Angjelin Nënshati, fotografi i familjeve shkodrane

Angjelin Nënshati është dëshmitari i familjeve shkodrane! Ai më shumë se askush, ashtu me atë biçikletën e tij dhe aparatin që asnjëherë nuk e hiqte nga supi, kalonte rrugët dhe rrugicat e Shkodrës i thirrur për ditëlindjet, fejesat, martesat apo dhe për evenimente të cilat një familjes shkodrane e qytetit, por dhe fshatrave përreth, nuk mund ti lejojë të kalojnë pa një foto! Angjelini nuk lodhej, nuk mërzitej, nuk stresohej dhe për më tepër ishte gjithmonë i gatshëm të shkonte në çdo orë dhe çdo kohë shi, erë, borë dhe diell i fortë.

Nënshati ishte fotografi skrupoloz i pozicionit në foto! Shkodranët e mbajnë mend se sa vonohej deri sa të gjithë merrnin pozën apo ishin perfekt të vendosur dhe këtë e bënte duke thënë batuta dhe duke bërë shaka! Shpesh herë njerëzit lodheshin, por nuk mërziteshin me Angjelinin. Ai kishte konsensusin e një qyteti tradicional multi religjionar dhe me periferi të ndryshme e ishte i mirë pritur dhe i respektuar sa në Kiras,

Skenderbeg, Parrucë, Gjuhadol, Perash, Serreq, Arra e Madhe, Dërgut, Rus e Tophanë, Dobraç e Berdicë apo Kuç e Gur të Zi. Vonohej në shtëpi se njerëzit e takonin dhe ai zgjatej në bisedë, zgjatej, sepse shumëkush kishte diçka për të porositur apo për të kërkuar, ose dhe për të biseduar!

Nga fotografët e Shkodrës në përgjithësi, por nga Angjelin Nënshati në veçanti, qyteti i madh verior ka më shumë fotografi të familjeve dhe eventeve në qytet.

Angjelini ishte i kudo ndodhur dhe shpeshherë ngutej te njëri event për të shkrepur dhe te tjetri, kur qëllonin në një kohë. Ai sot ka 10 vite që është ndarë nga jeta, por ai është njeriu që jo vetëm pasuroi

Muzeun Marubi, i cili padyshim duhet të bëjë të mundur dhe dixhitalizimin e shumë shkrepjeve të tij të mrekullueshme! E ka për detyrë, sepse Angjelin Nënshati është demostruesi, fotografuesi, realizuesi i mijra e mijra eventeve të Shkodrës së re.

Angjelini nuk e nisi artin e tij dhe punën e tij, mbas viteve 1990-të, as mbas vitit 1991, as mbas vitin 1992 dhe as mbas vitit 1993. Ai është më i madh se sa kaq! Sigurisht ai është dëshmitari më i mirë në foto i këtyre viteve, por Angjelin Nënshati është artisti demostrues i Shkodrës mbas viteve 1950 dhe sidomos mbas vitit 1958 si profesionist! Nënshati ka ndjekur me aparatin e tij rritjen dhe zmadhimin e Shkodrës, por dhe humbjet e saj ndër kohëra!

Nuk ka event sidomos mbas viteve ’60-të, që Angjelinin nuk e ka gjetur me aparat të gatshëm për shkrepje dhe dokumentim. Thesari i tij prej 250.000 negativash dhe fotosh në Muzeun Marubi, duhet zbuluar dhe nxjerrë në dritë, pa u vonuar me “arsye” të paarsyeshme se ishte kohë diktature. Ai është fotografuesi i dramave dhe komedive të mëdha në teatrin Migjeni. Nuk ka më shumë se sa ai fotografi të aktorëve të mëdhenj dhe premierave të shkëlqyera në teatër. Bashkë më kolegët e vet sigurisht, por Angjelini binte në sy dhe pasioni i tij ishte i pakrahasueshëm.

Ai ishte fotografuesi i ndeshjeve të mëdha të Vllaznisë në futboll dhe sportet e tjera. Është shumë e vështirë që sportistët e Vllaznisë, për më shumë se katër dekada të mos kenë fotografi të Angjelinit të kryera profesionalisht e jo kaq shumë ose pothuaj asnjëherë të kërkuara për përfitim. Nuk ka kolektiv punonjësish qyteti por dhe ndërmarrjet bujqësore apo kooperativat që nuk kanë fotografinë e Angjelinit në evente deri dhe korrje apo mbjellje.

