Një reportazh analitik i revistës amerikane fotografon Shqipërinë e 1912 para shpalljes së pavarësisë.

Një radiografi e saktë për shqiptarët; personalitetin tonë të veçantë dhe vetëdijesimin se nga prapambetja mund të na nxirrte vetëm arsimimi.

Shqiptari është europian: për më shumë se dy mijë vjet ka jetuar atje ku jeton tani – në fortesat e Epirit dhe Ilirisë, përtej Adriatikut paralel me thembrën e Italisë. Në fillim të shekullit të nëntëmbëdhjetë, shqiptarët u përzienë me fqinjët e tyre jugorë, grekët dhe ishin shtylla kurrizore e luftës për pavarësinë e Greqisë.

Bashkatdhetarët e Marko Boçarit emigruan të gjithë në Cefaloni, në brigjet e Greqisë, por afro 2 milionë shqiptarë më të pafatë jetojnë tashmë nën sundimin turk. Sot shqiptarët, arabët, armenët, bullgarët, grekët, serbët dhe vetë turqit po vuajnë, siç ka ndodhur prej dekadash, nga plaga e sundimit turk.

Nga këta popuj të pafat, shqiptarët janë të parët që duhet të tërheqin vëmendjen e një bote joegoiste

As rrahjet me thupra, as arma, as topi, as mërgimi, as burgimi, as edhe vetë vdekja nuk i tund nga vendi”. Folësi ishte një shqiptar i ri në moshë që një pjesë të shkollës e kishte bërë në SHBA.

Ai është rikthyer tani në vendin e tij, ku po punon me zell të madh për popullin e tij. Është një prej të paktëve njerëz të arsimuar në Shqipëri, por synon që brezi i ardhshëm të mos i numërojë me gishta burrat dhe gratë e arsimuara të Shqipërisë.

Fjalët e përmendura më sipër u paraprinë prej këtyre: “Për momentin, nga veriu në jug dhe nga lindja në perëndim të Shqipërisë, të gjithë klasat e njerëzve – myslimanë dhe të krishterë qofshin – kanë një dëshirë, pothuajse një pasion për arsimin kombëtar.

Të gjithë ata e kuptojnë që, ashtu sikurse në të kaluarën shpata ishte simbol i fuqisë, sot arsimi është perëndesha e fuqisë, dhe ata do të arsimohen, pavarësisht persekutimit”. Shqiptarët janë vetëdijesuar për nevojën që kanë për qytetërimin dhe progresin perëndimor.

Por, që nga dita e parë e miratimit të Kushtetutës së re otomane, turqit e rinj ishin të vendosur që qytetërimi duhej të vinte tek shqiptarët, vetëm pasi të kishte kaluar në një sitë turke dhe mohamedane.

Ky program nuk mund të pranohej nga shqiptarët, edhe sikur turqit e rinj të kishin qenë në gjendje ta vinin në zbatim. Shqiptari është europian: për më shumë se dy mijë vjet ka jetuar atje ku jeton tani – në fortesat e Epirit dhe Ilirisë, përtej Adriatikut paralel me thembrën e Italisë.

Në fillim të shekullit të nëntëmbëdhjetë, shqiptarët u përzienë me fqinjët e tyre jugorë, grekët dhe ishin shtylla kurrizore e luftës për pavarësinë e Greqisë. Bashkatdhetarët e Marko Boçarit emigruan të gjithë në Cefaloni, në brigjet e Greqisë, por afro 2 milionë shqiptarë më të pafat jetojnë tashmë nën sundimin turk.

Gjatë 125 viteve para zbulimit të Amerikës, republika krenare e Venecias kishte një supremaci dashamirëse mbi qytetet shqiptarë të bregdetit, dhe kështu që e vonoi me një shekull dominimin turk. Me rënien e Skutarit në Shqipëri dhe dëbimin e venecianëve nga turqit në vitin 1748, këta të fundit filluan sundimin e tyre – shekuj të tërë mashtrimi, bese të thyer dhe mizorie.

Rezultati i sundimit turk mund të përmblidhet me zhytjen më thellë të shqiptarëve në varfëri, supersticion, dhe etje për gjak, për shkak të terrenit pjellor që garantonin historia malore dhe tiparet primitivë. Përgjatë dy mijëvjeçarëve, valët dhe impulset e progresit nuk e kanë arritur shqiptarin, ose e kanë anashkaluar, duke e lënë të paprekur.

