Nga Senad NIKSHIQI

Moralisht trajneri i Vllaznisë Ernest Gjoka ka falur personin i cili e sulmoi dhe tentoi ta therte me thikë pas stërvitjes të 22 shkurtit në fushën sportive “Reshit Rusi”.

Trajneri i Vllaznisë në një stërvitje të zhvilluar në një kalçeto për shkak të kushteve atmosferike përveç ndeshjes së radhës me Flamurtarin dhe luftës së fortë në kampionat ka folur edhe për personin që e sulmoi.

Gjykata e shkallës së parë në Shkodër dha “arrest me burg” për Nehat Fojletën, autorin e dyshuar të sulmit ndaj teknikut Gjoka ndërsa gjykata la në “arrest me burg” edhe Sehar Xhenje, i dyshuar si bashkëpunëtor pasi e priti me makinë agresorin.

Pas kësaj mase të sigurisë nga gjykata, tekniku Gjoka ndjen keqardhje dhe thotë se

Nehat Fojleta është viktimë njësoj si ai që ishte viktimë e atij sulmi.

Më poshtë është intervista e plotë:

Një ditë përpara ndeshjes me Laçin bëmë stërvitje në kalçeton afër hotelit kush ishim të grumbulluar. Pjesën tjetër kemi bërë stërvitje në rregull.

Dje kishim një seancë në palestër pas ndeshjes me Laçin ndërsa sot është dita e parë që bëjmë në kalçeto duke qenë se për shkak të motit është e pamundur qoftë te fusha ‘Reshit Rusi’ por edhe në Golem ku bëjmë zakonisht.

U detyruam të vijmë këtu edhe pse sigurisht nuk është më e mira e mundshme.

E rëndësishme është që të mbajmë gjendjen e ekipit sepse ndeshjet janë shumë afër dhe duhet të tonifikohemi dhe të jemi gati për ndeshjen me Flamurtarin.

Do vazhdoni në kalçeto të stërviteni?

Nesër edhe po qe shumë shi ndoshta do dalim në fushë për t’u hapur thjeshtë edhe nga ana tekniko-taktike në fushë por nëse është e pamundur do vazhdojmë edhe nesër sepse kemi dy seanca një në palestër për tonifikim dhe pasdite do mundohemi dhe shpresoj që të kemi Zotin me vete për të patur një pushim shiu dhe për të dalë të stërvitemi në fushë.

Humbja me Laçin sa ka ndikuar në skuadër për pragndeshjen me Flamurtarin?

Jemi shqetësuar shumë sepse e dini që ne nuk kemi mundësi të rekuperojmë shumë kështu që donim patjetër që në Laç të merrnim një pikë.

Nuk arritëm dot ndoshta edhe për mosmeritën tonë përpara portës. Gjithsesi duhet të ecim përpara dhe ndeshjen me Flamurtarin ta shohim si një tjetër ndeshje vendimtare për ne.

Mungon Malota pasi u ndëshkua me të verdhë, do ta ndjejë skuadra mungesën e tij?

Sigurisht që po sepse është një nga pikat tona më të forta.

Do ta ndjejmë sepse Malota është një lojtar me shumë eksperiencë sidomos në kampionatin shqiptar dhe mbi të gjitha ndaj një Flamurtari që një nga pikat më të forta ka lojën në ajër. Po e mendojmë me shumë kujdes rotacionin tek ai pozicion.

Humbja e Flamurtarit mund të jetë një minus për vlonjatët në ndeshjen me Vllazninë?

Mund të jetë edhe plus dhe kjo varet sepse humbjet kanë dy anë.

Kanë anët e vet negativ ku ekipi mund të bie nën presionin e humbjes por është edhe ana tjetër ku ekipi mund të motivohet duke parë se luan në transfertë.

Mos harroni se Flamurtari ka një skuadër shumë të mirë, është një nga ekipet më të mira në kampionatin shqiptar pas Skenderbeut. Ne do mundohemi që të jemi edhe më shumë luftarak dhe të jemi ekipi që do marrim maksimumin nga kjo ndeshje.

