Loro Boriçi, korifeu i futbollit shqiptar

Nëse Riza Lushta dhe Naim Kryeziu e “njohën” Shqipërinë futbollistike në kampionatin italian, Loro Boriçi bëri edhe në vendin e tij, pikërisht me Kombëtaren shqiptare. Edhe sot e kësaj dite arritja më e madhe e Shqipërisë në arenën e futbollit ndërkombëtar është shpallja kampione Ballkani, duke triumfuar karshi Jugosllavisë, Rumanisë dhe Bullgarisë.

RRËFIMI – Padyshim që Loro Boriçi futet në më të mëdhenjtë e futbollit shqiptar, për të mos thënë më i madhi, për kohën padyshim që ishte i tillë. Ai përfaqëson simbolikën e futbollit dhe të sportit shqiptar. Ja çfarë tregon për të ish-futbollisti dhe ish-kolegu i tij, Mjeshtri i Merituar i

Sportit dhe Presidenti i Nderit i FSHF-së, profesor Miço Papadhopulli:

“Loro Boriçi ka qenë një figurë e jashtëzakonshme e futbollit shqiptar, por jo vetëm e futbollit, por edhe e sportit shqiptar. Ai ishte një njeri i palodhur, altruist, njeri me një shpirt të madh, tepër komunikues e i sjellshëm. Si lojtar ai ishte një lojtar universal, lojtari që u shpall

më i miri i Ballkanit në vitin 1946, kapiteni që mori Kupën e Kampionit Ballkanik.

Ai ishte një tip centërfori i veçantë, i tipit Pele, që organizonte lojën, jepte topa të bukur, gjuante fort e shkëlqyeshëm, luante me kokë shumë bukur, pasi loja në atë kohë bëhej me

krosime. Si trajner, te Loro unë shihja një Makarenko, një pedagog të shkëlqyer, që të bënte me zor që të luaje me metodat brilante të komunikimit.

 

 

 

 

Shquhej si trajner në aspektin tekniko-taktik me dije të thella, një poliglot gjuhësh të huaja. Ai ishte njeriu i jashtëzakonshëm i dijes. Ai ishte edhe “ushtar” edhe “oficer”. Komunikonte me futbollistët, si vëllau me vëllaun. Pasioni i tij, jeta e tij, ishte futbolli. E kam parë duke luajtur me Bullgarinë dhe Rumaninë për Ballkaniadën dhe ka qenë në një formë shumë të mirë, madhështore.

Ndeshja më e madhe e tij është ndeshja Jugosllavi-Shqipëri, e luajtur në Beograd në vitin 1948, që përfundoi 0-0. E kam parë ndeshjen në Beograd në stadiumin “Havala”. Luajti shkëlqyeshëm. Të gjitha gazetat jugosllave shtronin pyetjen: “Bobek apo Boriçi, kush ishte më i miri i ndeshjes, shqiptari apo jugosllavi i famshëm?”

LEGJENDË – Loro Boriçi i përket futbollit shkodran, ku sigloi dy kampionatet e para të pasluftës, në vitet 1945, 1946. Ai është ndër të paktët futbollistë shqiptarë që luajti me një ekip italian të Serie A, siç ishte Lazio në kampionatet e viteve 1941, 1942. Kapiteni Boriçi udhëhoqi skuadrën përfaqësuese të Shqipërisë në fitoren historike të Ballkaniadës të vitit 1946 në Tiranë, duke sfumuar skuadra me emër si Rumania e Bullgaria.

Ai është emblema e ekipit të madh të Partizanit në vitet 1949 deri në vitin 1957, ku në rolin e qendërsulmuesit që bombardonte portat kundërshtare dhe trajnerit i solli skuadrës

kryeqytetase një varg kupash të kampionit e të Kupës së Republikës. Me emrin e tij në sferën e trajningut lidhet fitimi i medaljeve të argjendta në turneun e Hanoit, në fitimin e Kupës Ballkanike me Partizanin në vitin 1971.

Ai është trajneri i madh i përfaqësueses shqiptare, që sigloi rezultatet sensacionale me Irlandën e Veriut 1-1 në Tiranë në vitin 1965, barazimin “varrmihës” ndaj RFGJ-së së Helmut Shënit në vitin 1967, që solli eliminimin e nënkampiones së notës nga finalet e Kampionatit

Europian të Romës në vitin 1968. Apo i fitores së thellë 3-0 ndaj skuadrës përfaqësuese të Turqisë në vitin 1971.

