Administrata nuk do të shtrojë më darka në fund të vitit me paratë e buxhetit. Është ky vendimi që ka marrë Agjencia e Prokurimit Publik, që mbështetet nga ekspertët. Këta të fundit ngrenë edhe shqetësimin e ditëve të shumta të pushimit për punonjësit e shtetit.

Institucionet nuk do të shtrojnë dreka me paratë e qytetarëve për fundvit. Ky është vendimi i Agjencisë së Prokurimeve Publike. Ekspertët e vlerësojnë të drejtë nismën, pasi sipas tyre, e tepërt janë edhe ditët e shumta të pushimit.

Sipas Albert Gajo, ekspert për ekonominë, “duhet të ndryshojë mentaliteti , administrata dhe funksionarët publikë janë në shërbim të popullit dhe nuk mund të punojnë ose mos punojnë sa herë i lind nevoja për dite shtesë për shkak të kalendarit të festave”.

Sipas kalendarit zyrtar, një punonjës i administratës ka bërë pushim këtë vit plot 18 ditë vetëm nga festat fetare dhe ditët kombëtare. Së bashku me fundjavat dhe lejet vjetore, administrata pushon plot 5 muaj në vit.