Histori/ 8 dhjetor 2001 kur Teuta prishte festën e Vllaznisë për inagurimin e “Loro Boriçit”

1007

Prej vitesh është thënë e shkruar se Teuta është kthyer në “macen e zezë” për Vllazninë. Mbase brezi i ri i tifozëve shkodranë nuk e di historinë e kësaj tradite rezultatesh negative me skuadrën durrsake.

Historia negative ka nisur më 8 dhjetor 2001. Vllaznia vinte në këtë ndeshje disa muaj pas shpalljes kampione e vendit dhe do inaguronte
punimet e bëra në stadiumin “Loro Boriçi” pikërisht në sfidën ndaj durrsakëve.

Të ftuar në këtë festë shkodrane kanë qenë edhe ministri i sportit të asaj kohe Luan Rama, kryetarët e Bashkive të Shkodrës e Durrësit Ormir Rusi e Miri Hoti, presidenti i FSHF-së Miço Papadhopulli e sekretari Sulejman Starova, deputetë e personalitete të tjera.

Atmosfera në stadium ishte e mrekullueshme. “Loro Boriçi” ishte i mbushur plot e përplot sepse ishte hera e parë që Vllaznia kthehej të luante në këtë stadium që prej momentit kur ishte shpall kampione.

Para ndeshjes në fushën e stadiumit ka dalë edhe banda frymore italiane e misionit të KFOR-it duke performuar para shkodranëve ndërsa kishte edhe këngëtarë të tjerë të cilët e kanë zbukuruar edhe më shumë këtë festë.

Në pushim të ndeshjes, në pistën e stadium kanë zbritur edhe hipistët shkodranë të hipur mbi kuaj dhe kjo e bënte edhe më interesante
atmosferën.

Por në fakt, e gjithë kjo atmosferë “shkoi dëm”. Teuta fitoi 2-0 dhe me këtë humbje, Vllaznia nisi tatëpjetën duke hequr dorë përfundimisht nga pretendimet për titullin kampion.

Durrsakët e mundën atë me shkodranë. Trajner i tyre ka qenë pikërisht Hysen Dedja ndërsa në fushë ka qenë Armando Cungu, madje ai ishte edhe autor i golit të parë të Teutës në këtë ndeshje.

Ai ka shënuar me 11-metërsh ndërsa në pjesën e dytë golin tjetër e ka shënuar Memelli. Që prej 16 vitesh, Teuta në fakt është kthyer në makth për shkodranët.

Lexo edhe:   I moshuari-Ramës: Ai që s’ voton për ty mos i bëftë hajër vaksina

I kanë mundur shpesh edhe në Shkodër, i kanë eliminuar edhe nga Kupa dhe kjo ka bërë që ndeshja e së hënës të vlerësohet maksimalisht nga kuqeblutë.

Skuadrat ndodhen një pikë larg njëra- tjetrës në renditje dhe rëndësia e kësaj ndeshje merr edhe më shumë vlera.
© shkodrasport.com