Një sulm të ngjashëm si ai që i ka ndodhur dje trajnerit të 17-vjeçarëve të Tiranës, Migen Memellit, i ka ndodhur një muaj më parë edhe trajnerit të Vllaznisë, Ernest Gjokës.

Ky i fundit u sulmua nga një ri i ri, që nuk ishte futbollist dhe u arrestua më pas nga policia, në momentin që kishte mbaruar procesin stërvitor.

Për fat të mirë, Gjoka nuk pësoi lëndime fizike, por e konsideron skandaloze situatën e krijuar,

ku trajnerët mund të dhunohen gjatë ushtrimit të punë së tyre.

Në një prononcim për “Panorama Sport”, ai është shprehur: “Jam informuar në lidhje me atë që ka ndodhur me kolegun Memelli.

Nuk kam

çfarë të them më shumë se është një skandal. Për mendimin tim ka vetëm një zgjidhje, që të gjithë klubet duhet të sigurojnë fushat e stërvitjes.

Nuk e di sesi mund ta arrijnë këtë, duke marrë policë privatë ndoshta.

Në të kundërt, një gjë e tillë nuk ka zgjidhje, është katastrofë.

Çdo njeri mund të futet në fushë, mund të flasë, mund të ofendojë, mund të denigrojë një trajner.

Nëse presidentët nuk e kuptojnë se duhet mbrojtur fusha, duhet mbrojtur puna dhe trajneri, është e kotë kjo punë”, tha trajneri i kuqebluve.

PROBLEMI – Duke iu rikthyer edhe njëherë tjetër çështjes së sjelljes së prindërve që reagojnë keq për mosaktivizimin e fëmijëve të tyre.

“Për mua kjo nuk është çështje e fëmijës. Është çështje e prindit.

Njerëzit nuk arrijnë të kuptojnë se çfarë do të thotë sport.

Sporti nuk është që një fëmijë të bëhet me patjetër talent dhe të shitet miliona euro.

Sporti është për të bërë një fëmijë sa më shumë social, sa më të disiplinuar, sa më të kulturuar.

Pastaj, talenti është pjesë tjetër. Këtë nuk arrijnë të kuptojnë prindërit.

Prandaj në këto klubet serioze, nëse duan të kuptojnë se çfarë është punë serioze dhe të kuptojnë se trajneri është një institucion, duhet patjetër

që presidenti të marrë masa që në fushën e stërvitjes të ketë roje private.

Kjo duhet të jetë absolute”, argumentoi Gjoka.

SHEMBULLI – Sipas Gjokës, i vetmi klub që e kishte të siguruar fushën stërvitore me policë privatë, ka qenë Apolonia.

“Në gjithë këto vite, mua më ka ndodhur vetëm tek Apolonia që në hyrje të kompleksit të kishte roje private.

Atje presidenti

Kokdhima i vendoste, pasi kishte idetë e tij që trajneri dhe futbollistët duhet të jenë të qetë.

Dhe atje që te dera ishin dy policë privatë dhe askush nuk të linte të hyje brenda nëse nuk kishe dokumentin. Kështu duhet që të funksionojë në çdo klub”, mbylli trajneri.