Hakmarrja praktikohet ende

Sot, ashtu si në të kaluarën, është e vërtetë që një në pesë malësorë flijohen prej hakmarrjes së tmerrshme, që vetëm qytetërimi mund ta çrrënjosë nga jeta e shqiptarit. Të qëllosh një person, edhe tinëz, është çështje e marrjes së gjakut. Asgjë tjetër nuk mund ta kthejë nderin e plagosur.

Nëse nuk vritet vetë vrasësi, atëherë një prej të afërmve duhet të jetë viktima, e kështu nis zinxhiri i pafund. Kur hakmarrja ka shkuar shumë larg, mund të blihet nëse ke para të mjaftueshme, ose mund të ndalet përmes disa prej kompleksiteteve të kodit të shqiptarit.

Askush nuk duhet të flasë për shqiptarin si njeri pa ligje.

Ai zbaton në mënyrë skrupuloze atë që njeh dhe pranon: por, këta janë ligjet që i kanë dhënë natyra dhe zakonet, si dhe natyra e paraardhësve të tij shekuj më parë, të “kodifikuar” disi në shekullin 15, ndonëse edhe sot e kësaj dite nuk janë hedhur asnjëherë në letër.

Disa prej rregullave të çuditshëm që udhëheqin jetën e tij janë: Persona që e kanë prejardhjen nga një stërgjysh i përbashkët mashkull, përmes linjës mashkullore, e konsiderojnë njëri-tjetrin vëllezër, ose vëlla e motër, e si pasoja martesa brenda fisit përjashtohet.

Të rinjtë mund të betohen për vëllazëri, dhe kjo krijon një marrëdhënie që i nënshtron të dy, bashkë me pasardhësit e tyre të disa brezave, para të njëjtëve ligjeve martesorë që rregullojnë edhe lidhjet e gjakut.

Personat që kanë të njëjtin kumbar nuk mund të martohen, dhe ka dy lloj kumbarësh: ai i pagëzimit dhe ai i flokut.

Kur një fëmijë, vajzë apo djalë, mbush 2 vjeç, flokët e tij që deri atë çast nuk janë prekur prej gërshërëve, priten me ceremoni. Prerjen e kryen kumbari, që më pas, nëse fëmija është i krishterë lë nga një tufë flokësh për secilën majë të busullës duke krijuar një kryq.

Nëse është mysliman, tri tufa për të formuar një trekëndësh. Në rastin e hakmarrjes, burri nuk duhet prekur nëse shoqërohet nga një fëmijë apo një grua.

Personalitet i pathyeshëm

Sot, shqiptari është personaliteti më piktoresk në Europë. Megjithatë, po aq interesante sa tiparet e tij, është edhe e ardhmja e tij politike. Kohët e fundit është shfaqur vetëdija kombëtare shqiptare që refuzon të shtypet.

Nën qeverisjen jonormale të turqve, racat e ndryshme të krishtera të Perandorisë, si armenët otomanë, bullgarët otomanë dhe grekët otomanë, kanë secila ekzistencën e tyre kombëtare, një shtet brenda shtetit, ndonëse gjithmonë të nënshtruar vullnetit të turqve.

Shqiptarët, ndonëse në përgjithësi kanë zhvilluar një lloj besnikërie myslimane që u jep një pothuajse solidaritet me turqit, janë të vendosur që të kenë edhe ata një entitet kombëtar. Ndonëse janë të mallkuar me prapambetjen që ka shoqëruar pak a shumë kudo besimin mohamedian, liderët e tyre e kuptojnë se nuk janë një racë orientale, por perëndimore.

Se tiparet e tyre turko-mohamedianë janë një lustër, dhe se do të mjaftojë një brez me arsimin e duhur për të bërë kërcimin e madh përpara dhe për të zënë vendin e tyre mes racave të qytetëruara të gadishullit të Ballkanit. Jo i papajtueshëm me nacionalizmin e ri shqiptar – madje mund të jetë arsyeja e tij – është fakti që shqiptari është një prej anëtarëve më individualistë të racës njerëzore.

Po të mos kish qenë i tillë, ai do e kishte humbur shumë kohë më parë identitetin e tij, duke u shkrirë me popujt e ndryshëm që përgjatë kohërave u kanë ardhur rrotull maleve shqiptare. Pavarësisht sulmeve të vazhdueshëm të romakëve, gotëve, serbëve dhe bullgarëve dhe 350 viteve dominim të Turqisë, shqiptari e ka ruajtur individualitetin e tij të pathyeshëm.

