Paulin Preka, “Humori i vërtetë ta bën jetën më të bukur!..”

“Rrugës shumë vetë më thërrasin: Gjosho, Zef, Gëzim… duke më ngatërruar me kolegët e mi të Estradës. Unë, gjithnjë, them: “Po të më ikë Estrada, ku do të shkoj unë? Është një lidhje e pazgjidhshme…

Sa për kujtime, ato janë pafund. Ne, aktorët e Estradës, brenda një premiere luajmë disa role. Duhet të shkosh shpejt në dhomë, të ndërrohesh e, të bëhesh, tani, si fshatar, pastaj si polic e kështu me radhë, e më radhë…”

(Bisedë e zhvilluar rreth 30 vjet më parë me Artistin e Merituar, Paulin Preka.)

1.Shënime vitesh…

Paulin Prekë Gjergj (Preka). Emri i babës Prekë, i nënës Marije. U lind në Shkodër më, 02.02.1935, në lagjen “1 Maj” (Arra e Madhe). I ati punoi për 30 vjet punonjës me karrocë pastrimi (plehrash). Siç shprehet Paulini:

“Në shtëpi binte vetëm bukën e gojës. Shpesh herë as atë. Me lekët që fitonte baba, ishte e vështirë të jetonin 6 vetë në familjen time, siç ishim ne. Në kohë vere, nana punote aty – këtu ndër pronarë tokash,

tuj korrë grurë ose tuj shitë edhe bar. Ndërsa unë në vitin (1951-1953, mekanik) kam fillue punën në Tisazh. Më vonë kam punue në N.SH.G (1953-1954, marangoz).

Pasi kreva ushtrinë nisa punën në Kombinatin e Drurit (16.02.1956 – 16.07.1958, përsëri marangoz).

Gjatë viteve si punëtor i klasës punëtore kam realizue disa role në grupet diletante dhe në shfaqjet që jepte Shtëpia e Kulturës së qytetit tonë. Në korrik të vitit 1958 (për humor: Më thanë “të trokisja” në dyert e teatrit “Migjeni”…)

Në korrik të vitit 1958 nisa jetën time artistike si profesionist… Në një shënim të gjetur, e që mban dt. 01.12. 1965, Drejtori i atëhershëm i teatrit V. Çanga thoshte për Paulinin kështu: “Asht aktor inteligjent, i shkathët e dinamik.

Ka krijue figura të bukra te “Gjyqtarët e ujqëve”, “Këneta”, “Histori irkutase”, “Mësuesja”, “Bileta e llotarisë”. Është në mbarim të shkollës së mesme.

Më tepër asht aktor i planeve komike, prandaj Drejtoria në kohët e fundit e ka propozue me e kalue si aktor të teatrit së Estradës.”

2.Përsëri shënime vitesh…

Paulini e filloi jetën artistike, fillimisht, si aktor drame, por më pas si aktor estrade, duke shpalosur një profil artistik origjinal prej më se katër dekadash karrierë. Këtë rrugë të gjatë, Prof.

Josif Papagjani e ka formuluar në këtë mënyrë: “Aktrimi i tij spikati posaçërisht në mishërimin e personazheve pozitivë, ku ai ishte i hijshëm, i natyrshëm dhe fin në skenë. Kishte një zë paksa të ngjyruar, por të mëvetësishëm.

Krijoi një galeri figurash, kryesisht njerëz të mençur, ironik, thumbues, që dinë të tallen dhe të shpotisin plot lezet të tjerët, me një “seriozitet” të madh në dukje, çka krijon pikërisht kontrapunktin komik.

Në aktrimin e Paulin Prekës bie në sy pozita aktive e personazhit, si dhe një sjellje sa më pranë të vërtetës jetësore, duke shfrytëzuar me zgjuarsi situatën komike të krijuar.” (Papagjoni, Josif: Teatri i Shkodrës; Shkodër 2009; Zëri: PREKA, Paulin (1935 – ), f. 100-101.)

3.Paulini, aktor drame dhe humori…

Paulini, në rrugën e tij artistike që zhvilloi, u dha pas dy zhanreve skenike: *teatrit të dramës e të komedisë dhe *atij të humorit.

