Të tjera detaje janë zbuluar për 23 vjeçaren e cila humbi jetën në aksidentin e mbrëmshëm në autostradën Tiranë-Durrës.

“Panorama” mëson se Elena Avdillari ka hyrë rreth orës 21 të mërkurën dhe ka bërë check-in në Portin e Durrësit. Pas check-init, Avdillari është kthyer nga policia kufitare pasi kishte shumë hyrje-dalje nga Shqipëria drejt Italisë. Vetëm, për vitin 2017 mësohet se 23 vjeçarja ka bërë 14 hyrje në këtë port.

Po ashtu mësohet se policia italiane kishte informacione se Elena Avdillari punonte në punë të paligjshme në shtetin fqinj dhe për këtë autoritetet italiane i kishte kërkuar autoriteteve shqiptare për mos lejimin e saj drejt Italisë.

E reja nisej drejt Italisë me traget nga Durrësi dhe kthehej me avion nga Rinasi.

Edhe më herët në një prononcim për mediat nëna e Elenës, Rozafa Glloga ka thënë se vajza e saj ka qenë disa herë në Itali, pasi atje punonte.

Nëna ka deklaruar se ajo me lekët që merrte në Itali mbante familjen dhe kjo ishte hera e katër që po ikte.

“Vajza ime shkonte here pas here ne Itali pasi shkonte punonte me shoqet. Kjo ishte hera e 4 qe po shkonte. Kishte me vete 600 euro dhe garancinë.

Nuk e di ca problemi pati qe nuk u nis ne Itali. Lajmin e vdekjes e kane mësuar shoqet e saj qe jetojne ne Itali pasi e panë ne televizor. Ne mengjes na njoftuan ne. Vajza ishte e martuar por jetonte tek ne dje na ndihmonte financjarisht pasi jemi te varfer. Une punoj ne fshese turni i 3 cdo nate”, tregoi mes dhimbjes nëna e viktimës.