Angjelini ishte në repartet e punës kudo, njerëzit dilnin edhe aty, ishte dhe në zboret ushtarake, sepse njerëzit kishin edhe aty dëshirë dhe sigurisht ajo ishte koha. Angjelini në aksionet e kohës së “aksioneve dhe punëve vullnetare”, Angjelini ishte në paradat e 1 Majit! Me anën e Angjelinit sot shikohen veshjet, sandalet dhe çorapet e fëmijëve! Angjelini merrte foto kur kishte manifestime sportive dhe Angjelini shkrepte e shkrepte, kur ndërtohej diçka në Shkodër! I madhi Nënshati ka fotografuar ndryshimet e mëdha të Shkodrës, rrugët e reja dhe ndërtimet e reja.

Ai ka fotografuar dyert e bukura të Shkodrës të cilat mbas viteve ’90-të nuk janë më. Angjelini na ka lënë dëshmitë e bahçeve dhe oborreve të bukura të Shkodrës, të cilat sot sigurisht nuk janë më dhe ato që janë janë mbuluar nga ndërtimet e shëmtuara të mbas viteve ’90-të! Nga shkrepjet e Angjelinit duken veshjet, duket sigurisht varfëria, por dhe cilësia e njerëzve për të pasur respekt për veten dhe fëmijën përpara aparatit të Angjelinit! Nga shkrepjet e Angjelinit, janë shumë shtëpi të Shkodrës, shtëpi të mëdha dhe karakteristike që sot nuk janë më!

Angjelin Nënshati është nostalgjia e një qyteti që nuk është më, por dhe e vërteta e madhe e asaj kohe dhe transformimit në këtë kohë si për keq me shumicë dhe mbase (dyshoj) diku për mirë! Ku ka shkollë të Shkodrës nga ku kanë dalë mijra e mijra individë që Angjelini nuk ju ka shkuar dhe i ka vënë në pozë. Është e pamundur. Ku ka grup muzikor apo valleje i ndërmarrjeve të shumta që nuk kanë foto aktiviteti nga Angjelin Nënshati! Ku ka aktivitet në shumë klube artistike të rriturish dhe fëmijësh që është bërë dhe nuk është dokumentuar nga Angjelini! Ku ka festival pionierësh që Angjelini nuk ka bërë mijra shkrepje! Ku ka trofe dhe ndeshje të madhe sportive pa dokumentuar! E Shkodra në atë kohë pulsonte fort dhe shkëlqente si qytet, lëvizte shumë, ishte qyteti (jo me kaq sy të mirë nga lart) që kishte lëvizjet amatore më të mëdha në Shqipëri dhe as Tirana nuk prodhonte më shumë art dhe kulturë sa Shkodra. Angjelini i ka të dokumentuara këto kohë!

 

Falë një pune të palodhur dhe ambicioze të Angjelinit, nuk ka event që ka ndodhur në Shkodrën e mbi 50 viteve që nuk është “bërë i pavdekshëm” në celuloid nga një dorë mjeshtrore dhe sy i vëmendshëm!

 

Angjelin Nënshati sot kujtohet në Shkodër si njeriu që ka lënë kujtesën më të mirë për familjen shkodrane dhe Shkodrën e re! Nuk janë kujtuar ti japin ndonjë titull të madh, ndërkohë që “Mjeshtra të Mëdhenj” ka dhe prej atyre që nuk kanë as mjeshtri as reputacion qytetar në shërbim të qytetarëve dhe profesionit.

Gjithsesi Angjelini është një nder dhe mjeshtër për Shkodrën, dhe ajo sigurisht e nderon shumë./ Nga Besi BEKTESHI

Shperndaje ketë postim:

spot_imgspot_img

- PUBLICITET -

Aktualitet

Te tjera
LAJME

Kalaja e Shkodrës, më shumë vizitorë se Butrinti

Viti i fundit rezultoi të jetë një periudhë shumë...

Dy shenjat e horoskopit që do t’i kthejnë gjërat ashtu siç duan ata

Me Hënën te Peshqit dita fillon e qetë dhe...