Respektivisht rreth 8 vite në shfaqje dramatike (edhe në komedi me një a disa akte) dhe 37 vite në premierat e estradës (skeçe, monologë, dialogë, parodi, kuplete, pantomima, grimca humoristike, etj.).

Duke gjurmuar nëpër vite për fillesat e Paulinit, gjejmë se, ai interpretoi përkrah aktorëve me emër, si: Tinka Kurti, Roza Xhuxha, Preng Lëkunda, etj.

Shumë spektatorë shkodranë, tashmë të bërë pleq, me siguri, kujtojnë rolet e tij në: “Një tragjedi optimiste”, “Dy binjakët venecianë”, “Bileta e llotarisë”, “Shoku Niqifor”, etj. Gjithashtu interpretimi i tij solli freski e origjinalitet edhe në kinokomeditë “Çifti i lumtur” dhe “Pak fresk sonte!..”

Gjithashtu, duke gjurmuar nëpër vite për fillesat e Paulinit (kësaj radhe në estradë), gjejmë se, ai për herë të parë shkroi skeçin “Bacë Byreku”. Personazhet e këtij skeçi u interpretuan nga aktorët e talentuar:

Tano Banushi, Zyliha Miloti e Jolanda Shala. Ndërsa Paulini personazhet e tij do t’i ‘arkivojë’ në skeçet: “Daja i burrit”, “Dhëndrri nga Amerika”, “Fotografi”, “Toka jonë”,

“Kunati i shokut Xhemal”, “Truall i zënë”, “Kola i dritave”, “Familja A – Familja B”, “Dasma e Refikut”, “Mini e Minusha”, etj.

Veçanërisht, pas viteve ’90 janë një sërë premierash, që libretet e tyre kanë firmën e Paulin Prekës.

Mund të përmendim: “Të shtunat gazmore” në (RTSH, viti 1994), ku spikasin materialet: “Ndihma humane”, “Licensa”, “Krapi”, “Kena harru babën”, “Urgjenca”, “Pikniku 1977 e 1997”, “Eksodi”, “Udhëtim me autobus”, etj.

Paulini, gjatë viteve 1997 – 1998, e pasuroi repertorin e tij, duke u marrë (shkruar) edhe me vargje humoristike (parapëlqente poemën), subjektet që ia falte realiteti i përditshëm, shpesh tragjik,

gjë që ia brengosnin zemrën e shpirtin autorit – aktor Preka teksa i recitonte. Nuk mund të harrohen lehtë: “Një letër mikut tim”, “Prostitutës”, “Tomasit”, “Shkodërloces”, “Zotni”, “Andër grash”, “Pensioni”, etj.

Këto krijime të ruajtura nga familja, shumë herë u trasnsmetuan fillimisht te Radio Klan, e më vonë në Radio Shkodra.

4.Përsëri e përsëri në gjurmët e viteve…

Fëmijëria e tij, çuditërisht, “trokiti” në portën e teatrit. Po si? Ja, me një grup fëmijësh, si fillim, në mjediset e Don Boskos. Ishte viti 1943. Luan në pjesën “Borëbardha e shtatë xhuxhmaxhuxhët”. Në atë grup fëmijësh, bënte shenjë Paulini; ishte më i talentuari.

Më vonë, si shumë aktorë, që më pas do t’i ketë kolegë, jep kontributin në grupet artistike të Ndërmarrjeve (që i përmendëm më lart), e në Estradën e Ushtarit. Në këtë të fundit, ashtu si Zef Deda, shfaqet si aktor i veçantë, me një diapason të gjerë në profilin komik.

Pa dashur të themi “ndërroi rrugë” në portën e teatrit “Migjeni” trokiti prej së vërteti, si aktor i dramës. Dhe në biografinë artistike shënohen: ‘roli i Murrashit në dramën “Toka jonë” të K. Jakovës,

i biri i pashës te “Shtatë shaljanët”; personazhin kryesor Selmanin te “Kunora e Nurijes”, oficerin te “Tragjedia optimiste”, Aureklini te “Dy binjakët venecianë”, te “Fejesë e ngatërresë” të S.Vaqarrit, etj. S’mund të harrohet figura e Rudikut te “Histori Irkutase”.

