Dashnorja e shekujve

“Shkodra ka plot dashuri”. Por, këtu dashuria nuk është veç një fjalë. Është frymë që i jep shpirt një qyteti që rënia s’e mund, sepse i vjen ringjallja – nga njerëzit e ditur e të guximshëm…

ËNDRRAT DHE PUSHTIMI

Shkodra është qytet ku të çojnë ëndrrat. Mund të jetë qytet i shëmtuar me një natyrë të bukur. Mund të jetë qytet i vuajtjeve që s’iu ndanë. Por, nuk mund të harrohet.

Sepse, toka e lakmuar nga çdo pushtues, të bën për vete. Pushtimi nis brenda Shkodre. Nga njerëzit, pra…

“Përherë shoh ëndrra se jam këtu”, thotë Alban Gjata, një zotëri që një pjesë të fëmijërisë e ka kaluar në këtë qytet, ku edhe ka diplomuar për Mësuesi në Universitetin “Luigj Gurakuqi”. Ai ka mbaruar edhe arkitekturën në Itali, e sot punon në një nga institucionet më të rëndësishme shkencore italiane. Teksa ecën rrugëve që kanë ruajtur tiparet origjinale, Albani ka dëshirë të citojë Pier Paolo Pazolinin që thoshte: “Varfëria i mbron monumentet e kulturës“. Ndoshta kjo thënie i ka hije edhe Shkodrës…

E, duke dëgjuar këtë citim prej gojës së Alban Gjatës, kalojmë në Lagjen e Gjuhadolit, të rindërtuar më së shumti pas vitit 1905, kur një tërmet shkatërrues goditi Shkodrën. Atëherë, pjesa e zgjuar dhe përparimtare e shkodranëve, angazhuan një nga shqiptarët më të veçantë në histori,

Kolë Idromenon (piktor, arkitekt, urbanist, fotograf, kompozitor…), të projektojë shtëpitë e reja. Idromeno u përcaktua të anashkalojë stilin e mëparshëm shkodran të shtëpive. Ai projektoi dy rrugë të gjata e të gjera, ku shtëpitë do të ishin të ngjitura me njëra-tjetrën e ku kati i parë do të shfrytëzohej si dyqan, me kopshte e oborre nga ana e mbrapme.

Në Gjuhadol, në rrugën që lidh Dugajtë e Reja me Kishën Katedrale të Shën Shtjefnit, vijnë e zbresin pingul rrugicat e Pistullorëve, Gurazezëve, Shenkollëve, Gurakuqëve, Fretënve, Murgeshave etj. Vetëm në rrugicën e Gurakuqëve kishin banuar – përveç Luigjit – edhe Ernest e Mikel Koliqi, e madje për njëfarë kohe edhe Bajram Curri.

Më vonë, në këtë rrugë e ndër këto rrugica kaluan banorët më të rinj: Frederik Rreshpja, Kel Naraçi, Pjetër Gjini, Pjetër Meshkalla, Kolë Ashta, Tef Palushi, Gjon Shllaku, Rozar Dodmasej, Filip Daija, Zef Zorba, Pjetër Gaci, Paulin Selimi, Primo Shllaku… Kjo rrugë kishte më shumë intelektualë se rajone të tëra shqiptare. Sikur të shënoheshin emrat e tyre nëpër pllakat e gurta të kësaj rruge, njerëzit do të ecnin të gjithë kryeulët. Kjo ishte, “Republika” e Gjuhadolit!

Nexho Shabani, me mikun e tij, humoristin tashmë të ndjerë Paulin Selimi, kanë shkruar 16,000 vargje humoristike më 1997 – aq sa ka vargje Iliada “e” Homerit

Në Gjuhadol ndihet mirë edhe skulptori Alfred Kedhi, që me vite të tëra jeton dhe vepron në Itali. Kedhin mbase e kthejnë ëndrrat në Durrësin e tij, apo te veprat që la nëpër Shqipëri, që nga “Gjelat mbi pus” (1987). Por, në Shkodër kërkon diçka tjetër: humorin! Për këtë “përgatitet” me fletore, që “të mbajë shënime”. Mirëpo, e qeshura rrezaton edhe nga ai. Mjafton ta kujtojë Nexho Shabanin – të fundit të humorit tipik shkodran, se si e do “vendlindjen” – për t’i ngjallë dhuntitë e heshtura.

