E vërteta mbi Shqipërinë dhe shqiptarët » – manifesti madhor ideo-politik i Lëvizjes Kombëtare Shqiptare është dokumenti, që tregoi së ndërgjegjja ideore e shqiptarëve kishte avancuar dhe ishte gati për pavarësinë…

Më 29 qershor u mbushën 120 vjet nga vdekja e rilindasit të madh Pashko Vasë Shkodranit. Nuk është vetëm ky përvjetor që na shtyn në 100-vjetorin e Shpalljes së Pavarësisë ta përkujtojmë këtë rilindas të madh, i cili vuri një gur jo të zakonshëm në themelet e shtetit

shqiptar të pavarur. Ai nuk ishte vetëm poet i madh që hyri në historinë e Letërsisë Shqipe me poezinë e tij « O, moj shqipni ».

Duhet pranuar se P. Vasa qe i pari, i cili argumentoi me veprën e tij madhore « E vërteta mbi Shqipërinë dhe shqiptarët » aspiratat kombëtare të shqiptarëve dhe rrugën që duhej të

ndiqnin ata për sendërtimin e synimit final të Rilindjes. Analizën dhe përfytyrimin e tij shkencor mbi të ardhmen e Shqipërisë ai e vuri në bazën e Programit autonomist të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, organizatën, të cilën sapo e kishte themeluar me Iljaz pashë Dibrën dhe pesëdhjetë e sa delegatët e Kuvendit historik të Prizrenit, pak para botimit të veprës së tij.

Përkrah tyre u radhitën pa lëkundje përfaqësuesit e viseve të tjera që nga Omer Prizreni e Daut Boriçi e deri te Abdyl Frashëri e plot të tjerë të cilët nuk u ndodhën në Prizren, më 15 qershor 1878.

Çështja kombëtare

Pashko Vasa diti ta shfrytëzonte me mençuri për të mirën e çështjes kombëtare, qoftë edhe kur ishte i shtrënguar t’i maste fjalët, interesimin që kishte atëherë Porta për t’i qetësuar

shqiptarët. Të revoltuar nga kapitullimi i saj para Rusisë në Shën Stefan dhe pafuqishmërisë përballë vendimeve të Fuqive europiane në Berlin ata po ngriheshin të revoltuar për t’i bërë ballë rrezikut.

Pjesa historike e veprës « E vërteta mbi Shqipërinë dhe shqiptarët » e P. Vasës riprodhon përmbajtjen e studimit të tij të mëparshëm në gjuhën shqipe « Shqypnija e Shqyptart », duke i bërë disa shtesa. Më e rëndësishmja midis tyre është padyshim, ajo mbi pashallëqet e mëdha shqiptare të shekullit XVIII dhe të fillimit të shekullit XIX. Autori i miraton veprimet e

Mustafa Bushatit dhe të Ali Tepelenës: « Që të dy kishin ditur të bashkonin elementin mysliman e të krishterë në të njëjtën ide atdhetare dhe në të njëjtin vrull lavdie ushtarake »

Gjendja ekonomike-shoqërore dhe kulturore-arsimore e Shqipërisë nën sundimin osman, sipas Pashkos, përjashtonte në të ardhmen e afërt, ndarjen e saj nga Turqia. Në një zgjidhje të tillë shqiptarët do gjendeshin, sipas tij, para rezikut të binin nën një sundim tjetër po të

huaj dhe të shkombëtarizoheshin, duke humbur midis diskutimeve të pafund. Edhe qeveria perandorake, sipas autorit të veprës, kishte interes ta lidhte pas vetes Shqipërinë, duke e bërë të aftë « me reforma radikale, në gjendje të zhvillojë inteligjencien e vet, pasuritë e veta

dhe fuqinë e vet ushtarake ». Më tepër se me një konstatim kemi të bëjmë me rekomandimin e argumentuar, të cilin P. Vasa ia parashtronte me këmbëngulje Portës së Lartë. Për vijimin e bashkëjetesës së shqiptarëve me osmanët atë si shume të tjerë e kishin bindur punimet e Kongresit të Berlinit.

