210 minuta dhe asnjë gol, më pas penalltitë, ku Milan fitoi ndaj Lazio. Në këtë mënyrë, kuqezinjtë e drejtuar nga Gennaro Gattuso shkojnë në finalen e Kupës së Italisë ku do të ndeshen me Juventus, që eliminoi Atalanta me dy fitore 1-0 dhe do të marrë pjesë për herë të 18-të në ndeshjen e fundit të kësaj veprimtarie, një rekord. Ndërkohë, Milan e ka fituar për herë të fundit Kupën e Italisë në vitin 2003.

Pas barazimit 0-0 në “San Siro” dhe barazimit 0-0 në “Olimpico”, gjysmëfinalja e Kupës së Italisë mes Lazio dhe Milan shkoi në kohën shtesë, ku sërish nuk pati gol, kësisoj u deshën 11-metërshat për të përcaktuar ekipin finalist. Ishte një dramë emocionuese në fund të një ndeshje që pavarësisht se nuk pati gola prodhoi shumë “drithërima”.

Lazio e dominoi takimin territorialisht, por pa krijuar rreziqe të mëdha te porta e Donnarumma, teksa Milan nuk pëson gol prej gjashtë ndeshjesh. Kuqezinjtë u ndalën nga Strakosha te mundësia që pati Calabria në pjesën e parë, ndërsa në minutën e 115-të, Nicola Kalinic u gjend i vetëm përballë portierit shqiptar, por e çoi topin mbi traversë duke humbur rastin më të mirë të gjithë sfidës.

Immobile shënoi penalltinë e parë për Lazio, ndërsa Strakosha priti penalltinë e Rodriguez. Donnarumma e imitoi duke pritur penalltinë e Milinkovic-Savic, por “i madhi” Strakosha nuk la as Montolivo të shënonte nga pika e bardhë. Donnarumma mbajti Milan në garë me pritjen Lucas Levia, ndërsa Bonaventura barazoi rezultatin në 1-1.

Penalltitë e katërta u kthyen në gol nga Parolo dhe Borini. Të njëjtën gjë bënë edhe Felipe Anderson e Leonardo Bonucci. Seria e golave vazhdoi me kapitenin e Lazio, Lulic dhe Calanhoglu. Më pas, Luis Felipe e çoi topin me traversë duke i dhënë një “bonus” të artë kuqezinjve, të cilët e shfrytëzuan me penalltinë e shndërruar në gol nga Alessio Romagnoli.