identifikimit shqiptarëve por dhe perceptimeve kulturore që prodhuan më vonë stereotipet orientaliste në diskursin europian përkarshi shqiptarëve

Shperndaje ketë postim:

spot_imgspot_img

- PUBLICITET -

Aktualitet

Te tjera
LAJME

Kalaja e Shkodrës, më shumë vizitorë se Butrinti

Viti i fundit rezultoi të jetë një periudhë shumë...

Dy shenjat e horoskopit që do t’i kthejnë gjërat ashtu siç duan ata

Me Hënën te Peshqit dita fillon e qetë dhe...