FOTOT/ Transoqeanikët e flotës shqiptare, shkëlqimi dhe rënia e tyre

Nga Leonard Veizi

Të dilje jashtë shtetit me një anije tregtare, për një shqiptar në breg të detit ishte ëndërr, padyshim. Por kjo nuk vlente vetëm për njerëzit e izoluar brenda klonit që kërkonin të dinin më shumë për pjesën tjetër të botës. Udhëtime të shpeshta, ankorime në porte të ndryshme dhe të prekurit e vendeve ekzotike, nuk të jepet rasti kaq lehtë t’i shijosh, veç në ke një

llogari të mirë në bankë me të cilat duhet të prenotosh kabinë komode në një kroçiera moderne. E për më shumë se kaq duhet të blesh një jaht që të jetë në gjendje të përballojë dallgët e Paqësorit. Ndërkohë, këtë mundësi kanë pasur marinarët e Flotës Tregtare, që lundronin për llogari të shtetit shqiptar, nga Kuba në Kinë, nga Aleksandria në Roterdam, apo nga portet e Anglisë në ato të Libisë…

Në fakt, veç shkëlqimit 30 vjeçar, fort i trishtuar ka qenë epilogu i Flotës Tregëtare të Shqipërisë, i asaj që u ndërtua me kontributin e shtetit të para viteve ‘90. Transoqeanikët dolën jashtë përdorimit e u shitën për skrap. Sot, të pasurit e një anije transporti ka të bëjë

me fuqinë blerëse të individëve apo kompanive private. Gjithsesi, Flota Tregëtare Shqiptare nuk e ka humbur traditën dhe vazhdon të ketë një grup anijesh në përbërjen e saj.

100 mijë ton ngarkesë

Në kohën e saj më të mirë, diku në vitet ‘80, Flota Tregtare Shqiptare kishte të paktën 20 anije cilësore me të cilat mund të transportonte në shumicën e porteve të botës një ngarkesë prej rreth 100 mijë tonësh. Sipas librit “Historia dhe Dinamika e Transportit në Shqipëri” shkruar nga ish-zv/sministri i Transporti, Sadedin Çelikut, flota tregtare numëronte

rreth 40 anije respektivisht rreth 20 për transportin e jashtëm dhe 20 të tjera për transportin e brendshëm detar. Duhet pasur parasysh se rreth viteve 1980, kantieri detar në Durrës prodhoi disa anije transporti duke shtuar inventarin e flotës tregtare. Ndër anijet e inventarit janë dhe “Rinia”, “Boshtova”, “6 Shkurti”, “Shkumbini”, etj., të cilave tanimë thuajse nuk i gjendet asnjë gjurmë, madje as pas kërkimit në agjensinë “Shipspotting” e cila evidenton të gjitha anijet që qarkullojnë në botë.

Kapiteni i transoqeanikëve

Ndëkohë Fore Kureta, i cili të fshehtat e lundrimit detar i studioi në Bullgari, dhe punoi si kapiten anijesh tregtare për më shumë se 20 vite me radhë, gjatë një interviste të realizuar disa vite më pàrë u shpreh se flota shqiptare, oficerët drejtues e marinarët e thjeshtë, ishin tepër korrektë dhe për këtë kishin fituar besimin në të gjitha bankinat ku ankoroheshin anijet me flamurin kuqezi. Por kjo ishte vetëm njëra anë e medaljes. Sipas dëshmisë së Kuretës deri në vitin 1960, anijet e transportit shqiptar drejtoheshin nga kapitenë të huaj. Kryesisht, ata ishin bullgarë dhe rusë. Në vitin 1961, pas shkëputjes së marrëdhënieve të Shqipërisë me

kampin socialist, ata u larguan, kështu që oficerët e rinj shqiptarë të porsa diplomuar në shkollat e Lindjes u detyruan të merrnim me urgjencë drejtimin e Flotës Tregtare. Karriera e Kuretës do të niste si Oficer i Parë në anijen 5-mijë tonëshe “Durrësi”, më pas si Kapiten i anijes 3.500 tonëshe “Skënderbeu” dhe së fundi merr drejtimin e anijes 12.000 tonëshe “Tirana”. Por ai ka drejtuar në disa lundrime edhe transoqeanikun 16.000 tonësh “Arbëria”.

