Diena Karanxha, Saimir Gregu dhe Klement Ccupi ishin mes 49 viktimave që shkaktoi tërmeti tragjik i tre ditëve më parë në vend. Ata u nxorrën gjallë dhe të vetëdijshëm nga rrënojat, ndërsa papritur u dha lajmi se kishin ndërruar jetë në spital.

Diena ishte e vetëdijshme duke u thënë ekipeve të shpëtimit që ta linin të ndërronte jetë nën rrënoja ku kishte humbur edhe vajzën, ndërsa Klement Ccupi bënte shaka me ekipin e shpëtimit grek dhe të afërmit duke thënë se duhej të pinin kafe pasi të mbaronte e gjithë kjo. Ndërkohë, Saimir Gregu komunikoi gjatë gjithë ditës me ekipet e shpëtimit deri në nxjerrjen e tij në orët e pasdites së datës 26 nëntor

Por, nëse dolën gjallë dhe të vetëdijshëm pse vdiqen Diena Karanxha, Saimir Gregu dhe Klement Ccupi? Sigurisht, kjo nuk ka të bëjë me neglizhencën e mjekëve, por sipas kreut të Qendrës Kombëtare të Urgjencës Mjekësore, Skënder Brataj lidhet me një fenomen që zhvillohet tek muskujt e njëriut kur ato shtypën.

I ftuar tek “ABC-ja e mëngjesit”, Brataj shpjegon para Enkel Demit se vdekja lidhet me shkatërrimin e muskujve fillimisht, e cila bën që në gjak të injektohet emiozinë me sasi të lartë duke nxjerrë jashtë funksionit fillimisht veshkat dhe më pas organet e tjera.

“Probemi i personave që dalin nga rrënojat lidhet me kohën që kanë ndejtur aty dhe sa dëmtime kanë tek indet e buta, pra muskujt. Shkatërrimi i muskujve shkakton çlirimin e emiozinës, e cila futet fillimisht në gjak dhe përfundon në veshka duke mos u eliminuar nga veshka gjë që shkakton insuficiencë renale dhe më pas mos funksionim të organeve të tjera që çon në vdekje”, shpjegon Brataj.

Përveç 49 të vdekurve, tërmeti ka shkaktuar edhe rreth 750 të lënduar, ku një pjesë e madhe kanë marrë trajtim në spital. Dëmet materiale janë të konsiderueshme dhe do të duhet një ndërhyrje e madhe e qeverisë për të rikthyer zonat në gjëndjen e mëparshme.