Autori i manifestit ideologjik të Lidhjes dhe mbarë Rilindjes arrinte në përfundimin : « Shqipëria të bashkohet në një vilajet të vetëm, t’i jepet asaj një organizim i thjeshtë, kompakt dhe i fortë për t’i bërë vend gjerësisht në të elementit vendas dhe për të nisur, nën Skeptrin e Madhërisë së tij Sulltanit, një erë bashkimi, mirëkuptimi dhe vëllazërimi për të gjitha besimet

». Është e nevojshme, thekson më tej autori, « një administratë e vetme, me ligje të barabarta për të gjithë ». Në këtë mënyrë, përfundonte ai, do t’i hapej rruga zhvillimit të gjithanshëm të vendit.

Porse idetë programore të Rilindjes të argumentuara nga P. Vasa nuk kanë arritur të vlerësohen dhe të vihen në pah plotësisht nga historiografia shqiptare.

Punimet

Në punimet kushtuar këtij rilindasi pranohet, here pas here, se ai si një ndër përfaqësuesit më të parë dhe kryesorë të asaj plejade atdhetarësh të shquar, e cila me veprat dhe idetë e saj frymëzoi dhe udhëhoqi Rilindjen Kombëtare Shqiptare, u bë shtyllë e fuqishme e gjithë kësaj lëvizjeje mbarëpopullore për bashkim dhe çlirim kombëtar.

Sipas Mehdi Frashërit, P. Vasa me veprën « E vërteta mbi Shqipërinë dhe shqiptarët » bëhet interpret i qëllimeve që përfshinte parashtresa e Lidhjes së Prizrenit e datës 15 qershor 1878 me kërkesën për bashkimin e vilajeteve shqiptare në formë autonomije. Përkthyesi dhe

botuesi më i parë i kryeveprës së Vasës në gjuhën shqipe, më 1935, arrin të vlerësojë se Shqipëria e bashkuar me këtë mënyrë «do të peshonte me rëndësinë e saj në çështjet ballkanike ».

Vlerësime objektive të figurës së P. Vasës janë realizuar kryesisht në punimet kushtuar jetës dhe veprës së tij, krijimtarisë së tij letrare dhe mendimit të tij politik-shoqëror, kryesisht në

studimet biografike dhe historiko-letrare. Midis tyre dallojnë monografia e prof. V. Balës, studimet e prof. Zija Xholit dhe prof. Jorgo Bulos.

Ndërsa në trajtesat e mirëfillta historike kushtuar Lidhjes Shqiptare të Prizrenit mungojnë vlerësime të tilla që ta përfshinin veprën e Pashkos në rrjedhat e kohës. Aty, në të vërtetë, është dhe vendi që ndihmesa e tij kryesore ideologjike, politike dhe organizative të shihet në kontekstin e zhvillimeve të atyre viteve e për pasojë të zinte vendin e merituar. Madje, në

këto punime arrihet deri, siç do ta shohim, në mospërfilljen e plotë ndaj veprës madhore « E vërteta mbi Shqipërinë dhe shqiptarët ».

Në botimin e parë të “Historisë së Shqipërisë” (1965) Pashko Vasa vlerësohet si figura kryesore e lëvizjes mendore e letrare shqiptare në periudhën 1878-1881. Me veprën letrare dhe publicistike-historike dhe si hartues i një vargu promemoriesh që i shërbyen

drejtpërsëdrejti luftës që po bënte Lidhja e Prizrenit, u bë shprehës konsekuent i kërkesave dhe pikëpamjeve më të përparuara dhe realiste të lëvizjes patriotike shqiptare të kohës.

Megjithëse nuk vihet në pah kryevepra e Pashkos kemi të bëjmë me një vlerësim objektiv të ndihmesës së tij gjatë Rilindjes.