MITI I SAKRIFICËS…

Shkodra është një ndër qytetet më të lashta në Evropë. Që në antikitet ishte qendër e rëndësishme e labeatëve, me në krye Gencin. Lashtësinë e qytetit e dëshmon Kështjella e Rozafës. Me kështjellën lidhet një mit që pavetëdijshëm mban peng shqiptarët edhe sot.

Sipas legjendës, tre vëllezër të martuar ndërtonin një kështjellë. Çka ndërtonin ditën, prishej natën.

Një ditë, një plak u thotë ta lidhin besën dhe të mos ia thonë kujt këtë “plan”: ajo nuse që nesër do t’ua sjell ushqimin, ajo duhet të muroset e gjallë në kështjellë. Dy vëllezërit e mëdhenj paralajmërojnë gratë, ndërsa e vogla, Rozafa, bie në grackë nga burri naiv: muroset. Jashtë thuhet se kërkoi t’i mbetet njëri gji, që t’i japë qumësht të birit që la jetim. Kështu, ajo i dha jetë një qyteti, një historie…!

Por, Rozafa u tradhtua dhe tradhtia e meskinëve dhe cytja në sakrificë e naivëve do t’i ndjekë shqiptarët përherë. Ajo në fakt u vra, por siç do të thoshte Gjekë Marinaj i Malësisë së Shkodrës, në poezinë e tij “Rrëfimi i Rozafës” – një si shpjegim i tendencës gjenetike shqiptare për të fshehur të vërtetën që dhemb:

“Nën pretekstin se të gjithë patën të drejtë/ edhe unë murosa brenda vetes fjalën ‘vrasje’”! Ndërsa, i persekutuari nga regjimi komunist, Frederik Rreshpja, në poezinë “Kthim në vendlindje” – duke zbërthyer edhe realitetin e hidhur të krijuar nga e keqja e shqiptarit – thoshte: “Ja u ktheva përsëri në Shkodrën e mbretërve/ ngritur gurë-gurë/ mbi supet lakuriq të një gruaje/ nga vëllezërit tradhtarë”!

Triada, sipas koncepteve të pitagorianëve të antikitetit – të mbështetësve të koncepteve filozofike dhe matematikore të Pitagorës – kishte të bënte me urtësinë, besimin, maturinë, miqësinë, paqen dhe harmoninë.

Por, aktorja Julinda Emiri, që në Shkodër punonte në shfaqjen “Jashtë derës”, pasi hasi në tre punëtorë që bënin restaurime në Kala, qëndroi në distancë. Sepse, shqiptarët i “rrëzojnë” rregullat e Pitagorës! Në mitin e murosjes me tradhti, nuk ka tre-unitet (trinitet). Kështjella si gërmadhë, ndoshta është dëshmi e kësaj.

Më 168 p.e.s., romakët ngadhënjyen mbi ilirët dhe e pushtuan Shkodrën. Më vonë pushtimi bartet te Bizanti, perandori kjo e cila lejoi dyndjen e sllavëve në rajon, që në shekullin VII. Vendi do të pushtohej më 997

nga Samueli i bullgarëve e në shekullin XI nga Jovan Vladimiri i Duklës, nga Bodi francez e nga Nemanjiqët e Zetës. Në shekullin XIV qyteti kthehet nën sundimin e Balshajve, e më 1396 nën Venedikun që rindërtoi Kështjellën. Në atë kohë në qytet zbatohej ligji civil i njohur si Statutet e Shkodrës.

