“Legjenda urbane” për shtëpinë në Shkodër, Nënë Tereza i përket botës…ktheni sytë nga qielli…

A ka jetuar apo jo Nënë Tereza në një shtëpi në lagjen “Badra” të Shkodrës? Sot, në ditën e shenjtërimit të shqiptares shtatvogël, media tradicionale e portale nuk rreshtin të publikuari apo përsërituri fakte se “Nënë Tereza ka jetuar disa vite në këtë shtëpi”, duke veshur me mistikë një histori që sipas gjasave, është thjeshtë një “legjendë urbane”.

 

Vit pas viti, media lokale dhe kombëtare, janë përpjekur të bëjnë “lajm” me këtë shtëpi, e cila prej vitesh ka edhe një pllakatë që tregon edhe kohën që familja e Nënë Terezës ka jetuar në Shkodër, në harkun kohor 1932- 1933. Në fakt, ata që kanë patur mundësi reale të hulumtojnë, asnjëherë nuk kanë guxuar të përmendin vite apo periudha të sakta. Madje, para çdo interviste janë kujdesur të thonë “mendohet se” Gonxhe Bojaxhi mund të ketë ardhur për të takuar familjarët në Shkodër, nëse ka patur mundësi…

 

Sepse po flasim për një murgeshë katolike, e cila në moshën 18- vjeçare nisi rrugëtimin për tu kthyer në simbolin e përbotshëm që sot adhurojnë si shenjttore të paktën mbi 1 miliardë katolikë. Duke qenë një personazh i jashtëzakonshëm, etapat e jetës së saj janë të përcaktuara qartë. Gonxhe Bojaxhi,

vajza e Kolës dhe Dranes, lindi me 26 gusht 1910 në Shkup, aso kohe pjesë e Vilajetit të Kosovës nën Perendorinë Osmane. Biografët e Nënë Terezës, nuk lënë shteg për hamendësime: Në moshën 18 vjeçare ajo nisi rrugëtimin duke u dorëzuar murgeshë. Jo vetëm kaq. Ata që e kanë marrë historinë direkt nga “burimi”, pra Nënë Tereza, e kanë shkruar të zezë në të bardhë se prej asaj ditë nënë, bijë e motër, nuk u takuan më kurrë së gjalli. Me vëllanë,

Lazrin, i shkolluar në Graz për ushtarak, do të takohej pas rreth 30 viteve. Me 26 shtator 1928 Gonxhja do të nisej drejt Irlandës (Dublin) e më pas në Kalkutë të Indisë ku u vendos për ti dhënë jetë misionit të saj unik të bamirësisë. Dy javë para nisjes, Gonxhja do ti shkruante tezes së saj: “Shkup 12. 09. 28 E dashura Teze Lis! Më 26 të këtij muaji po nisem prej Shkupit. S’po mund mos me ju shkrue dy tri rreshta për juve.

Lamtumirë, e deshiroj që Zoti t’ju nap gjithshka që ju deshron zemna. Dua t’ju fal gjanat ma të përzemërta, Gonxhja”. Gonxhja nuk po nisej në një kolegj ku parashikohen pushime verore e dimërore, por në një rrugëtim të vështirë, me shumë sakrifica, nën shembullin e Jezu Krishtit për të qenë pjesë e familjes universale.

Nuk duhet të krijojmë simbole të rreme, të shprehim devocion për disa mure kur mjafton të kthejmë sytë nga qielli dhe komunikojmë direkt me Shën Terezën e Kalkutës!

 

Të gjithë ne, shqiptarët, sot duam të besojmë se Gonxhe Bojaxhi, në vitet 1932- 1933, ka kaluar ndonjë ditë apo natë në shtëpinë në lagjen “Badra” të Shkodrës.

Do të ishte bukur që në qytetin tonë, të kishim një shtëpi ku ka jetuar një shenjtore e Kishës Katolike, shqiptare e cila përsëriti më shumë se një herë se: “Kam lindur në Shkup, jam shkolluar në Londër, jetoj në Kalkutë dhe punoj për të gjithë njerëzit e varfër në Botë. Atdheu im është një vend i vogël me emrin Shqipëri”. Edhe pse Shqipëria komuniste e mohoi, nuk i dha vizë, as kur kërkoi të shohë për herë të fundit të gjallë të afërmit e saj që i kishin mbetur.

 

Sot, nuk ka asnjë rëndësi, asnjë peshë, nëse Nënë Tereza kur ishte Gonxhe, ka kaluar ndonjë ditë në një shtëpi në Shkodër. Sot ajo është në piedestalin e shenjtorëve të Kishës Katolike, e adhuruar dhe e lutur nga të katër anët e botës si një nga njerëzit më afër Hyjit.

Kjo, pasi u ngjit në piedestalin më të lartë të njerëzimit si simbol i bamirësisë dhe mbështetjes pa kushte të të varfërve. Sot, shtëpia e saj është qielli dhe nga atje, sheh të gjithë njerëzimin, ku Shkodra është vetëm një pikë uji në oqean. Edhe nëse është thjeshtë një gjetje

 

publicitare apo promovimi për Shkodrën, nuk duhet të lejojmë zvoglimin e përmasave universale që ajo ka tashmë prej tre vitesh. Shën Tereza e Kalkutës është sot kudo, mund ti kërkojmë ndihmë e lutje nga çdo vend! Sot është momenti që të gjithë të kujtojmë shprehjet e saj të pakrahasueshme, ndërsa do të veçonim: “Mos mallko errësirën, ndiz një qiri…“! /ShkodraWeb/

Shperndaje ketë postim:

spot_imgspot_img

- PUBLICITET -

Aktualitet

Te tjera
LAJME

NJË TJETËR ATRAKSION, SË SHPEJTI ZIP LINE NË THETH

Një risi që i shtohet Alpeve të Shqipërisë është...

Kalaja e Shkodrës, më shumë vizitorë se Butrinti

Viti i fundit rezultoi të jetë një periudhë shumë...

Dy shenjat e horoskopit që do t’i kthejnë gjërat ashtu siç duan ata

Me Hënën te Peshqit dita fillon e qetë dhe...