Mjeshtri i lirikës Tonin Harapi dhe dashuria e tij për muzikën

Kompozitor nuk është ai që shkruan muzikë, por ai që nuk mund të qëndrojë pa shkruar muzikë”.

– Tonin Harapi

Tonin Harapi lindi në vitin 1926 në Shkodër. Fëmijërinë dhe vitet e para të rinisë i kaloi në një mjedis traditash muzikorë, siç ishte qyteti i Shkodrës me muzikantë të tillë si Palokë Kurti, Frano Ndoja, Martin Gjoka, Mikel Koliqi, Zef Shestani, Prenk Jakova etj. Këta të fundit ishin edhe mësuesit e tij të muzikës dhe drejtuesit e formacioneve orkestrale ku ushtrohej si instrumentist kompozitori i ardhshëm gjatë kohës që studionte në Seminarin Papnor të jezuitëve në Shkodër.

Por, meqënëse pas Luftës së Dytë Botërore klerit iu ndalua veprimtaria shkollore e artistike, Tonin Harapit iu desh të ushtrohej në pianon e tij si autodidakt deri në vitin 1947 kur rifilloi studimet në Liceun Artistik në Tiranë me pedagogë të tjerë të njohur të asaj kohe, si Lola Gjoka, Tonin Guraziu, Kostantin Trako etj.

Si autodidakt do të vazhdojë të studiojë e të shkroi edhe në Shkodër e Gjirokastër (gjatë shërbimit ushtarak) derisa të lejohet më në fund të shkonte për studime të larta në Konservatorin “Çajkovski” të Moskës (1959) ku mundi të qëndronte vetëm për dy vjetë. Ka qenë mësues i kompozicionit në Konservatorin e Tiranës. Fitues i shumë titujve e çmimeve.

Shkroi “Kufitarët” (melodramë për fëmijë, 1953), “Mësimi i pyllit” (Operetë për fëmijë, 1953), “Djali guximtar” (përrallë për fëmijë, 1955), “Zgjimi” (opera); 19 romanca të kompozuara përpara vitit 1979, Instrumente dhe orkestër, Muzikë dhome etj..

Ndërroi jetë më 30 korrik 1992. Pas vdekjes iu dha titulli “Artist i Popullit”. Ai lëvroi pothuajse të gjitha zhanret e muzikës, këngë argëtuese, këngë për fëmijë, muzikën klasike, simfonike dhe skenike, operën, operetën, shkroi vepra korale, romanca, por edhe këngë popullore të përpunuara.

Cilat janë gjinitë që ka lëvruar Tonin Harapi? Më e saktë do të ishte pyetja: cilat janë ato gjini që nuk i ka lëvruar Tonin Harapi? Sepse, praktikisht, ky mjeshtër i madh i zhdërvjelltësisë së pentagramit, ky “zgjerues” i jashtëzakonshëm i katër “fushave” të ndrysura brenda pesë vijave, praktikisht është i pranishëm, me tërë forcën e talentit të vet, në të gjithë gamën e zhanreve të muzikës, duke filluar nga kënga në frymën e muzikës popullore, argëtuese, klasike e deri në ato më të sofistikuarat, në muzikën kamerale, simfonike dhe skenike…

Artist i lindur, me një muzikalitet të pashoq e me një zgjuarsi të jashtëzakonshme, Tonin Harapi ka qenë i pajisur me aftësi të rralla për t’iu përgjigjur kërkesave të shumta stilistike.

Duke qenë gjithmonë rigoroz në profesion, pedant në kuptimin pozitiv të termit, Tonin Harapit ia kish ënda të ndalej në zbërthimin e shkoqitjen e termave muzikorë, ndër ta edhe të termit “muzikalitet”, duke u nisur nga fakti që shumëkush i vishte kësaj fjale lloj-lloj interpretimesh, jo rrallë diletanteske, të pathemelta, pra edhe të papërgjegjshme.