 

Boriçi është njeriu i Kinës, në mesvitet 1970, ku dha një ndihmesë të madhe në zhvillimin e futbollit kinez me stërvitjet, leksionet e drejtimin e skuadrave kineze. Dhe kinezët ia ditën shumë lektorit, pedagogut e njeriut që shkriu gjithçka nga jeta e tij në ato vite. Ato befasoheshin për orët e shumta që ai punonte gjatë tërë ditës.

Po cila është historia e këtij gjeniu të futbollit shqiptar? Që në fillimet e adoleshencës, Loro dallohej për cilësitë e tij futbollistike, që i pasqyronte me shokët e tij të lagjes dhe në kampionatet e lagjeve që zhvilloheshin në vendlindjen e futbollit shqiptar, në Shkodër. Duke parë shtatlartësinë, teknikën e lartë që zotëronte dhe goditjet e fuqishme në portë, drejtuesit shkodranë të asaj kohe e fusin që në moshën 15-vjeçare në formacionin e të rriturve.

Në kampionatine 7-të kombëtar të Shqipërisë ai zhvillon ndeshjen e parë të tij me Vllazninë kundër Dragoit të Pogradecit, më 6 qershor të vitit 1937. Ai është i papërmbajtshëm dhe në rezultatin fitues 5-0 për shkodranët, ku shënon katër gola në minutat e 60′, 70′, 75′ dhe 82′.

Por Loro nuk do të luante në kampionate për arsye të mosluajtjes së nxënësve, por Vllaznia e fuste në ndeshje apo miqësore, ku ai shënonte gola spektakolarë. Në vitet 1941-1942 shkon në Romë për studime dhe luan me Lazion e zhvillon dy kampionate. Në 1941 luan katër ndeshje, ndërsa kur u shpall kampion luan 14 ndeshje dhe shënon 4 gola. Dhe ai luante në një ekip me Piolën e famshëm të përfaqësueses italiane.

KAMPION BALLKANI – Suksesi më i madh i pasluftës për Shqipërinë është fitimi i Kampionatit Ballkanik në vitin 1946, kur Loro luante me kampionët e vendit, Vllazninë e Shkodrës. Kapiteni Boriçi ngre kupën lart me fletët e dafinës në qafë dhe brohoritet nga tifozët e shumtë në stadium dhe në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.

PARTIZANI – Në vitin 1949 shkon te Partizani dhe mbetet idhtar i përjetshëm i tij. Klubi i kuq bëhet shtëpia e tij e parë. Partizani shpallet kampion i vendit dhe Boriçi golashënuesi më i mirë i kampionatit me 12 gola. Luan dhe drejton Partizanin njëkohësisht në vitet 54′-57′, ku kurorëzohet me kupa e kampionate.

KOMBËTARJA – Ai luan shumë ndeshje më përfaqësuesen në një hark kohor 7-vjeçar (24 ndeshje), ku shënon gjashtë gola, kundër Jugosllavisë (2-4) në Tiranë në vitin 1946, Bullgarisë (2-1, qershor, 1950 në Tiranë), Çekosllovakisë (2-1, dhjetor, 1952 , Tiranë), Polonisë (2-0, nëntor 1953, Tiranë) si dhe dy gola në Ballkaniadën e 1946-s.

TRAJNER – Si trajner i përfaqësueses zhvillon 20 ndeshje zyrtare, ku nuk u shpëton disa shkarkimeve, pas humbjeve me danezët dhe gjermanët (1963, 1981) nga viti 1957 e deri në vitin 1981. Eshtë i dyti nga numri i ndeshjeve të zhvilluara dhe pikëve të grumbulluar (8 pikë) bashkë me Shyqyri Rrelin.

Pas dy ndeshjeve të mëdha të Shqipërisë me RFGJ në vitin 1967 (0-0) dhe 1971 (0-1), trajneri i përfaqësueses gjermane do të shprehej: “Unë dua t’i bëj një kompliment shumë të madh skuadrës shqiptare dhe trajnerit të saj, kolegut tim Loro Boriçi.

