Kelmendi, perla e Malësisë së Madhe

Nëse kërkoni të largoheni nga jeta e përditshme e qytetit, për të kaluar disa ditë të paharrueshme mes natyrës së virgjër malore, nëse dëshironi të njihni kultura e tradita të paprekura si natyra, nëse doni të shijoni gatime karakteristike, me produkte të mrekullueshme lokale, natyrisht që Kelmendi është vendi ideal.

 

Nëse kërkoni të largoheni nga jeta e përditshme e qytetit për të kaluar disa ditë të paharrueshme mes natyrës së virgjër malore, ku njeriu veç i ka shtuar mrekullisë së natyrës mrekullitë e duarve të tij, nëse dëshironi të njihni kultura e tradita të paprekura si natyra, nëse doni të shijoni gatime karakteristike me produkte të mrekullueshme lokale, natyrisht që Kelmendi është vendi ideal ku do të ndieni vlerat e vërteta të dialogut shumëshekullor të njeriut me natyrën. Rruga e re deri në Tamarë tanimë e ka shkurtuar largësinë me këto mrekulli, dikur thuajse të paarritshme.

 

Shtigjet e hershme përmes malesh tanimë me sinjalistikat ndërkombëtare dhe guidat turistike, që shoqërojnë turistët në vendet më mbresëlënëse të fshatrave e maleve të Kelmendit, i kanë bërë më të prekshme e më reale bukuritë thuajse ireale të komunës. Shpellat, kanionet, ujëvarat, rrjedhat e lumenjve, burimet, pllajat, peizazhet e magjishme do t’ju shoqërojnë në çdo çast me të papriturat e tyre që të lenë pa fjalë. Nisim itinerarin tonë nëpër fshatrat e Kelmendit.

 

Fshati Tamarë, Foto Terenc Pepa

 

Fshati Tamarë, qendra administrative e komunës së Kelmendit, ndodhet në 280 m lartësi, mes malesh, atje ku bashkohen lumenjtë Cem i Selcës dhe Cem i Vuklit. Fshati e ka marrë emrin nga Tamara, gruaja e Vezirit të Shkodrës, e cila ndërtoi urën e famshme që mori emrin e saj e që i dha të njëjtin emër fshatit. Fshati ka rreth 500 banorë, paraardhësit e të cilëve kanë ardhur kryesisht nga Selca, Vukli, Broja, Kozhnja etj. Rreth 2 km larg fshatit Tamarë, në lartësinë 1165 m mbi nivelin e detit, ndodhet shpella e Malqe Grudës, me gjatësi 310 m. Guidat turistike ju shoqërojnë në thellësi të shpellës, ku do të zbuloni një liqen të vogël, puse vertikale dhe stalaktitet e stalagmitet e kudondodhura. Një eksperiencë e mrekullueshme për të pasionuarit pas shpellave dhe për këdo tjetër, që kërkon të përjetojë emocione krejt të veçanta në thellësi të malit. Lulet e malit: sherbela, trumza, bliri, balsami, kafshët e egra: dhitë, derrat, lepujt, kaprojtë, trofta e egër, që mund ta peshkoni në lumin Cem, shtëpitë karakteristike të fshatit, gjithçka i jep eksplorimit tuaj një ndjesi idilike. Tri festat kryesore të fshatit Tamarë janë: festa e Zojës Ndihmëtare më datën 24 maj, festa e Zojës Rruzare më datën 7 tetor dhe festa e Zojës së Trieshit, që kremtohet të dielën e parë të tetorit.

 

Fshati Selcë

Fshati Selcë, një simbol i mirëfilltë i mrekullive të natyrës, ku duket sikur një dorë fuqiplotë nuk ka kursyer asgjë për të krijuar bukuritë mbresëlënëse të mbitokës, ujit, lartësisë dhe thellësisë së tokës. Fshati Selcë ndodhet 8 km në veri të fshatit Tamarë dhe ngrihet nga 350 deri në 1100 m lartësi mbi nivelin e detit. Shtëpitë një apo dykatëshe janë me gurë e me tjegulla të kuqe, si edhe me ballkonin karakteristik në gjithë gjatësinë e fasadës. Fshati përshkohet nga kanioni i Gerrlës, 900 m i gjatë, i krijuar nga rrjedhat e fuqishme të lumit Cem, duke përftuar kësisoj një mrekulli të papërsëritshme m’u në mes të fshatit.

 

Ujëvara e Sllapit

Shoqëruar nga guida turistike, duke kaluar nëpër shtigje mbresëlënëse malore, do të mbërrini në ujëvarën e Sllapit, ujërat e së cilës lëshohen teposhtë në lartësi rreth 30 m. Karramanet, shkëmbinjtë gjithëformësh të lagjes Pepaj, shpellat të panumërta e të larmishme, si shpella e Pogonicës, shpella e Gradës, shpella e Rrugës, shpella e Vllojakut, shpella e Pajës apo shpella e Turçinit, burimet e ujit, si Gurra e Zanës dhe ujët e Kritë apo Bjeshka e Jeshnicës, një nga qendrat më të mëdha blegtorale të Alpeve perëndimore, lëndina e Greçës, me lule shumëngjyrëshe dhe bimë mjekësore, si salepi, çaji i malit, gjithçka e bën fshatin Selcë një muze të vërtetë të natyrës që kërkon ditë të tëra për t’u eksploruar. Më datën 7 tetor kremtohet festa e Zojës Rruzare. Në oborrin e kishës së fshatit është gdhendur në një pemë të moçme trupi i Jezu Krishtit, një vepër vërtet interesante për t’u parë, a thua se dora e skulptorit nuk ka dashur aspak të shkëputet nga natyra, në fshatin ku gjithçka është e lidhur me natyrën.