“Po përpiqem – u thoshte me modesti të pranishmëve, kolegë, studentë, apo edhe thjesht amatorë të muzikës, – të shfaq ndonjë mendim se si e shoh unë muzikalitetin”. Më tej vinte në dukje se edhe në ndonjë fjalor të vogël enciklopedik, termi i mësipërm përkufizohej mjaft zbehtë, ose, të paktën, pamjaftueshëm: me lokucionet “karakter muzikor”, “veçoria për të qenë muzikor”. “Më tej, – theksonte Tonini, – mund të hasësh edhe ndonjë shprehje me kuptim të figurshëm, si tingëllimë harmonike, çka nis t’i afrohet më shumë konceptit tim”.

Pastaj e hidhte fjalën tek një përkufizim, i cili, sipas tij, në vështrim të parë dukej sikur nuk kishte ndonjë lidhje me muzikën e, megjithatë, “ka diçka që bashkon mendimet dhe ndjenjat e mia: veçanti, sidomos e poezisë, rrjedhojë e përkëmbimeve (alternimeve), ritmit, kadencës dhe tingëllimës (intonacionit) të vargjeve”. Këto saktësime, Tonini e ndjente të nevojshme t’i bënte, sepse, sikurse shprehej, “shpeshherë më zë veshi që nuk janë të pakët ata, të cilët e ngatërrojnë muzikalitetin me cilësinë e të qenit ritmik”.

E vetmja gjë e lejuar në garë, mendonte Tonin Harapi, është ambicia për ta kapërcyer vetveten, duke qenë i vetëdijshëm se vendi yt është dhe mbetet vendi yt. Atë nuk ta zë dot kurrkush. Këtë të vërtetë e ka shprehur fort bukur edhe Zhan Kokto (Jean Cocteau): “Të gjithë besojnë se mund ta bëjnë shumë më mirë se ti. Jo më mirë. Por diçka tjetër”.

Tonin Harapi tregonte të njëjtin seriozitet, si në kompozimin e temave lirike, ashtu edhe të atyre epike; si në “skalitjen” e karaktereve për rolet “e lehta” (në një këngë me vijë melodike të thjeshtë, apo në një komedi muzikore), ashtu edhe për rolet “e vështira”, me nuanca tragjike apo satirike (në oratoriot, kantatat, operat, operetat etj).

Tonin Harapi ka qenë artist kompleks, në kuptimin gjithëpërfshirës të fjalës, për të cilin tingulli muzikor dhe veprimi skenik shkrihen në një unitet artistik të pashkëputshëm.

Ky kompozitor shumështresor dhe shumë përmasor krijoi një muzikë, të cilën, sa herë e dëgjojmë, bindemi se është mbështetur në tabanin kombëtar, në motive popullore dhe aty për aty fitojmë mbresa relevante të pakontestueshme, edhe pse atë muzikë e krijoi në një kohë pa kohë, të cilën e jetoi dhe e përjetoi si një veprim jashtë kontekstit, në një sistem mosvlerash, të ngritur mbi një doktrinë makabre, që ngjallte e ushqente mosbesim të përgjithshëm, marrëzi njerëzore, degradim të artit e të shkencës, brenda një realiteti absurd. Harapi ka qenë “trashëgimtar dhe pjesëtar i dramës popullore kombëtare…..”.

Tonini ka kompozuar gati në të gjitha format dhe gjinitë muzikore. Ai dallohet për lirikat vokale edhe miniaturat pianistike. Është I njohur edhe për këngët e shumta melodioze të interpretuara në aktivitete të ndryshme. U nda nga jeta më 30 korrik 1992. Tonin Harapimban titullin e lartë të Artistit të Popullit.

Veprat:Rapsodia Nr.1 – 1967

Koncert nr 1 për piano dhe orkestër -1969

Opera Zgjimi -1975

Romancë

Miniaturë për piano

Vals mbi motive popullore

Marrë me shkurtime nga shkrimi i Akil Mark Koci

 

Shperndaje ketë postim:

spot_imgspot_img

- PUBLICITET -

Aktualitet

Te tjera
LAJME

Kalaja e Shkodrës, më shumë vizitorë se Butrinti

Viti i fundit rezultoi të jetë një periudhë shumë...

Dy shenjat e horoskopit që do t’i kthejnë gjërat ashtu siç duan ata

Me Hënën te Peshqit dita fillon e qetë dhe...