Nga Kujtim Xhaja

Sot, do të shkruaj mbi besimin, mbi atë ndjesi, e cila nuk preket, e mbi të gjitha nuk kërkon të provohet, thjesht besohet, ndihet së brendshmi… tragjedia e fundit e ndodhur në dy xhamitë në Zelandën e

Re, më tronditi pa masë dhe më bëri të reflektoi thellë për ditë të tëra… Kjo histori që do tregoj më ka bërë të kuptoj shumë mbi një realitet të ri dhe krejt të panjohur nga unë, po ua dëftej:
Në një ditë të zakonshme pune, një mike e imja më bën një ftesë për të shkuar bashkë me të në kishë.

Unë, nuk e mbaj veten për ndonjë besimtar të madh e të devotshëm, apo praktikant të ndonjë feje në veçanti…

Më pëlqen të lexoj përgjithësisht mbi fetë, besimet, praktikat, historitë dhe librat e shenjtë. Madje, në shtëpinë time mund të gjesh Biblën, e shumë libra të tjerë të spiritualistëve indianë. Shpesh herë, kur e gjej një copë kohe të lirë preferoj të “kridhem” kokë e këmbë në atë botë e të hallakatem nëpër dorëshkrimet e shenjta.

Për mua besimi dhe feja janë një mënyrë jetese, një filozofi ndryshe e konceptuarit të gjërave , ndaj përpiqem të respektoj çdo njeri i cili ka një bindje ndryshe nga unë…
E pranova direkt ftesën, pa e menduar dy herë…

Kisha kureshtje të dija, të mësoja më shumë sesi funksiononin këto institucione fetare, e aq më tepër që ftesa ishte për një kishë ungjillore.

Me të mbaruar punën u nisëm direkt për atje…
Në mendjen time më ishte krijuar ai perceptimi i kishës klasike, i meshave të fohta, demode, ndonjëherë me ato ritualet e mërzitshme, të cilat i kisha parë rëndom nëpër filma, apo lexuar nëpër libra.

Vendi ishte mjaft i thjeshtë për t’u gjetur, në një zonë afër qendrës së Tiranës. Futemi brenda… Ambienti është komod dhe mjaft miqësor. Unë isha një “prurje e re” në atë komunitet, i cili më priti menjëherë krahëhapur dhe po ndihesha paksa i tepërt… pastaj mendova me vete: “Në sytë e Zotit asnjë s’duhet të jetë i tepërt…”.

Me sa vura re aty i pari ishte krijuar një komunitet i mirëfilltë. Syri më cekte njerëz nga të gjitha moshat, të cilët nuk i njihja, por ata ishin përherë të gatshëm të të përshëndesnin, të pyesnin si ishe, nga ishe etj. Fytyra të buzëqeshura, plot mirësjellje, të dashura dhe empatike. Unë nga ana tjetër qëndroja paksa i ftohtë, i tërhequr.

Më dukej ndonjëherë e tepërt kaq mirësjellje nga ana e tyre…

Kisha afërsisht 20 vite të mira që nuk kisha shkelur në ndonjë institucion fetar, e kam fjalën të prekja nga afër këtë realitet, të shihja njerëzit si ndërvepronin në atë komunitet, rregullat, normat, ritualet e tyre. Thjesht isha mjaftuar me ndonjë vizitë të cektë, sipërfaqësore dhe të shpejte të ndonjë shtëpie kulti. Asnjëherë nuk e kam lidhur besimin me praktikat,

vizitat, madje jam katërcipërisht kundër me flijimet që bëhen në emër të Perëndisë, për mua besimi është një marrëdhënie intime që krijon çdokush me krijuesin, ai duhet të vijë së brendshmi, ashtu siç vjen edhe dashuria, e cila nuk ka nevojë të shpjegohet, të gjykohet, apo të provohet. Ndaj ka qenë përherë kjo shtysë, e cila më ka mbajtur larg këtyre ambienteve.