Crispi, burri i shtetit italian ka qenë me prejardhje shqiptare. Ai ishte pjesëtar i kolonisë së madhe të shqiptarëve në Sicili dhe Italinë e jugut, paraardhësit e të cilit, afro njëqind mijë, emigruan kur Turqia pushtoi Shqipërinë. Edhe sot e kësaj dite, shqiptarët e Italisë e ruajnë prejardhjen e tyre.

Mosgatishmëria ose paaftësia e shqiptarëve për të ndryshuar individualitetin e tyre reflektohet tragjikisht në ekzistencën e vazhdueshme të sistemit fisnor shqiptar dhe grindjet e përhershme mes fiseve. Si rezultat, Shqipëria nuk ka mundur të paraqesë një front të bashkuar kundër një armiku të përbashkët.

Vetëm një hero i madh bashkues kombëtar ka dalë për shqiptarët – Skënderbeu. Ai vdiq në vitin 1467, pasi fitoi 21 beteja kundër turqve. Vdekja e tij e la Shqipërinë pa udhëheqës, dhe shqiptarët trima që nuk njihnin besnikëri apo ligj tjetër përtej atij të familjes dhe klanit, ranë në sundimin e Mehmetit II, pushtues i Kostandinopojës. Mehmeti mundi t’i shtypte, por jo t’i nënshtronte shqiptarët.

As edhe sulltanët e mëvonshëm nuk kanë arritur ta plotësojnë këtë dëshirë të madhe. Më e mira që mund të bënin ishte t’i bënin për vete, dhe deri në ditën e fundit të tiranisë së Abdyl Hamitit, shqiptarët trajtoheshin si popull i veçantë.

Hamiti ua bleu besnikërinë duke mos u vënë taksa, duke frenuar rekrutimin ushtarak dhe duke përzgjedhur më të mirët e këtyre malësorëve të ashpër si truprojat e tij personale.

Shkollat vetëm do i lehtësojnë

E ardhmja e Shqipërisë varet jo vetëm nga vullneti i Austrisë, Italisë, Malit të Zi që mbështetet nga Rusia, i Greqisë dhe i vetë Turqisë, ku secili prej këtyre është i vendosur që të ketë pjesën e vet shqiptare të tortës.

E ardhmja e Shqipërisë varet shumë nga sasia e arsimit që mund të vihet në zbatim përpara se të përcaktohet përfundimisht fati i 2 milionë banorëve.

Me përjashtim të Znj Edith Durham, gruaja angleze që i ka shkelur vetë zonat më të egra dhe të rrezikshme të Shqipërisë, askush nuk e njeh më mirë këtë vend se sa Z. James D. Bourchier, që për një brez të tërë ka qenë korrespondent special i “London Times” në Ballkan.

Artikulli i tij i jashtëzakonshëm për Shqipërinë në edicionin e ri të Encyclopedia Britannica, pasi flet për betejat e grupeve të izoluar të shqiptarëve konkludon: “Rritja e një ndjenje më të fortë patriotike duhet të varet nga përhapja e arsimit në popull”. Nëse arsimi përhapet pa pengesa në Shqipëri, edhe shqiptarët do të fillojnë të kujdesen për vetveten. Shumë prej shqiptarëve të krishterë në qytetin e Shkodër janë arsimuar dhe kanë siguruar begati, falë italianëve dhe austriakëve.

Ata i druhen sidomos fanatizmit të vëllezërve të tyre myslimanë, ndonëse në malet disa kilometra larg, mes familjeve të malësorëve injorantë, si feja e krishterë ashtu edhe ajo myslimane mund të zënë vend nën të njëjtën çati, dhe ritet e krishterë e myslimanë mund të kryhen edhe në një ndërtesë të vetme.

Disa herë autori i këtij artikulli ka pyetur shqiptarë myslimanë të arsimuar, të interesuar për kauzën e racës së tyre, përse nuk u kanë predikuar myslimanëve të Shkodrës dhe gjetkë vëllazërinë mes të krishterëve dhe myslimanëve.

