Prend Doci – Reliket origjinale qe ruajten familjaret

Nga FATMIRA NIKOLLI

I vetmi njeri me peshë në zonë – shkruan në shënimet e saj Edith Durham, – ishte dora e djathtë e Kapidanit, Abati i Oroshit Prend Doçi, një njeri i shquar, i cili jo vetëm që kishte

studiuar në Romë, por kishte shpenzuar vite në Brunswick në Kanada. Truri dhe figura qendrore e Mirditës, Hamleti shqiptar, personaliteti më i fortë i Shqipërisë së Veriut”. Edit Durhami e përshkruante me këto fjalë Abatin e Mirditës Prend Doçi, e më tej shënonte se Mirdita pa të, është si Hamleti pa Hamletin.

Gjatë vizitës në Abacinë e Oroshit, Durhami do të pritej me çaj e biskota, për çka do të mallëngjehej duke shkruar më pas se kishte ardhur në pjesën më të egër të Ballkanit ku gjeti një luks të madh. 100 vjet nga vdekja e tij (1846- 1917) në Mirditë, ai u përkujtua me një

ekspozitë relikesh origjinale dhe me një koncert. Përvjetori u shënjua edhe me disa kujtesa

mbi veprimtarinë e tij, më së shumti për kulturën shqiptare, për çka ende vlerësohet më së

shumti, duke e tejkaluar rolin e tij si klerik. Shpend Bengu, ka shkruar se më 29 dhjetor të vitit 1888, me dekretin “supra montem Miriditarum”, Dom Prend Doçi u zgjodh si Abat i Abacisë së Oroshit të Mirditës nga Papa Leoni i XII.

“Prend Doçi si “një nga apostujt më me vlerë të fesë së shqiptarizmës” mendonte se në radhë të parë duhej të zhdukej mosbesimi midis të krishterëve e myslimanëve, që feja e

shqiptarit të ishte vetëm shqiptaria”. Në një Promemorie drejtuar Papës, në tetor të vitit 1886 Abati shkruante se :”Epirjotët – adhurues të së vërtetës”- “Forca lëvizëse e çdo

shqiptari, qoftë mysliman, qoftë i krishterë është dashuria për Atdheun, ndjenja e ruajtjes së kombësisë dhe e gjuhës së vet. Në qoftë se ata do të arrijnë të kuptojnë se bashkimi në një fe është një mjet për të ruajtur të paprekur gjuhën dhe kombësinë e tyre, pa ngurrim do ta përqafonin atë”.

Në 2014-ën, u vu në dukje se Abat Preng Doçi është një ndër personalitetet me të rëndësishme të Rilindjes dhe i fillimit të shek. XX në historinë e Shqipërisë, i cili ka luajtur një rol madhor në disa nga momentet më vendimtare të zhvillimeve politike e kulturore, e posaçërisht të gjuhës e letërsisë shqipe, bashkëpunëtor i De Radës dhe Kamardës, ai njihet si mendimtar, poet, publicist, veprimtar politik e kulturor, themelues i shoqërisë kulturore

“Bashkimi” dhe Komisisë Letrare, nga e cila trashëgojmë alfabetin latin të shqipes. Pavarësisht faktit se autoriteti dhe ndikimi i tij te personalitetet bashkëkohëse ishte shumë i madh, kontributi i shquar i Abatit të Mirditës, si dhe i shumë figurave të tjera prelatësh katolikë, është pak i studiuar dhe i publikuar nga historiografia shqiptare.

PËR GJUHËN SHQIPE

Prof.Shaban Sinani ka shënuar se konferenca gjuhësore e ipeshkvijve katolikë, e njohur dhe si akademia gjuhësore e Shkodrës, e thirrur nga abati Preng Doçi në ditët e para të muajit maj të vitit 1902; kongresi i dytë i Manastirit, një kongres me qëllime mirëfilli gjuhësore, që u zhvillua më 2-3 prill 1910; si dhe platforma e kongresit gjuhësor të Janinës, parashikuar për t’u mbajtur në korrik të po atij viti; janë tri prej ngjarjeve më të mënjanuara në studimet për historinë e shqipes së shkruar.