E ky komunitet i ri po më ballafaqonte me një tjetër përqasje. Ata ishin bërë një familje e madhe, e njihnin njëri-tjetrin me emër dhe mbiemër, e dinin mjaft mirë pozitën shoqërore të gjithësecilit dhe qanin sëbashku hallet dhe poblemet e tyre. Ndiqja me sy mikeshën time, e cila bisedonte me të gjithë.

Kush i fliste, një tjetër e përqafonte, të tjerë i shtrëngonin duart me ngrohtësi. Tashmë kish ardhur koha e këngëve. Përballë nesh u rreshtuan dy gra të reja dhe një burrë me instrument. Nën drejtimin e tyre, të gjithë së bashku në turmë kënduam disa këngë për Zotin, shpresën, dashurinë. Ishte tamam si një karaoke e këndshme…

Shihja me vëmendje mikeshën në të majtën time, e cila dukej sikur i kish mësuar përmendsh këto tekste këngësh dhe i këndonte ato plot hare dhe gëzim.

Mua më dukej vetja si ai nxënësi, i cili nuk e kish përvetësuar mirë mësimin e ditës dhe këndonte në tym pas turmës (por me gjithë atë entuziazëm që ish aty, e vështirë ishte t’i binte njeriu në sy ky detaj). Minutat fluturuan, tani më kish ardhur çasti, ku një nga predikuesit do të ligjëronte mbi një temë të caktuar.

Atë ditë u fol për besimin. Si fillim shihja çdo gjë me skepticizëm të ftohtë, por më vonë më tërhoqën disa argumente që parashtroi predikuesi.

E di çfarë më pëlqeu më shumë? Këtu çdo gjë ishte e hapur, kishe të drejtë të flisje, të replikoje, të diskutoje mbi një parim, koncept, që nuk e mendoje ashtu. Të gjithë ishin sy e vesh…

Orët ikën si pa kuptuar dhe në fund të asaj mbledhjeje bëheshin planet, llogaritë e javës, njësoj si në një familje,

ku diskutohen mbi buxhetin, problemet e një mijë gjëra të tjera. Përballë në monitor na u shfaq një listë e gjatë emrash të antarëve të komunitetit. Aty ishin vendosur të gjithë ata, të cilët kishin probleme të dukshme shëndetësore apo financiare. Në këtë rast të gjithë të pranishmit ndërgjegjësoheshin

dhe secili ndihmonte me ç’të kishte mundësi. Transparenca ishte e plotë. Aty, përpara syve të mi pashë një komunitet, i cili shqetësohej për njeri-tjetrin, madje diskutohej për ty edhe kur ti nuk ishe prezent, nëlloj siç ndodh në familje.

Më tronditi historia e një zotërie 80-vjeçar, i cili m’u afrua afër dhe më rrëfeu jetën e tij. Kishte vite që ishte diagnostikuar me një sëmundje të rëndë, jetonte i vetëm fillikat, bashkëshortja ishte larguar nga jeta kohë më parë. Ai kish punuar si mjek dhe tashmë ishte bërë mjeku i vetvetes.

Vinte përherë në atë kishë ungjillore, e cila i jepte një dritë shprese ditëve të tij të vetmuara. Ishte një njeri plot energji, sytë ishin plot jetë dhe fliste me një devotshmëri të lartë.

Kjo ishte dita ime në atë komunitet, u largova dhe me vete mendoja.

Nuk arrija dot ta besoja, sesi në një vend aq të vogël të Tiranës do të gjendej një grupim i tillë njerëzish, i cili të bëntë të ndiheshe aq i vogël me gjithë atë mirësi, dashuri të treguar për njëri-tjetrin. E gjithë kjo ishte e vërtetë dhe ishte e mundur, sepse ata besonin…

Ika dhe në mendje më mbetën fjalët e atij plaku babaxhan: “Njeriu duhet të jetojë me besim dhe dashuri, s’ka rëndësi në çfarë beson, apo dashuron…

Kjo jetë na ndau në të pasur dhe të varfër… Kështu është gatuar kjo botë. Të pasurit i mbushin xhepat e tyre me lek, të varfërit me shpresë…”.