Flota me anije hekuri

Në historia detarisë shqiptare shkruhet se lundrimi nisi që në kohët e lashta, por fill pas Luftës së Dytë Botërore u mendua për ngritjen e flotës tregtare. Deri në atë kohë, Shqipëria kishte vetëm anije të vogla prej druri. Në kuadër të rreshtimit ndër shtetet që pësuan dëme nga lufta, Shqipëria përfitoi mes të tjerave edhe tri anije tregtare. Dy prej tyre, “Sazani” dhe

“Butrinti” 500 tonëshe erdhën krejt të reja në vitit 1961 nga Gjermania, ndërsa “Teuta” në po të njëjtën periudhë erdhi nga Italia. Por flota tregtare u furnizua dhe me avulloret, që viheshin në punë me anë të avullit të prodhuar nga djegia e mazutit. Të tilla ishin anijet “Durrësi”, “Partizani” dhe “Liria”, të cilat erdhën të reja në vitin 1961 nga Polonia.

Ngarkesat e madha

Sipas dëshmisë së Fore Kuretës, Shqipëria bënte tregti me shumë vende dhe anijet e shtetit hynin në më shumë se 100 porte të botës. Në rrëfimin e tij Fore Kureta kujton se rrugë shumë interesante kishte bërë në Vietnam dhe Kore ku në anijen 5000 tonëshe “Durrësi” u ngarkuan pjesë ndërrimi për avionë luftarak. Ndërkohë nga Anglia me po të njëjtën anije u

transportuan 10 makina tip “Centaur” 40 tonëshe, që përdoreshin në ndërtimin e hidrocentraleve. Një nga problemet më të mëdha që Kureta ka hasur ka qenë transporti i dy kullave të mëdha, nga 52 ton, 54 metra të gjata dhe me diametër 4.70 metra, të cilat u montuan në Azotikun e Fierit.

“Tirana”, një anije moderne

Po çfarë të dhënash kishte një anije moderne që duhet të përballonte dallgët e detit Mesdhe por dhe ato të oqeanit Indian? Ja shpjegimi i ish-kapitenit Fore Kureta për transoqeanikut “Tirana”: “Një nga kulmet e progresit teknik të asaj kohe në fushën e lundrimit detar ishte anija “Tirana”. Ndërtimi i saj mbaroi në fund të vitit 1970 dhe erdhi për herë të parë në portin

e Durrësit më 26 mars 1971. Ishte një anije me një helikë dhe me një motor, e destinuar për transportin e të gjitha llojeve të mallrave të thata. Anija ishte e gjatë 153 metra, e gjerë 19,4 metra, lartësia e bordit 11,65 metra dhe zhytjen e ngarkesës së plotë e ka 9,07 metra. Në kuvertë ishin të vendosura mekanizmat e akostimit, vinçat dhe spiranca. Lokali i makinerisë ishte në mes të anijes. Kishte tre hambarë në bash dhe dy hambarët në kiç, me një kubaturë prej 17.865 metër/kub. Mbulesat e hambarëve ishin të mekanizuar, hapeshin dhe mbylleshin në bazë të sistemit hidraulik. Anija kishte 20 vinça elektrikë dhe biga 5-10 tonëshe. Më e madhja ishte biga e rëndë 60 tonësh. Anija kishte dy sanalle shpëtimi, secila për 72 veta, njëra prej të cilave me motor. Anija kishte depozita me ujë të pijshëm e karburant që

siguronin autonomi lundrimi për 15 mijë milje detare. Ura e komandimit ishte e gjerë, e përshtatshme për punë dhe e pajisur me të gjitha instrumentet më modernë të drejtimit të anijes. Kishte dy radarë njërin tip “Deka” dhe dispazon 0.7 deri në 48 milje dhe tjetrin tip “Kelvin” me diapazon 0.7-64 milje detare. Anija veç hambarëve dhe kuvertës kishte dhe një hambar frigoriferik që shërben për transportimin e mallrave ushqimorë. Por ajo kishte dhe një aparaturë për kthimin e ujit të detit në ujë të pijshëm dhe prodhonte 12 ton në 24 orë”.

Anijet kryesore të Flotës

Flota shqiptare kishte rreth 20 anije hekuri që përdoreshin për transporte jashtë vendit. Kjo flotë fillonte me anijet më të vogla “Sazani” e “Butrinti” me nga 500 tonë ngarkesë për të vijuar me më të madhen e modernen “Arbëria” me 16 mijë ton ngarkesë.

“Arbëria”

Transoqeaniku “Arbëria” ishte anija më e madhe dhe më moderne e Flotës Tregtare. U ble në vitin 1975 nga shteti shqiptar në Suedi për rreth 5 milionë dollarë dhe kishte kapacitet mbajtës 16 mijë ton. Ishte një kryevepër e teknologjisë më të avancuar të kohës, krejtësisht e automatizuar e me ajër të kondicionuar. Anija bënte kryesisht linjën e Kinës dhe Kubës. Ajo punonte me qira dhe për palët e treta.