KTHIMI NGA ITALIA – ishte kërkesa e së ëmës së Loros, Marijes, që, pas kapitullimit të Musolinit dhe fashizmit në Itali, i biri të kthehej në vendlindje për të vazhduar jetën në Shqipëri. Loro kishte shkuar në Itali jo për të luajtur futboll, por për të ndjekur studimet e larta në degën e Juridikut në Universitetin e Romës.

Kush ishte Loro Boriçi?

Loro Boriçi u lind më 22 gusht 1922, në qytetin e Shkodrës. Ai rridhte nga një familje e vjetër shkodrane dhe shumë e njohur në qytetin e Shkodrës. Familja përbëhej nga gjashtë fëmijë, tre djem, Marku, Loro e Pjerini, si dhe nga tri vajza, Angjelina, Margarita dhe Klarinda.

Si u zbulua Loro?

Loro që në moshë të vogël do të luante futboll së bashku me vëllain e tij, Markun, që ishte tre vjet më i madh se ai. Zakonisht ata luanin nëpër lagjet e tyre, ku vëllai i tij, Marku ishte portier dhe Loro sulmues. Por Loro spikati më tepër si talent kur luante në “Rrethin Don Bosko” të kolegjit Saverian. Por spikatjen e tij Loro e pati në moshën 15 vjeçare më 6 qershor 1937.

Në fushën e vjetër të Shkodrës do të zhvillohej ndeshja e ditës së 7-të të Kampionatit të 7-të Kombëtar, midis “Vllaznisë” dhe ekipit “Dragoi” të Pogradecit. Ndeshja filloi në orën 16, dhe ekipi shkodran kishte në përbërje lojtarë të mëdhenj të asaj periudhe si Osmani, Shala, Gjeloshi, Fakja, Dizdari, Koliqi, Halepiani, Dervishi, Hoxha.

Por në morinë e tërë këtyre lojtarëve të mëdhenj të asaj kohe, trajneri shkodran nuk kishte lënë jashtë as dy vëllezërit Boriçi, që luanin njëri si portier e tjetri si sulmues. Marku ishte 18 vjeç, kurse Loro donte edhe 68 ditë të mbushte 15 vjeç. Në pjesën e parë shkodranët patën vështirësi me mbrojtjen e skuadrës së Pogradecit, megjithëse ata do shënonin në minutën e 21 me anë të Koliqit.

Por në pjesën e dytë çdo gjë ndryshoi. Kjo për shkak të lojës së debutuesit Loro Boriçi. 15-vjeçari arriti të shënojë në atë takim katër gola, njërin më të bukur se tjetrin, madje dy golat e fundit ai i shënoi nga një distancë prej 30-35 metra nga porta. Të gjithë në atë stadium u mahnitën nga loja e djalit të vogël dhe e duartrokitën gjatë gjithë ndeshjes.

Por ajo ndeshje në fakt do të ishte edhe e fundit për Loron me ekipin e Vllaznisë në atë periudhë. Kjo për shkak se ai nuk u lejua të luante më nëpër fushat e vendit nga mamaja e tij, Marija, e cila kërkonte që ai të studionte dhe të mbaronte shkollën me rezultate të larta.

Shpërthimi i tij te Lazio

Pavarësisht se e ëma e tij, Marija, nuk donte që Loroja të bëhej futbollist, ai e gjente përsëri kohën të luante fshehurazi futboll me shokët e tij. Por ai karrierën si futbollist do ta niste pas 5 vitesh nga debutimi i tij i parë. Por kësaj here jo në Shqipëri, por në Itali.

Në vitin 1941 Loro Boriçi kishte shkuar për të studiuar në Fakultetin e Drejtësisë në Romë. Por gjatë kohës së qëndrimit të tij në Itali ai nuk mund të qëndronte pa luajtur dot futboll, pasi ai ishte shumë i pasionuar pas këtij sporti. Prandaj duke mos patur më edhe pengesën e së ëmës së tij, ai iu drejtohet zyrave të klubit sportiv të Lazios.

