Muzika shqiptare po i bën shqiptarët skizofrenë, këngëtare që i këndojnë zogut e thonë se janë skiftera

ga Gerald Ramaj

Këngë pa mesazh, reklamime individësh që luajnë rolin e më të fortit të grupit, këngë që kërkojnë t’i mbajnë njerëzit në ajër,
që na shesin si për të vërtetë se lumturia është femra, leku dhe fama.

Këngë që thonë se jemi bisha me dy koka. Ne edhe atë një kokë që kemi s’po dimë ku ta fusim se po mbeten njerëzit rrugëve, pa strehë, po ua heqin edhe ndihmat ekonomike. Por meqë këta duan të thonë se jemi trima,

mos të harrojmë që e kanë përmendur edhe vetë se shqiptarët sot janë varavingo… “shqiptarët krejt La Vida Loca”.

Këngë që pyesin se përse ajo po bëhet lavire, por në fakt këtyre që këndojnë nuk u bëhet vonë hiç. Këta janë të parët që u interesojnë sa më shumë lavire rrotull sepse kështu u ngrihet fama shtatë pash mbi dhe, kështu ngrihet edhe rinia në ajër e nuk sheh më poshtë, sepse po të shihte, do kuptonte që jemi të zhytur shtatë pash nën tokë. Këta vetë i shndërrojnë individët në lavire dhe më pas bëjnë sikur u dhimbset ky fenomen.

Këngë që thonë se ajo ndihet mirë me të sikur të ishte duke pirë marijuana. Eh po, djali ka të drejtë sepse kur qenia shmang vlerat e vërteta si dashamirësia, familja, dija, bujaria etj, u nënshtrohet ndjenjave të gënjeshtërta siç janë ato që vijnë pas drogimit, alkoolizimit apo edhe një marrëdhënieje seksuale prej jashtëtokësori (e them këtë sepse nuk mund t’i krahasoj me kafshët.

Ato ndjekin instiktet e tyre që evulojnë në mënyrë më të ngadaltë dhe më të përmbajtshme se të njeriut).

Këngëtare që i këndojnë zogut, këngëtarë që thonë se janë skiftera, që thonë: “çohuni kërceni sa të digjet vendi”, që i këndojnë Toni Montanës, Donald Trampit, Baba Berluskonit… shihni tek Arkiva se është edhe njëri që thotë “e bëj jetën Fatos Nano”.
Dhe si përfundim, atyre që i dëgjojnë u ikin zogjtë nga kafazi.

Por e vërteta qëndron se këta nuk mund të quhen këngëtarë, jo jo, në asnjë mënyrë. Këta janë disa bulëza sapuni që janë ngritur në ajër, dhe po i njëjti problem qëndron edhe me fansat e tyre (që më duhet t’i quaj fatkeqë) të cilët i ndjekin nga pas po si bulëza sapuni.

Që të gjithë synojnë të ngrihen, të ngrihen sa më shumë, përherë e më lart, por pa u mbështetur mbi baza të forta, pa parë se ç’dredin katranoset poshtë tyre dhe njëkohësisht e realisht para syve të tyre.

Pra, bulëzat e para, “këngëtarët”, vazhdojnë në rregull me hesapin e tyre. Lekë po marrin sa të duan, kanë bërë famë, ngrihen sa më lart nga duart e fansave që shtyjnë në tym si të verbër… dhe si përfundim, janë po këta fansa të joshur që do i mbajnë pasojat, janë shqiptarët.

Gjërat që kemi sot janë të përkohshme, mund të na duhet që nesër t’ia fillojmë edhe nga fillimi, por ama jo kaq tmerrsisht të papërgatitur sa ç’jemi, jo duke rënë preh e fjalëve dhe tingujve që nuk të çojnë askund tjetër veçse në skizofreni dhe mosnjohje të realitetit shqiptar ku jetojmë.

 

Shperndaje ketë postim:

spot_imgspot_img

- PUBLICITET -

Aktualitet

Te tjera
LAJME