Pa hezitim, por me turp dhe me buzët shtrënguar, përgjigja ka qenë çdo herë e njëjta: “Është e pamundur. Myslimanët janë injorantë. Në fillim duhet të arsimohen, pastaj do të kuptojnë”. Pak përpara shpërndarjes së parlamentit, në janar 1912, një deputet shqiptar, njëri prej kryezëdhënësve të racës së tij dhe për momentin lider i rebelëve, deklaroi:

“Nëse turqit vazhdojnë të përbuzin joturqit, ata do e rrënojnë vendin e tyre. E them këtë sepse i dua turqit, ekzistenca e të cilëve është e nevojshme për ne”. Deputeti shqiptar fliste për popullin e tij.

Shqiptari ka frikë nga e ardhmja

Shqiptari ka frikë se mos, në vend që të sigurojë lirinë për të cilën është lutur dhe ka luftuar, malet e tij të shtrenjtë dhe luginat pjellore do të ndahen mes shteteve ndërluftues, dhe se mos ai absorbohet nga një racë e huaj. Austria kërcënon të vijë nga veriu.

Italia kanos nga përtej brigjeve të Adriatikut. Këta janë dy armiq që shqiptarët i urrejnë më keq se sa turqit, pavarësisht shkollave, spitaleve dhe kishave që përfaqësuesit e tyre kanë ndërtuar në veriperëndim të Shqipërisë. Shqiptarët i tremben Austrisë dhe Italisë tamam si një polak profetik mund t’i jetë trembur tre grabitësve të tokës mëmë.

Shqiptarët i druhen po kështu një konference europiane për këtë qëllim, se mos Mali i Zi dhe Greqia lejohen që të zgjerohen në kurriz të shqiptarëve.

Alternativa ideale që ai do të dëshironte është një Turqi e mirëqeverisur, për të cilën ai do të jetë një prej “ledheve mbrojtës”. Megjithatë, breza të tërë sundimi turk i kanë mësuar se nuk duhet të presë drejtësi nga turqit. Revolucioni i korrikut 1908 ofroi një rreze të përkohshme shprese, por errësira e dëshpërimit u rikthye menjëherë, më e zezë se më parë.

Ndëshkimi me thupra, plumbi dhe qelia e burgut kanë qenë shpërblimi i vetëm pas kërkimit për “diçka më të mirë”. Është e vërtetë që, shqiptarët që kishin qenë neglizhuar për shekuj të tërë nuk ishin të gatshëm që të pranonin me mirësi disa prej kushteve të “Konstitucionalizmit”.

Fshatari injorant, që nuk ka paguar asnjëherë taksa dhe nuk është regjistruar asnjëherë për shërbimin ushtarak, nuk e vlerësonte “barazinë” e re, që iu manifestua atij përmes pagesës së taksave ashtu sikurse të gjithë banorët e tjerë të Turqisë, si dhe për kontributin e kuotave të tij për martirët në tokat e largëta të Jemenit.

Shqiptarët kanë shumë gjëra për të mësuar. Arsimi mund të kishte ardhur tashmë përmes udhëheqësve të tyre të iluminuar. Por turku budalla bëri të vetmen gjë që dinte të bënte – ai marshoi me ushtri drejt Shqipërisë.

Si pasojë, në vend që të shfrytëzonte shanset e një besnikërie entuziaste, ai rrënjosi edhe më tej ndjenjat e kahershme të mosbesimit dhe urrejtjes. Spekulimet për të ardhmen e Shqipërisë të çojnë vetëm në labirinte të papenetrueshëm, pasi problemi i Shqipërisë është i lidhur ngushtë me Çështjen e Lindjes, ajo që ka munduar Europën për breza të tërë.

Lufta e Krimesë u luftua për ta zgjidhur atë, por në një formë më të komplikuar ajo u rikthye në luftën ruso-turke 1877-1878. Të dërguarit e Europës në Berlin në vitin 1878 djallosën Traktatin e Berlinit.

A mos është shumë të shpresojmë që ka ardhur koha për daljen e një brezi më dashamirës diplomatësh? Megjithatë, Lindja e Afërt shpreson gjithmonë për një zgjidhje dhe për t’u dhënë fund kushteve që, me turqit e vjetër dhe tanimë të rinjtë, po e bëjnë Perandorinë Otomane thjeshtë një legjendë.

Sot shqiptarët, arabët, armenët, bullgarët, grekët, serbët dhe vetë turqit po vuajnë, siç ka ndodhur prej dekadash, nga plaga e sundimit turk. Nga këta popuj të pafat, shqiptarët janë të parët që duhet të tërheqin vëmendjen e një bote joegoiste.

Nga Theron J. Damon, National Geographic, numri i nëntorit 1912

Marrë nga Albanian Montreal Press