Pas një takimi të shkurtër, drejtuesit e klubit italian vendosën që ta provojnë djaloshin shqiptar, dhe fillimisht e aktivizojnë me ekipin B të Lazios. Gjatë ndeshjeve të kontrollit, Loro zhvilloi lojë të bukur gjë që bëri që ai tu binte në sy specialistëve të Lazios. Ai spikati për manovrimet që ai bënte me topin, hapin galopant si edhe gjuajtjet që ai mund të kryente me të dyja këmbët në distanca të ndryshme.

Nuk u deshën shumë prova për të bindur teknikët e Lacios për ta grumbulluar Loron me ekipin e parë. Ai zhvilloi me Lazion në vitet 1941-1942, 18 ndeshje. Loroja luajti përkrah futbollistit më të mirë të asaj kohe, Silvio Piola. Ajo që mbetet kujtimi më i bukur i Loros me Lazion është ndeshja për Kupën e Italisë midis Juventusit dhe Lazios në vitin 1942.

Ndeshja pritej me shumë interes edhe për faktin se dy futbollistë shqiptarë dhe të dy luanin në rolin e kundërsulmuesit. Riza Lushta me Juven dhe Loro Boriçi me Lazion.

Para se të zhvillohej takimi, futbollisti Lushta kishte zbritur më parë në fushë dhe priste që në fushë të zbriste edhe Loroja. Menjëherë sa e pa këtë të fundit, Lushta shkoi me vrap dhe e përqafoi me mall dhe e uroi që të kishte sukses.

Loja u zhvillua shumë interesante, në fillim skuadra e “Juventusit” kaloi në avantazh me anë të dy golave por më pas skuadra e Lacios arriti ta barazojë dhe kulmi arriti kur Loro Boriçi arrin të shënojë edhe golin e tretë duke bërë të mundur mundjen e Juventusit si dhe eliminimin e këtij të fundit nga kupa e Italisë.

Lufta dhe rikthimi në Shqipëri

Loro u kthye në atdhe në vitin 1943, kjo u bë vetëm për arsye familjare. Duke qenë se vendi në atë kohë ishte i përfshirë nga lufta, Loroja së bashku me vëllain e tij, Markun, e panë të arsyeshme të ktheheshin pranë familjes dhe t’i gjendeshin pranë në ato momente të vështira. Kjo ishte arsyeja se pse Loro u kthye në Shqipëri. Loro ishte shumë i lidhur me familjen e tij dhe nuk mund të qëndronte kurrsesi jashtë vendit, ndërkohë që jeta e tyre ishin në rrezik. Ndërkohë që edhe e ëma e tij Marija dëshironte që në atë periudhë të vështirë t’i kishte dy djemtë pranë.

Karriera në futbollin shqiptar

Loro u shfaq përsëri në futbollin shqiptar pas 9 vitesh. Ai u kthye përsëri të luajë për skuadrën e tij “Vllazninë” në vitin 1945 pas çlirimit të vendit. Në vitin 1945 ai u thirr për herë të parë si përforcues nga skuadra e “Tiranës” në një turne që u zhvillua në Beograd të Jugosllavisë. Në të merrnin pjesë ekipi “Ylli i Kuq” i Beogradit, ekipi i “Tiranës”, si dhe ekipi i “Sofjes”. Ky do ishte nj turne triumfal për Loron, jo vetëm që ai do shënonte në të dy ndeshjet, por ai do shpallej edhe futbollisti më i mirë i turneut.

Në dy shtator 1945 në vend filloi edhe kampionati i 8-të kombëtar i futbollit. Ai ishte i ndarë në dy grupe A dhe B me nga 6 skuadra. Në grupin e “Vllaznisë” bënin pjesë skuadrat e “Teutës” së Durrësit. “Besa” e Kavajës, “Tomorri” i Beratit, “Ismail Qemali” i Vlorës dhe skuadra ushtarake “Liria” me qendër në Korçë. Ekipi i Shkodrës arrin t’i fitojë të gjitha ndeshjet në grupin e saj dhe më pas ndeshet me fituesen e grupit tjetër, që ishte ekipi i “Tiranës”.

“Vllaznia” arrin t’i fitojë të dyja takimet me skuadrën e Tiranës duke bërë që të shpallet kampione kombëtare. Ky ishte edhe titulli i parë kampion për Loron. Në kampionatin e 9, Loro luan vetëm një ndeshje në të cilën ai do dëmtohet rëndë në gju, dhe për këtë arsye ai dërgohet për kurim në Jugosllavi, ku qëndron për gati 6 muaj.