Pranohet se autori i veprës « E vërteta mbi Shqipërinë dhe shqiptarët » shprehet se rrugëdalja nga gjendja që ishte krijuar në vend pas zbatimit të Tanzimatit, ishin « reformat rrënjësore ». Ai konsiderohet shprehës i mendimeve të qarqeve përparimtare që kishin marrë pjesë në Lidhjen e Prizrenit. Në përfundim të analizës së tij prof. A. Buda konkludon, se

kërkesat politike kombëtare të Pashko Vasës përmblidhnin, në të vërtetë, kërkesën për autonominë territoriale-administrative të Shqipërisë.

Porse vlerësimet realiste të veprës së Pashko Vasës, në botime si « Historia e Shqipërisë » parashtrohen në paragrafët kushtuar zhvillimit të letërsisë dhe lëvizjes mendore dhe kulturore shqiptare e përkatësisht mendimit, politik, filozofik dhe shoqëror dhe letërsisë politike gjatë viteve të Lidhjes së Prizrenit. Në këtë mënyrë ato janë dhënë të shkëputura nga shtrati i

natyrshëm ku lindën dhe të cilit i shërbyen fuqimisht, të shkëputura nga veprimtaria e udhëhequr nga kjo organizatë kombëtare mbarëshqiptare, për themelimin e së cilës Vasa luajti një rol parësor.

Ndryshe nga ky inkuadrim jo me vend i ndihmesës së P. Vasës në vitet e Lidhjes së Prizrenit, programi politik i Sami Frashërit dhe ai i Ismail Qemalit të parashtruar në kapërcyell të shekujve XIX-XX, janë analizuar, me të drejtë, në periudhën kur ato u hodhën në qarkullim. Ato jepen të lidhur ngushtë jo vetëm me veprimtarinë e autorëve të tyre por dhe me

zhvillimet e vrullshme në vend. Për shembull, vepra e Sami Frashërit « Shqipëria ç’ka qenë, ç’është dhe çdo të bëhetë? » trajtohet krahas veprimtarisë së Lidhjes së Pejës, në funksion të detyrave dhe të synimeve të Lëvzjes Kombëtare në fund të shek. XIX. Ky qëndrim injorues

ndaj platformës ideore dhe ndaj programit politik të Lidhjes së Prizrenit të parashtruar nga P. Vasa në studimet kushtuar Lidhjes nuk mund të mos çonte në nënvleftësimin e personalitetit të tij në tërësi si ideolog i saj dhe i mbarë Rilindjes. Një prirje e tillë minimizuese e vlerësimit të P. Vasës vjen dhe thellohet më tej.

Vepra « E vërteta mbi Shqipërinë dhe shqiptarët » u bëhet e njohur lexuesve të vëllimit të dytë të « Historisë së popullit Shqiptar » pasi është trajtuar e gjithë ecuria e Lëvizjes

Kombëtare Shqiptare deri në vitin 1908, afro 30 vjet pas daljes në qarkullim të veprës në fjalë (!) Për këtë vepër lexuesi merr njohuri pasi atij i është folur gjerë e gjatë për veprën

madhore të Samiut « Shqipëria ç’ka qenë, ç’është dhe ç’do të bëhetë ? », e cila ka dalë njëzet vjet pas saj. Në këtë kronologji të përmbysur mendimi politik e shoqëror i Vasës nuk mund të merrte përmasat që i takon. Në botim nuk mungojnë vlerësimet objektive të autorit, prof. Jorgo Bulos, të paragrafit përkatës kushtuar këtij personaliteti madhor të Rillindjes sonë jo vetëm në rrafsh letrar artistik, duke pranuar se kemi të bëjmë me një

reformator dhe një statist vizionar. Në veprën e P. Vasës janë shkrirë argumenti shkencor i historianit, shpirti i poetit dhe forca, në radhë të parë do të thonim ne, e formuluesit më të pare dhe, jo vetëm, siç pranohet, e propagandistit të ideve madhore të Rilindjes.