“Abat Preng Doçi i pati kushtuar mote para kësaj konference vlerësimin dhe zotimin e vet shkrimit të gjuhës amtare. Kur flitet për këtë rol të tij, zakonisht përmendet fakti që ai ishte themelues i shoqërisë Bashkimi, prej së cilës trashëgojmë alfabetin që gjuha shqipe ka sot. Në të vërtetë, abati pati rol të drejtpërdrejtë në vetë procesin e grafematizimit të saj. Nëse me të drejtë studiuesi Francesco Altimari është shprehur që shkronja “ë” dhe përdoruesi i parë i saj At Giorgio Guzzetta meritojnë një përmendore, e njëjta meritë duhej t’i ishte njohur abatit Preng Doçi, propozuesit të parë të zëvendësimit të disa karaktereve që alfabetet e shqipes i kishin huazuar prej greqishtes ose sllavishtes, me bigrafemat që ka shqipja letrare sot”, ka thënë Sinani.

Ai vëren se nuk është fjala thjesht për idenë e dyshkronjëshave, që abati do ta ketë mësuar prej anglishtes, por për meritën e përmbarimit të procesit të latinizimit të shkrimit shqip.

Gjergj Marku na thotë se një prej stërnipërve të abatit të zëshëm mirditas Prend Doçi, Ded Preng Doçi, ka mundur të ruajë në shtëpinë e tij në një mënyrë shumë efikase disa nga reliket e rralla të abatit të famshëm. Foto dhe letra të rralla origjinale janë ruajtur në konspiracion të plotë për 50 vite poshtë kornizave të fotove ku viheshin portretet e stërmëdha të antarëve të Byrosë Politike. Ndërsa një nga fotot më të bukura dhe të mëdha të Abatit, është ruajtur nën foton e Enver Hoxhës. Deda thotë se shtëpia jonë ka qenë vënë gjithnjë në syrin vëzhgues të Sigurimit për faktin jo vetëm pse ishte shtëpi e Abatit, por mendohej se këtu fshihej ndonjë thesar, sepse ai ka patur pasuri që nuk lidheshin thjeshtë me kishën. Si njeri që kishte ndenjur më se një dekadë në Amerikë por dhe gjithandej botës, kishte vënë pasuri, kishte një anije Trieste- Vlorë dhe ndihmonte në botimin e librave tek shtypshkronja e përmendur “Nikaj”.

Po ashtu njihen pasuri të tjera, rreth 150 pendë qe në Zadrimë të dhëna me qera; pajiset e tija deri tek ato të jetës së përditshme ishin asull prej sermi. Por ky patriot i madh, gjithë pasurinë e tij e kishte vënë në shërbim te arsimit, të kishës, të veprimtarisë atdhetare dhe patriotike. Njihen ndërtimet e disa kullave, në mes të cilave dhe ajo e Preng Jakut të përmendur, por dhe bamirësitë e shumta, sidomos në Orosh për të shkolluar jashtë shtetit nxënës, që mbaronin internatin atje. Deda këmbëngul se Doçi duhet shënuar si mësuesi i parë që dha mësim në gjuhën shqipe në Orosh, dhe më pas shkodrani Zef Marashi….

Duket se Doçi ka një sërë fotosh të ruajtura me shumë kujdes ku ai del herë në mes rilindësve, me veladonin e prifit, por dhe me pushkën në dorë. Deda ka ruajtur me shumë kujdes foto me Mjedën, me Gurakuqin etj, por dhe letërkëmbime sidomos me familjarë dhe Luigj Gurakuqin. Duket një kaligrafi e shkëlqyer. Një relike tjetër është një fjalor i botuar në shtypshkronjën Nikaj enkas për ta sjellë në Orosh, ku do të mësohej gjuha “tedeshke”. Kjo është vetëm një pjesë e ajsbergut të relikeve që gjenden në shtëpinë e Dedës, pasi abati i ka patur të panumërta ato. Një nga reliket e veçanta, që e kanë ruajtur Deda me të atin Prengën, janë dylbitë. Një palë dylbi që i kalojnë 120 vitet.

http://balkanweb.com

Shperndaje ketë postim:

spot_imgspot_img

- PUBLICITET -

Aktualitet

Te tjera
LAJME

Kalaja e Shkodrës, më shumë vizitorë se Butrinti

Viti i fundit rezultoi të jetë një periudhë shumë...

Dy shenjat e horoskopit që do t’i kthejnë gjërat ashtu siç duan ata

Me Hënën te Peshqit dita fillon e qetë dhe...