Ai do kthehej në atdhe për të luajtur përsëri në shtator të vitit 1946, vetëm një muaj para fillimit të Kampionatit Ballkanik të vitit 1946, i cili u zhvillua në atë kohë në Tiranë. Ky kampionat do ishte edhe shkëlqimi i Loros.

Karrierra në Kombëtare

Kampionati Ballkanik i vitit 1946 ishte edhe evenimenti parë që ishte bërë e mundur që të krijohej një skuadër kombëtare futbolli, e cila merrte pjesë në një kompeticion ndërkombëtar. Ekipi shqiptar u krijua dhe u drejtua nga trajneri jugosllav, Lubica Broçiç, i cili është edhe trajneri i parë i përfaqësueses shqiptare në historinë e futbollit shqiptar.

Kampionati Ballkanik u zhvillua nga data 6 deri në 13 tetor 1946 dhe në të merrnin pjesë ekipet e Rumanisë, Bullgarisë, Jugosllavisë dhe të Shqipërisë. Për shkak të situatës politike në atë kohë, mungonin skuadrat e Turqisë dhe Greqisë.

Në këtë kampionat Loro Boriçi është kapiten i ekipit kombëtar. Megjithëse vinte pas një dëmtimi të rëndë, Loro arrin të bëjë një paraqitje të shkëlqyer, duke dhënë një ndihmesë të madhe që Shqipëria të fitonte titullin kampion. Si kapiten i ekipit, atij i jepet kupa e kampionatit dhe në kokë i vendoset një kurorë me dafina.

Kalimi te Partizani

Loja e Loros nuk kishte se si të mos binte në sy të drejtuesve të ekipit “Partizani”, i cili në atë kohë sapo ishte krijuar. Është e vërtetë se për ta bërë të tyre Loron në vitin 1949, ata e tërhoqën në ekipin e tyre si ushtar të vonuar.

Dhe që nga ajo kohë Loro u bë pjesë e pandashme e këtij ekipi, madje edhe pas lënies s futbollit ai u aktivizua si trajner i tij. Rezultatet që pati “Partizani” me Loron ishin të mëdha. Që në vitin e parë të tij si lojtar në këtë ekip, prej Loros “Partizani” fitoi të dy trofetë, si kampionatin ashtu edhe kupën e Republikës.

Te Partizani ai pati kulmin e tij. Në vitet 1950 -1956 ai ishte një nga lojtarët më të mirë të “Partizanit” dhe njëkohësisht është edhe një nga goleadorët më të mirë, krahas Refik Resmes, Panajot Plakut dhe Përnaskës. Në vitet 1964, ‘66, ‘68, ‘70 do të bëhej fitues i Kupës së Republikës.

Por ai fitoi dhe trofe ndërkombëtare, si kampionin ballkanik midis klubeve me “Partizanin” në vitin 1970 dhe medaljen e argjendtë (vendin e dytë) në Spartakiadën e Ushtrive të Vendeve të Lindjes në Hanoi (Vietnam, 1963). Me “Partizanin”, Boriçi do të merrte pjesë edhe në kupat e Europës. Mjafton të kujtojmë se ai ka drejtuar kombëtare në 24 ndeshje me disa ndërprerje, për një periudhë 25-vjeçare. Ka marrë pjesë në eliminatoret e kampionateve evropiane e botërore.

Trajner i Kinës

Loro ka hyrë në histori edhe si trajner i kombëtares së futbollit të Kinës. Ai arriti të krijonte atje një ekip shumë të mirë, dhe atë gjë ai e bëri me shumë pasion. Por ai s’ka drejtuar vetëm kombëtaren, por edhe disa skuadra të tjera në vendin një miliardë banorësh.

Mungesa e familjes

Flitet se Loro nuk arriti të krijonte familje vetëm nga pasioni për futbollin. Ai sakrifikoi aq shumë për futbollin sa kjo duket se është edhe arsyeja e mos martesës së tij. Loro hoqi dorë nga të gjitha privilegjet e moshës së rinisë, kjo pasi ai ishte shumë i lidhur me futbollin. Loro blinte vetëm topa për fëmijët e lagjes dhe bilbila për gjyqtarët e ndeshjes.