“Tirana”

Kjo ishte një anije bashkëkohëse e “Arbërisë”, vetëm se e prodhuar në Poloni. Më saktë, anija u porosit nga qeveria shqiptare aty rreth vitit 1972 dhe ishte krejt e re kur mbërriti në Durrës. Kapacitetin mbajtës e kishte 12 mijë ton dhe konsiderohej nga më të mirat e flotës tregtare shqiptare. Anija përdorej për udhëtime të gjata dhe punonte edhe për llogari të të tretëve.

“Vlora”

Anija “Vlora”, 12.600 ton kishte vetëm një vit që ishte prodhuar, kur u ble në Xhenova të Italisë në vitin 1961, rreth 4 milionë USD. Anija punonte edhe me solar. Në vitin 1961, stafi i saj u kompletua me oficerë të marinës luftarake. Anija kujtohet nga njohësit e saj si shumë e fortë, pasi nuk kishte ndodhur të bënte asnjë defekt rrugës.

“Shkodra”

Kishte të gjitha parametrat e “Vlorës” dhe ishte prodhuar po në Xhenova të Italisë. U përdor me sukses nëpër linja të gjata. “Shkodra” ishte inkuadruar së bashku me anijen “Vlora” në një shoqëri të përbashkët shqiptaro-kineze të quajtur “CHAL Ship Company”, e cila kishte tre anije, por që pas shpërbërjes “Shkodra” dhe “Vlora” i mbetën shtetit shqiptar.

“Durrësi”

Anija avullore me emrin “Durrësi” përfundoi për skrap në vitin 1997. I blerë i ri, i sapondërtuar në vitin 1961 në kantierin detar “Stocznia Gdanska im. Lenina Gdansk”, në Poloni, “Durrësi” ishte një nga mjetet lundruese kryesore të flotës tregtare shqiptare në vitet 1960-1970. Në foto-arkivat ndërkombëtare anija është fiksuar disa herë, madje dhe me emrin “Dyrrahu”

“Gjirokastra”

Në evidencën e anijeve të çrregjistruara ekziston dhe “Gjirokastra” e cila pas privatizimit në vitin 1996 mori emrin e dytë: “Baxha”. Por anija pati dhe një shitje tjetër, kompanisë greke GT Shipping Inc, që i vuri emrin e tretë – “GT1” me flamur panamez. “Gjirokastra” u shit për skrap dhe u shpërbë më mars 2010 në kantierin e demolimit në Aliaga, Turqi.

Anijet e Flotës Tregëtare Shqiptare

Tani këto quhen ish-anijet e Flotës Tregëtare Shqiptare. Janë të dhënat e 16 anijeve të shoqëruara me fotot e 11 prej tyre

Arbëria 16.350 ton, prodhuar në Suedi më 1975 – bllokuar në Turqi

Tirana 12.038 ton, prodhuar në Poloni më 1972 – bllokuar në Greqi

Vlora 12.341 ton, prodhuar në Itali më 1961 – jashtë përdorimit

Shkodra 12.501 ton, prodhuar në Itali 1961, – jashtë përdorimit

Durrësi 5.037 ton, prodhuar në Poloni 1961 – jashtë përdorimit

Dajti 4.581 ton, prodhuar në Gjermani 1960 – jashtë përdorimit

Skënderbeu 3.600 ton, prodhuar në Bullgari 1960 – peng në Itali pas eksodit

Mati 3.500 ton, prodhuar në Poloni 1960 – mbytur në Kostanca, Rumani

Partizani 3.556 ton, prodhuar në Poloni 1961- jashtë përdorimit

Gjirokastra 2.700 ton, prodhuar në Durrës 1983- shitur më 2006

Liria 2.500 ton, prodhuar në Poloni 1961- jashtë përdorimit

Teuta 1711 ton, prodhurar në Itali 1960 – jashtë përdorimit

Korabi 1.500 ton, prodhuar në Itali 1965 – bllokuar më 2002 në Itali

Saranda 1.100 ton, prodhuar në Durrës 1984 – shitur më 2006

Sazani 500 ton, prodhuar në Gjermani 1960 – jashtë përdorimit

Butrinti 500 ton, prodhuar në Gjermani 1960 – jashtë përdorimit./Respublica

 

 

 

 

 

 

 

 

Shperndaje ketë postim:

spot_imgspot_img

- PUBLICITET -

Aktualitet

Te tjera
LAJME

Kalaja e Shkodrës, më shumë vizitorë se Butrinti

Viti i fundit rezultoi të jetë një periudhë shumë...

Dy shenjat e horoskopit që do t’i kthejnë gjërat ashtu siç duan ata

Me Hënën te Peshqit dita fillon e qetë dhe...