Ndihmesa e Pashko Vasës

Porse, ndryshe nga ky vlerësim, po në këtë botim, ndihmesa e P. Vasës në jetën mendore dhe politike të kohës së vet jepet, në të vërtetë, jashtë kuadrit historik të saj. Ajo nuk mund të trajtohet 30 vjet me vonesë e për më tepër veçmas parashtresave që ai, i vetëm apo dhe

me të tjerë, u dërgoi në vitin 1878 përfaqësuesve diplomatikë evropianë në Stamboll. Janë këto parashtresa që i paraprinë manifestit të Rilindjes « E vërteta mbi Shqipërinë dhe shqiptarët ».

Për veprën e P. Vasës nëpër faqet e Historisë së Shqipërisë qoftë në botimin e parë të vitit 1965 qoftë në atë të dytë të vitit 1984 flitet krahas punimeve të tjera që dolën aso kohe, të cilat nuk kanë rëndësinë dhe peshën e veprës madhore të Vasës. Të tilla qenë «Apologjia» e Jani Vretos e botuar greqisht në Stamboll më 1878, « Bisedime të ditës që meritojnë

vëmendje » e Jusuf Ali beut botuar bullgarisht në Sofje në po atë vit. Më pas dolën në dritë «Ankime të shqiptarëve» e Eftim Brandit botuar greqisht në Athinë më 1880 dhe botimi anonim «Shqiptarët dhe demostrata navale përpara zhurisë eprore të shtypit » botuar frengjisht po atë vit.

Vlerësimet që i bëhen P. Vasës nga autorë të veçantë si figura kryesore e lëvizjes mendore e letrare shqiptare në periudhën e viteve 1878-1881 mbeten të pamjaftueshme për t’i dhënë atij vendin që meriton në Lëvizjen Kombëtare të shqiptarëve gjatë viteve 1878-1881 e më pas deri në fund të shekullit XIX.

Nga njera anë, pranohet se me veprat e tij letrare dhe publicistike-historike dhe si hartues i një vargu përkujtesash që i shërbyen drejtëpërdrejtë krijimit dhe veprimtarisë së Lidhjes së Prizrenit, Pashko Vasa u bë shprehës konsekuent i kërkesave dhe i pikëpamjeve të lëvizjes atdhetare shqiptare të periudhës.

Nga ana tjetër, këto vlerësime të vendosura përkrah veprash të cilat, pa dashur të mohojmë rëndësinë dhe rolin që ato luajtën në atë kohë, nuk patën peshën, forcën dhe rrezatimin e veprës së P. Vasës. Një trajtim i tillë e relativizoi në shkallë të madhe deri në zbehje rëndësinë

e kryeveprës së tij. Kjo prirje ndjehet edhe në karakterizimin e përgjithshëm që i bëhet autorit të saj në vepra të tjera me karakter përgjithësues. Autori i zërit kushtuar Pashko Vasës në Fjalorin Enciklopedik Shqiptar (1985), Prof. V. Bala, sikur tërhiqet nga vlerësimet

objektive të bëra më parë prej tij rreth kësaj figure, në shkrime të shumta e sidomos në biografinë kushtuar atij Në ndonjë rast vepra e Pashko Vasës as nuk zihet në gojë. (Historia e Shqipërisë dhe e shqiptarëve, Prizren, 2001).

Relativizimi, mund ta quajmë paradoksal, i rëndësisë së ndihmesës së Pashko Vasës në rrafsh ideologjik, politik dhe organizativ gjatë viteve të Lidhjes së Prizrenit shprehet në mënyrë të theksuar dhe në punimet monografike kushtuar që më parë kësaj periudhe. Autorë si Xhafer

Belegu, edhe pse u referohen përkujtesave të Pashko Vasës drejtuar kancelarive evropiane as nuk e përmendin veprën madhore të tij « E vërteta mbi Shqipërinë dhe shqiptarët ». Në

këto rrethana nuk mund të pritet ndonjë vlerësim qoftë edhe me dy fjalë i manifestit të parë idoepolitik të Rilindjes sonë Kombëtare. Edhe atë herë kur ndonjë prej tyre, qoftë ky një njohës shumë i mire i kësaj vepre si Mehdi Frashëri i cili edhe kur përqëndrohet kryesisht në anën diplomatike të veprimtarisë së Lidhjes nuk e përmend fare veprën, të cilën ai vetë e ka

përkthyer dhe pajisur me shënime në gjuhën e P. Vasës.

