Për grekët dhe qipriotët, ajo njihet si kafe greke, për boshnjakët si kafe boshnjake, për armenët si kafe armene, për arabët si kafe arabe, ndërsa për turqit, kroatët, shqiptarët dhe serbët si kafe turke. Sidoqoftë, në mesin e shekullit të gjashtëmbëdhjetë, ajo ishte thjesht kafe.

Në atë kohë, këta popuj sundoheshin nga Perandoria Osmane, e cila i mori dashamirët e kafesë nga Evropa juglindore deri në Persi në “përqafimin” e saj të gjerë. Megjithatë, në vitet e para të shekullit të nëntëmbëdhjetë, kjo perandori filloi të shpërbëhej. Kafeja pati një rol pak të njohur në fundin e saj.

Kafeja u soll në Turqi gjatë pushtetit të Sulltan Sulejmanit të Madhërishëm. Kur i dërguari i tij për ta qeverisur Jemenin e shijoi një pije energjike, e cila në atë vend njihej me emrin “qahwah”, ai e solli atë në Konstantinopojë, ku menjëherë u bë shumë e famshme.

Një mjeshtër i kafesë mund të kishte dhjetëra ndihmës për t’i bluar kokrrat Arabica dhe për t’i shndërruar ato në pluhur shumë të imët, i cili ishte i ngjashëm me espresson e sotme. Ky pluhur vlohej me ujë në enë të quajtura xhezve.

Pija e hidhët, e zezë dhe me një shtresë të hollë të shkumës shërbehej në filxhanë të vegjël porcelani. Sipas legjendës, për ta baraspeshuar shijen e hidhët të pijes, gruaja e Sulejmanit, Hurrem Sultan, e pinte kafenë e saj bashkë me një gotë ujë dhe një copë llokumi. Në Turqi, kafeja shërbehet në këtë mënyrë edhe sot.

Sidoqoftë, jo të gjithë besonin se Kurani ua lejonte myslimanëve ta pinin këtë pije të re stimuluese. Ndonëse në librin e myslimanëve nuk përmendet saktësisht kafeja, një klerik që ishte pjesë e pushtetit të Sulejmanit e kishte lëshuar një “fatwa” kundër kësaj pije me arsyetimin se çdo gjë e djegur nuk lejohet të pihet. Sidoqoftë, kjo nuk e zbuti thirrjen e tij.

Kafeneja e parë publike, e njohur si “kahvehane”, u hap në Stamboll në vitin 1555 nga dy tregtarë sirianë. Pak kohë më vonë, gati një në gjashtë dyqane të qytetit shërbenin kafe. Me kalimin e kohës, kjo pije u përhap edhe në pjesët më të skajshme të perandorisë.

Kafenetë ua mundësonin burrave që të tubohen në një vend tjetër përpos shtëpive, xhamive apo dyqaneve, duke ua ofruar mundësinë për socializim, shkëmbim të lajmeve, zbavitje dhe edukim.

Anëtarët e shoqërisë që dinin shkrim dhe lexim i lexonin me zë të lartë lajmet e ditës. Jeniçerët, të cilët ishin anëtarë të një njësie elite të ushtrisë osmane, planifikonin protesta kundër Sulltanit. Zyrtarët bisedonin për mashtrimet. Tregtarët shkëmbenin thashethemet për luftë. Ata që nuk dinin shkrim dhe lexim vetëm dëgjonin. Në kafene, ata mësuan për idetë që i sollën telashe shtetit osman: rebelime, vetëvendosje dhe dobësim të shtresës së fuqishme.

Nuk kaloi shumë kohë dhe autoritetet filluan t’i cilësojnë kafenetë si kërcënim. Disa sulltanë dërgonin spiunë në kafene për ta matur opinionin e popullit. Të tjerët, si Murati i Katërt, i cili ka sunduar gjatë shekullit të tetëmbëdhjetë, u përpoqën që t’i mbyllin krejtësisht ato. Megjithatë, kafenetë ishin shumë fitimprurëse.

Kur lëvizjet nacionaliste arritën kulmin në tokat e Perandorisë Osmane në shekullin e nëntëmbëdhjetë, popullariteti i kafeneve u rrit shumë. Grupet etnike në rajonet evropiane të perandorisë, të cilat ishin të banuara me shumicë ortodokse, filluan të kërkonin pavarësi. Udhëheqësit nacionalistë i planifikuan taktikat e tyre dhe i forcuan aleancat në kafenetë e Selanikut, Sofjes dhe Beogradit.

Përpjekjet e tyre, të përforcuara nga kafeina, u treguan të suksesshme me themelimin e Greqisë së pavarur në vitin 1821, Serbisë së pavarur në vitin 1835 dhe Bullgarisë së pavarur në vitin 1878. Kështu, pushteti i kafesë mori fund, shkruan “The Economist”, transmeton Gazeta Express./Përktheu: Nasuf Abdyli/