Opozita ka paralajmëruar të hënën në orën 20:00 protestën kombëtare të radhës, e cila në fakt do të jetë e para që pas zgjedhjeve të 30 qershorit.

Siç është bërë traditë tashmë, forcat e policisë së shtetit do të angazhohen për mbarëvajtjen e protestës duke mobilizuar edhe një numër të forcave të ndërhyrjes së shpejtë. Burime nga policia bëjnë të ditur se nesër nuk do të angazhohen më shumë se 1200 efektivë për ruajtjen e Kryeministrisë dhe Parlamentit.

Të angazhuar do të jenë edhe forcat e Gardës së Republikës, të cilët bashkë me FNSH do të qëndrojnë në një distancë nga efektivët e komisariateve për të ndërhyrë vetëm në rast se situata tensionohet.

Organet ligjzbatuese kanë marrë masat e zakonshme siç është përforcimi i derës së blinduar të Kryeministrisë, ndërsa përgjatë të hënës pritet të vendosen edhe barrierat prej hekuri përqark ambienteve ku do të zhvillohet edhe protesta.