Ky qëndrim thellësisht nënvlerësues dhe, madje, dhe injorues vijoi edhe në monografitë që u përgatitën dhe u botuan pas 100-vjetorit të Lidhjes edhe kur në ndonjërën prej tyre vihen në pah kontaktet e tij të rëndësishme me diplomatët e huaj, sidomos me ato britanikë.

 

Edhe në ndonjë trajtesë kushtuar përpjekjeve të Lidhjes së Prizrenit për mbrojtjen e të drejtave të kombit shqiptar në arenën diplomatike evropiane injorohet plotësisht Pashko Vasa. Për këtë temë nuk mund të lihet m’anësh kontributi që solli në këtë fushë me memorandumet e sidomos me kryeveprën e tij të botuar në disa gjuhë.

Në mjaft punime më shumë vlerësohet poeti se sa ideologu dhe diplomati i L.K.Sh. Edhe kur pranohet se P. Vasa argumenton me mençuri dhe urtësi mëvetësinë dhe identitetin etnik të shqiptarëve si në Veri edhe në Jug të trojeve të tyre, ai vlerësohet thjesht si publicist dhe jo si ideolog i Rilindjes. Deri në këtë shkallë vlerësohet Pashkoja edhe kur përgënjeshtron « Megaliidenë » shoviniste greke në atë kohë, e cila, sipas prof, A. Putos, përpiqej t’i

mbështeste pretendimet territoriale mbi Shqipërinë Jugore në ngatërrimin e qëllimshëm të besimit fetar me kombësinë. Siç shihet edhe pas konstatimesh plotësisht të goditura nuk arrihet në vlerësime dhe përgjithësime adekuate përsa i takon karakterizimit të përgjithshëm

të ndihmesës së veprës madhore të P. Vasës në mbrojtje të çështjes kombëtare në arenën evropiane.

Përkundrejt këtij injorimi apo dhe vlerësimi me shumë kursim të veprës dhe të figurës së P. Vasës dhe të rolit të tij në vitet e vrullshme të Lidhjes së Prizrenit në fushën diplomatike,

shohim që të vlerësohet lart dhe me të drejtë nga të gjithë autorët që janë marrë me këtë temë, misioni diplomatik i Abdyl Frashërit dhe i Mehmet Ali Vrionit nëpër kancelaritë kryesore

diplomatike të Evropës të asaj kohe. Krahas tyre e ndoshta dhe më parë se ata, sikurse në takimet me përfaqësuesit diplomatikë të Fuqive të Mëdha në Stamboll, në dyertë e këtyre

kancelarive ka trokitur personalisht dhe sidomos me veprën e tij Pashko Vasa. Pra, roli që luajti ai me veprën e tij në rrafsh diplomatik nuk mund të injorohet, siç ka ndodhur në veprat e veçanta monografike kushtuar Lidhjes së Prizrenit si dhe në studimet kushtuar veprimtarisë diplomatike të saj. Nuk ta do mendja që A. Frashëri nuk ka paska qenë, sipas të birit, Mid’hatit, në dijeni të veprës së P. Vasës, kur atij Bismarku i qenka drejtuar: “Shkoni dhe

shpenzoni disa kg ngjyrë duke shkruar vepra mbi historinë tuaj dhe mbi të drejtat tuaja kombëtare, pastaj trokisni në dyert e Europës.” (?!)

shqiperia.com