Kryeministri Edi Rama pasditen e sotme ishte në familjen Preçi, e cila nga tërmeti tragjik humbi djalin Kristjan Preçi 26 vjeç, i sapodalë nga burgu.

Pas tmerrit në Thumanë tashmë familja ka filluar një jetë të re pas zhvendosjes në Kamëz në një apartament. “Shtëpia është në rregull, por ne nuk jemi në rregull, numri është shkurtuar. Tani nuk e dimë ku ishim dhe ku jemi. Punët e Zotit..” tha kryefamiljari. Por kreu i qeverisë ngushëlloi familjen duke thënë se të gjithë një ditën do të ikim nga kjo botë.

“Ky është një boshllëk që nuk mbushet as me shtëpi dhe as me pasuri, jeta vazhdon…për njeriun janë të gjitha këto, të gjithë atje do të shkojmë, nuk ka rrallë, nuk ka kuptim në mënyrën si ikën njëri apo tjetri. Zonjës jemi gati ti ofrojmë një punë. E kisha merak këtë pjesën e parë të sistemit të shtëpisë, pasi është një tmerr. Të gjitha familjet e viktimave brenda kësaj jave” tha ai.