Vdekja e dy personave mëngjesin e të shtunës në aksin Durrës – Kavajë, nga goditja e një makine, teksa po prisnin anës autostradës autobusin për në Berat ka rikthyer vëmendjen tek një problematike e vjetër:

Mjetet e transportit, autobusë apo furgona, ndalojnë në autostrada apo në akse nacionale, në mes të rrugës, për të marrë e lënë pasagjerë.

Kjo është edhe arsyeja perse të shtunën kishin dalë në autostrade pranë Malit të Robit edhe Xhemal dhe Edlira Fisniku sëbashku me djalin 8 –vjeçar i të resë, i cili përfundoi në spital me plagë të rënda.

Sepse autobusët e linjave ndalojnë aty ku dikush u ngre dorën, pa pyetur për pasojat që mund të shkaktojnë apo për ligjin që ua ndalon kategorikisht marrjen e pasagjereve përveç stacioneve të përcaktuar.

Fenomeni vazhdon prej vitesh.

Edhe sot është e njëjta situatë.

Këtu jemi ne autostradën Lushnje – Rrogozhine, një ditë pas aksidentit të Malit të Robit. Shikojeni vetë se ku ka ndaluar ky autobus.

Është në kthesë, me një pjesë në rrugë e një pjesë jashtë saj, në një segment ku makinat udhëtojnë me 90 kilometër në orë.

Shikojeni edhe këtë furgon se si ndalon për të marrë dy pasagjerë, pa paralajmërim dhe pa asnjë sinjal, duke rrezikuar sa furgonin tjetër që ka pas po ashtu edhe qytetaret që i ngrenë dorën për ta ndaluar.

Kjo situate është e përditshme, siç e pranojnë edhe vetë qytetaret, që janë po ashtu po aq përgjegjës sa drejtuesit e këtyre mjeteve te transportit inter-urban.

Qytetari: Unë jam duke ikur për në Elbasan.

Gazetarja:  Çfarë jeni duke pritur?

Qytetari: Makinë, autobus, taksi, ça të vijë.

Gazetarja: A është ky një vendqëndrim për mjetet e transportit?

Qytetari: Unë këtu e di, s’di ma tepër, kalimtar jam unë.

Qytetari (tjetër): Ai rrugën e Durrësit, e hapen krahun mu ne mes te xhades. Nuk ma pret mendja të ndaloje para meje,

vetëm kur ndalon “pam”. Unë ça do bej, o t’i bie autobusit o t’i bie bordures se ai ndalon ne mes te rrugës, aty nuk ka xhep që të ndalojë autobusi.

 Ne licencën e mjeteve te transportit është e përcaktuar se ata kanë stacione qytetin ku nisen dhe në vendin e destinacionit.

Ne çdo qytet ka një vend të posaçëm nga ku nisen. Por dëgjoni se çfarë thotë ky i ri nga Lushnja që ka dalë të prese furgonin për te ikur në shtëpi.

 

Gazetarja: Perse keni dalë këtu në rrugë?

Qytetari: Ja pres që të vijë furgoni, me ik m’shpi.

Gazetarja: Po pse dilni këtu?

Qytetari: Po ku të dalim, kjo është mënyra e shqiptarit me dalë… s’ka vende si ne gjithë Europën që të presësh biletën, të presësh autobusin në orarin që vjen.

S’ka këtu në Shqipëri, kjo është Shqipëria që duam ne.

 E dine se rrezikojnë, por serish nuk ndalen.

 

Qytetari: Po tani, qëndron autobusi se kjo është xhade kryesore.

Gazetarja: Po jeni edhe me fëmijë të vegjël…

Qytetari: Po tani rrezikohet, por çfarë t’i bëj unë?

Dhe shihni se çfarë ndalese bën furgoni për të marrë këtë pasagjer.

Këtu jemi ne Lezhë. Ky furgon pasagjeresh që ka destinacion Shkodrën, ndalon anës rrugës për të lënë një pasagjer, hyn serish në korsi dhe vetëm pas 10 metrash del edhe njëherë për të marrë një pasagjer tjetër.

Pamje të ngjashme vijnë nga Vlora.

Kodi Rrugor, në nenin 173, për kushtet dhe kufizimet e qarkullimit në autostrada dhe rrugë interurbane kryesore, pika 7 germa b,

e përcakton qartë se këto mjete e kanë të ndaluar të marrin pasagjere në akse të tilla.

Policia ka ndërmarrë shpeshherë aksione kundër atyre që shkelin këtë ligj, por ato kanë qenë sporadike.

Nuk i kanë dhënë zgjidhje situatës dhe sot duket e dorëzuar përballë saj, aq sa furgonët dhe autobusët vijojnë të ndalen po në mes të autostradave për të marrë e lënë pasagjere, madje edhe në të njëjtin vend ku ndodhi tragjedia e mëngjesit të së shtunës, pa kaluar ende as 24 orë prej saj.

Ky fenomen rrezikon edhe përdorues të tjerë të rrugëve qe respektojnë rregullat e qarkullimit, të cilët udhëtojnë çdo ditë me “kokën në thes”, vetëm se disa drejtues të mjeteve të transportit publik dhe disa qytetare të pakujdesshëm refuzojnë t’i nënshtrohen ligjit e rregullave./TVKlan