Goli i “çuditshëm” i Loros

Në derbin Dinamo-Partizani, në vitin 1954, kur takimi po mbaronte në barazim 0-0, ndodhi një episod që nuk kishte ndodhur ndonjëherë. Një nga futbollistët e Partizanit kroson topin në zonën e portës së Dinamos, që mbrohej na mjeshtri Qemal Vogli, i cili kërcen në lartësi dhe e zotëron atë. Por ndaj tij pati një ndërhyrje trupore nga futbollisti Merja. Qemali hodhi vështrimin nga arbitri, që nuk dha ndonjë sinjal për faull.

I nervozuar, ai lëshon topin përtokë dhe shkon drejt arbitrit për të protestuar. Këtë veprim e pa Loro, që ishte 6-7 hapa larg topit, vrapon dhe e çon topin në rrjetë.

Gjyqtari këtë veprim e quan të rregullt dhe kërkon që topi të vendoset në qendër të fushës, duke e quajtur gol të rregullt. Ky gol u quajt goli i zgjuarsisë, i njohjes perfekte të rregullores së futbollit nga Boriçi. Ai gol e shpalli Partizanin kampion të Shqipërisë.

 

Ndarja nga jeta

Loro Boriçi vdiq në vitin 1984, në moshën 62-vjeçare, që për një sportist mund të quhet vdekje e parakohshme. U nda nga jeta një sëmundje e rëndë, ndonëse ishte në një moshë jo shumë të vjetër. Në sëmundjen e tij mund të ketë ndikuar shumë edhe gjendja e tij shpirtërore, por edhe cigaret e shumta që ai pinte. Për kurimin e tij jashtë vendit ndërhyri edhe vetë Ramiz Alia, i cili dha urdhër që Loros t’i bëheshin të gjitha kujdesjet e mundshme për përmirësimin e shëndetit. Por, megjithëse u dërgua jashtë për kurim, ai nuk mundi të shpëtonte dot.

Emri: Loro
Mbiemri: Boriçi
Datëlindja: 22 gusht 1922

Vendlindja: Shkodër
Tituj sportiv: “Mjeshtër i Merituar”, “Trajner Kombëtar”, “Nderi i Sportit Shqiptar”
Karriera: Vllaznia (1937-1945, ‘46, ‘47, ‘48), Partizani (1949 – 1956), Spartaku i Tiranës (1956), Lacio (1941-1942).
Si trajner: Partizani, Spartaku i Tiranës, Flamurtari, Lokomotiva, Kombëtarja e të Rinjve”, Shpresa, Kombëtarja e Shqipërisë, Kombëtarja e Kinës.
Ndeshje ndërkombëtare: Ka luajtur 80 ndeshje, nga të cilat 20 i ka luajtur me ekipin e Kombëtares. Ka shënuar 38 gola.

Trofe: Kampion me Vllaznia” (1945), Partizani (1949, 1954). Kupa Republike: Partizani 1949. Kampion Ballkani (1946). 6 herë golashënuesi më i mirë i vendit.
Trofe si trajner: Kampion Kombëtar me Partizanin (1962 / 63, 1963/ 64, 1970/71. Kupa Republike: Partizani 1964, 66, 68, 70. Kampion Ballkani mes klubeve: Partizani 1970, Kampion Ballkani me Shpresa. Medalje e argjendtë në Lojërat e Ushtrive të Lindjes (Hanoi) 1963. Fitues i anketës “Sporti Popullor”.
Dekoruar: Urdhri “Naim Frashëri” Klasi i Parë, Urdhri i Artë “Naim Frashëri”, Medalje pune: “Mjeshtri i Madh i Punës”

Shperndaje ketë postim:

spot_imgspot_img

- PUBLICITET -

Aktualitet

Te tjera
LAJME

Kalaja e Shkodrës, më shumë vizitorë se Butrinti

Viti i fundit rezultoi të jetë një periudhë shumë...

Dy shenjat e horoskopit që do t’i kthejnë gjërat ashtu siç duan ata

Me Hënën te Peshqit dita fillon e qetë dhe...