Po flitet shumë për aleanca që mund të kenë për qëllim të dëmtojmë Vllazninë, si e shihni ju dhe a është shqetësim për ju?

Nuk dua t’i futem kësaj pjese. Sigurisht që do jetë shumë problem nëse do jenë të vërteta por s’duhet të merrem me pjesën e thashethemeve.

Vllaznia është një skuadër që lufton gjithë këto vite e vetme, gjithë këto vite po mundohet të marrë vetëm atë që jep në fushën e lojës.

Gara duhet të jetë e pastër dhe e fortë deri në fund që çdo skuadër të marrë atë që e meriton.

Si e shikoni luftën për mbijetesë?

Shumë e fortë dhe shumë e egër. Na duhet që të jemi të gjithë bashkë për të ecur përpara. Në qoftë se në ingranazh që jemi të gjithë bashkë dikush do çedojë atëherë do të na vijë në siklet.

Në këto momente mendoj që për hir të Vllaznisë të jemi gjithë bashkë dhe ta ndihmojmë për çdo situatë dhe ta mbështesim ekipin sepse lufta e këtij kampionati është shumë e fortë.

Përveç Vllaznisë dhe Teutës shihni ndonjë ekip tjetër të rrezikuar?

Në qoftë se ne do të ecim mirë dhe në qoftë se edhe Teuta nuk do t’i ndahet fitoreve atëherë mund të kapim ndonjë ekip tjetër që është mbi ne dhe lufta do bëhet akoma më e fortë për mbijetesën.

E rëndësishme është që ne të shohim punën tonë dhe të ecim përpara duke fituar ndeshjet. Kjo është shumë e rëndësishme.

Nehat Fojleta, personi që ju sulmoi duke tentuar t’ju therte me thikë la në “arrest me burg” nga gjykata e shkallës së parë në Shkodër bashkë me personin tjetër, Sehar Xhenje që e priti me makinë. Si e shihni këtë vendim?

Më vjen shumë keq për atë djalin që më sulmoi. Më vjen keq sepse ai është një viktimë në këtë rast. Zoti e ruajtë. S’kam çfarë të them përveçse më vjen shumë keq dhe s’dua të jem fare pjesë e kësaj pune.

Unë uroj që t’i shkojë sa më mirë atij pavarësisht nga ajo që ndodhi.

Autori i dyshuar Fojleta ka deklaruar në dëshminë e tij se ju e keni fyer dhe ofenduar pasi ai iu është drejtuar ju duke ju thënë se po na e fundosni Vllazninë. Është e vërtetë se e keni fyer, pra ka patur një bisedë mes jush përpara se të përlesheshit?

Unë në këtë punë që bëj sepse nuk e kam këtë punë që bëj çështje private, nuk e di të kem ofenduar kend ndonjëherë dhe nuk di të ofendoj kend.

Një nga kërkesat e mia në skuadër është që të jemi sa më shumë profesioniste dhe të ketë sa më pak fjalë të pista ose të mos ketë fare pavarësisht se në terrenin tonë nganjëherë dalin fjalët e pista por unë nuk ofendoj dhe nuk kam ofenduar ndonjëherë njeri.

S’keni patur asnjë lloj bisede pra përpara se t’ju godiste dhe më pas të përlesheshit?

Absolutisht që jo.

Duke parë moshën e re të agresorit dhe shokut të tij por edhe keqardhjen tuaj mundet që t’i falni për çfarë ka ndodhur?

Unë personalisht nuk kam asgjë me ata persona. Thashë që i uroj që Zoti i ruajtë. Ai është viktimë njësoj si unë.

Është një lloj falje nga ana juaj apo jo?

Është viktimë njësoj si unë. Edhe unë isha viktimë e një agresioni por edhe ai është viktimë e një agresioni tjetër ndoshta psikologjik.

Pra është një falje nga ana juaj për autorët e sulmit?

Po sigurisht që po.