Më 1453 bie Konstantinopoja, e më 1479 Sulltan Mehmedi i II-të pushton edhe Shkodrën. Për 434 vjet qyteti do të jetë nën sundimin otoman. Mirëpo, derisa otomanët Kishës Ortodokse ia dhanë fuqinë e miletit autonom, e njëjta nuk vlente për Kishën Katolike. Kishat katolike u shkatërruan ose u shndërruan në xhami.

SHEKULLI I RINGJALLJES

Pas pushtimit të Shkodrës, pjesa e pasur e popullatës mësynë Italinë. Një pjesë e shtresës së mesme zuri vend diku kah Dalmacia e sotme, deri në Xarë (Zarë). Ndërsa, pjesa më e varfër u tërhoq e u izolua nëpër male. Kështu, qyteti njëherë pothuajse i braktisur e i rrënuar, nisi të dominohej nga besimtarët islamë. Duhet cekur se katolikët s’i kishin të drejtat e barabarta me të tjerët, madje meshat i mbanin nën qiellin e hapur.

Gjërat nisën të ndryshojnë nga viti 1720 (në Shkodër atëherë ishin shtatë selitë e konsullatave të Fuqive të Mëdha të Evropës), kur nga malet në qytet u rikthyen banorët e krishterë. Atëherë ndodh një “paradoks”: katolikët vendosen në anën lindore (në tokat e lëna, të varfra e të thata) e myslimanët ishin në anën perëndimore të qytetit, bri ujërave të liqenit.

Në atë kohë – pas betejës së vitit 1577 e fitores së shqiptarëve kundër turqve – Shkodra kishte të drejtën të qeverisej nga vendasit, që e bënë qytetin të ketë fuqinë më të madhe ushtarake në rajon. Por, shndërrimi i qytetit në vatër të dijes e kulturës shqiptare, do të ndodhë tek në shekullin XIX.

Përmes Kultusprotektoratit, Perandoria Austro-Hungareze merr përsipër mbrojtjen e katolikëve të veriut të Shqipërisë. Kështu, më 1861 hapet shkolla françeskane e Shkodrës, ku për herë të parë gjuhë bazë ishte shqipja (kjo shkollë vuri themelet

e shkollave të mëvonshme publike në trojet shqiptare). Po ashtu, jezuitët më 1877 hapën Kolegjën Saveriane. Ndërsa, një vit më vonë, Motrat Stigmatine hapën shkollën për edukimin e vajzave.

Meritë tjetër e françeskanëve është se dhanë kontribut edhe në rilindjen kombëtare, duke studiuar gjuhën, eposin, kanunin dhe përrallat shqiptare. Në anën tjetër, jezuitët që kishin ideologji më kozmopolite, pra përtej kombit, sollën në qytet vlerat e botës, si p.sh. teatrot, muzikën, futbollin, shkencat etj.

Aq shumë zhvillohet kultura sa që qyteti do të ketë shpejt shtatë skena teatri. Duhet theksuar se në shkollat e sipërpërmendura fëmijët i dërgonin edhe shqiptarët myslimanë. Në Shkodër p.sh. u shkollua Faik Konica, Qemal e Veli Stafa nga Elbasani, Muzafer e Arshi Pipa nga Libohova, e shumë nga Vrionasit e njohur të Beratit e të Fierit.

Shperndaje ketë postim:

spot_imgspot_img

- PUBLICITET -

Aktualitet

Te tjera
LAJME

NJË TJETËR ATRAKSION, SË SHPEJTI ZIP LINE NË THETH

Një risi që i shtohet Alpeve të Shqipërisë është...

Kalaja e Shkodrës, më shumë vizitorë se Butrinti

Viti i fundit rezultoi të jetë një periudhë shumë...

Dy shenjat e horoskopit që do t’i kthejnë gjërat ashtu siç duan ata

Me Hënën te Peshqit dita fillon e qetë dhe...