 

Fshati Nikç

Fshati Nikç, 15 km në lindje të fshatit Tamarë, që ngrihet nga 600 deri në 850 m mbi nivelin e detit, është një nga perlat e Kelmendit. Fshati është si pikë kalimi drejt Bogës, Thethit e Valbonës dhe nga lartësitë e të ashtuquajturit ballkoni i Kelmendit, mund të mrekulloheni me Alpet shqiptare, të cilat shpalosen si në pëllëmbë të dorës. Në periudhën e lulëzimit, fshati mund të quhet thjesht fshati i luleve, pasi aromat e sherbelës, trumzës apo blirit shekullor që ngrihet në qendër të tij, pushtojnë gjithçka.

Në Shpellën e Gjaçkës, që ndodhet vetëm 200 m larg fshatit, ka liqene nëntokësore, stalaktite e stalagmite, kolona shkëmbore me forma të papritura. Burimet e shumta malore të ujit, si gurra e Musovatit, e Komanit, Ledit, Jezercës dhe Ujëvara e Vizhnës, janë mrekulli të tjera të natyrës së fshatit Nikç. Forca e Kelmendit, një pllajë e lartë shkëmbore, ngrihet në 1000 m lartësi mbi nivelin e detit dhe rrethohet nga rrëpira të pakalueshme, të cilat e kanë kthyer atë përgjatë shekujve në një mburojë të vërtetë për banorët e Kelmendit, gjë që i ka dhënë pllajës këtë emër simbolik. Koha duket sikur ka ndalur në epoka të tjera, teksa sheh shtëpitë e bukura alpine dykatëshe dhe mullinjtë për të bluar grurin, misrin dhe elbin si në kohë të hershme. Më datën 24 maj kremtohet në fshatin Nikç festa e Zojës Ndihmëtare.

 

Fshati Kozhnjë

Fshati Kozhnjë, që ngrihet 550 m mbi nivelin e detit, ndodhet 6 km larg fshatit Tamarë. Fshati është i njohur për blegtorinë e tij, ku spikat dhia e famshme e Kozhnjës. Kozhnja njihet për bimësinë e pasur, sidomos për bimët mjekësore, si edhe për faunën e pasur që ka favorizuar gjuetinë e dhive të egra, lepujve, derrave të egër. Kozhnja ndahet në dy lagje me reliev krejt të ndryshëm: Kozhnja e thellë dhe Kozhnja breg.

Shpellat, burimet dhe përrenjtë, shoqërueset e paevitueshme të Kelmendit, janë të shumta edhe në Kozhnjë: shpella e Lule Gjokës, shpella e Fratit, shpella e Shnikut dhe shpella e Stërnikut, përroi i Kozhnjës, kroi i Mulajve. Shtëpitë e fshatit janë ndërtuar në formë kullash, një arkitekturë krejt e veçantë kjo për Kelmendin. Në datën 24 maj, kremtohet në fshatin Kozhnjë festa e Zojës Ndihmëtare. Fshati Vukël, që ngrihet nga 525 deri në 1150 m lartësi mbi nivelin e detit, ndodhet 18 km larg fshatit Tamarë. Fshati dallohet për bimësinë e pasur, ku spikasin bimët mjekësore, lajthitë, arrat dhe kullotat alpine. Burimet e shumta ujore, si gurra e Pepushajve, janë shpallur monumente të natyrës. Shpella e Prekë Calit, shpella e Shkëmbinjve të Gurrës së Gegëve dhe shpella e Vushës janë ndër pikat më interesante për t’u eksploruar. Shpella e Vushës ndodhet rreth 1000 m larg qendrës së fshatit, ka 10 dhoma të vogla e të mëdha shumë të veçanta e të bukura për t’u vizituar.

 

 

Lepushe – Foto Terenc Pepa

 

Fshati Lepushë, që ngrihet në 1200 m lartësi mbi nivelin e detit, ndodhet 21 km larg fshatit Tamarë dhe 10 km në juglindje të fshatit Vermosh. Veç shpellave të bukura, Bjeshkëve të Namuna që ndodhen pranë luginës së fshatit, reçelit të boronicës dhe luleshtrydhes, rakisë së sanzës, dëborës që herë-herë arrin deri në

4 m trashësi, shqiponjës së malit dhe shkabës, fshati është i famshëm edhe për konkursin “Logu i Bjeshkëve”, që zhvillohet çdo vit në muajin gusht në Qafën e Predelecit, ku shpallet vajza më e bukur e Alpeve. Për shkak të dëborës gjithëvjetore të Bjeshkëve, në fshat mund të zhvillohet turizmi malor, alpinizmi apo rrëshqitjet me ski. Fshati Vermosh, pika më veriore e Shqipërisë, një fshat malor i Alpeve perëndimore, që ndodhet 95 km në veri të Shkodrës dhe 31 km në veri fshatit Tamarë, qendrës së komunës së Kelmendi, është njëherazi edhe fshati më i madh i Alpeve të Shqipërisë.

Shperndaje ketë postim:

spot_imgspot_img

- PUBLICITET -

Aktualitet

Te tjera
LAJME

NJË TJETËR ATRAKSION, SË SHPEJTI ZIP LINE NË THETH

Një risi që i shtohet Alpeve të Shqipërisë është...

Kalaja e Shkodrës, më shumë vizitorë se Butrinti

Viti i fundit rezultoi të jetë një periudhë shumë...

Dy shenjat e horoskopit që do t’i kthejnë gjërat ashtu siç duan ata

Me Hënën te Peshqit dita fillon e qetë dhe...