Tifo-grupi më i madh dhe i organizuar i skuadrës bardheblu të kryeqytetit, “Tirona Fanatics”, kanë reaguar publikisht ndaj disa lajmeve të “mediave mbi peshë”, siç i cilësojnë ata, se do të kthehen si më parë, duke harruar problemet me drejtuesit e klubit prej disa kohës, sidomos pas rënies së skuadrës së tyre të zemrës në Kategorinë e Parë dhe lejimin e Partizanit si bujtës në “Selman Stermasi”. Ja qëndrimi i tyre më i fundit:

“Lart e poshtë nëpër të ashtuquajturat “media” ka qarkulluar gjatë orëve të fundit një lajm, sa spekulativ, aq edhe qesharak. “Tirona Fanatics” përgënjeshtron të gjitha “mediat” për një ”rikthim” të tifozërisë, duke harruar problemet me ”kryesine” e klubit, apo duke toleruar kërkesën e policisë për kartën e identitetit!

Jemi shumë të qartë te pjesa që, çdo gjë që ne bëjmë, përbën lajm për ju, por spekulimet dhe hamendësimet nuk dalin në asnjë konkluzion tjetër, përveç faktit se jeni sa qesharakë, aq edhe amatorë, po aq sa jeni dhe mbipeshë. Një njeri vlen po aq sa vlen edhe fjala e tij. Ju këtu leni shumë për të dëshiruar…

“Tirona Fanatics” nuk lë pas krahëve asnjë gjë që i ka ndodhur klubit dhe nuk toleron asnjë nga individët që kishin rol kyç në të, duke filluar nga ish-presidenti! Përgënjeshtrojmë edhe deklaratën e këtyre “mediave mbipeshë” për sa i përket çështjes së kartës së identitetit, duke e rideklaruar që TF nuk do të jetë kurrë prezent diku, ku për të hyrë nevojitet karta e identitetit apo çfarëdolloj mjeti tjetër identifikues.

Ne ftojmë të gjithë tifozët të na bashkohen në transfertën e radhës në Pogradec jo për të qenë 700, apo 1000 vetë, sa deklarojne këto “media obeze”, por për të vazhduar rrugën e nisur të gjithë bashkë në mbështetjen e Tironës dhe diferencimin e saj nga individë, që punuan në kurriz të saj”!