Aktori Preka shpalos talentin e tij duke krijuar një figurë interesante, që të mbetet në mendje. Në vetvete, personazhi, Rudiku mbart një dramë. Drama e tij është e lidhur me ardhjen e një mandati të zi për gjëmën që kishte ndodhur.

Rudiku-Paulin hyn në skenë, zë një qoshe, nis një monolog që zbërthen mjeshtërisht pozicionin e vështirë dhe gjendjen dramatike që po kalon.

Përjetimi, drithërima e ndjenjave, janë elemente të vizatimit skenik të lojës së Prekës në zbërthimin e karakterit të Rudikut.

Të gjitha tipat e karakteret që krijoi më pas, gjatë viteve të jetës artistike pranë Estradës profesioniste të qytetit,

aktori Preka i “mbushi” dhe i “qëndisi” me humorin e tij natyral, pa zhigla e pa sforcime; gjithëherë i përligjur. E qeshura e tij përjashtonte ngërdheshjen e shtrembërimin.

Në të gjitha rolet që “burojnë” nga të gjitha zhanret e humorit që i “preku” në brendësinë e tyre, në majanë e tyre është fillesa e një “mikrodrame”. Ky është “çelësi” i Paulinit, e qeshura e tij që na dhuroi pa kursim…

Në të gjitha gjinitë (përfshirë edhe komeditë) luajti dramën e personazhit komik. (“Edhe kur interpretohet halli i madh me vërtetësi, e qeshura buron natyrshëm dhe është e madhe” – kështu thoshte shpesh Paulini). Mendojmë që kjo është e veçanta e profilit të tij.

Pak koment. Figurat që na dhuroi te skeçet: “Jepi, Mami!”, “Fotografi”, “Gjergj Mullaga në gjyq”, “Pezhishkat”, etj., do të mbahen mend gjatë. Janë këto figura që flasin për shumëplanshmërinë e tij. Kujtojmë “Jepi, Mami!”.

Luan figurën e një drejtori që, për të realizuar qëllimet e tij, nuk pyet për interesin e të tjerëve. Momenti kulmor i zbërthimit të figurës prej tij në këtë skeç, është atëhere kur Gëzim Kruja (aktor e interpretues në këtë skeç) vjen për t’i kërkuar dorën vajzës.

Edhe në marrëdhënie me të, kur skena duhet të jetë intime e familjare, Paulini vazhdon të luaj rolin e zyrtarit. Këtu fillon komikja. Këtu e qeshura e publikut shpërthen vrullshëm. Paulini u ka dhuruar humorin e vet, sa të natyrshëm aq të çuditshëm e befasues.

Kontrasti i realizuar mrekullisht, këtu, nga aktori, jo vetëm është i gjetur e domethënës, por arrin deri aty sa figurën ta ngrejë në nivelin e groteskut. Një gjë të tillë e shohim, gjithashtu, edhe në zgjuarsinë e humorin e Gjergjit në marrëdhënie me gjyqtarët te skeçi “Gjergj Mullaga në gjyq”, apo te kryetari i kooperativës te komedia “Mullari”.

Në këtë të fundit detaji i pistoletës në brez, vizualisht i jep ngjyra qesharake figurës së ndërtuar. Ky detaj kontrastues e mjaft i gjetur ndihmon për t’i dhënë më pas nuancat e kapadaillëkut, arrogancës, etj.,

që e konturojnë logjikshëm këtë personazh në botën e tij. Këto figura e të tjera që krijoi me talentin e tij aktori Paulin Preka, flasin për një shkëlqim të veçantë në skenë.

Gjatë një bisede me shkrimtarin humorist Paulin Selimi, pyetjes sime: “Çfarë i dha drama aktorit aktorit humorist Paulin Preka?” Ai u përgjigj në këtë mënyrë: “Një diksion të qartë, interpretimin me mendim dhe jo estradesk.

Paulini interpreton në mënyrë jetësore, duke i dhënë rëndësi çdo batute, fjale, etj. Ishte serioz në skenë. Nuk ka vulgarizma, nuk lëshon fjalë për hir të humorit. Drama i dha atë shkollë, që të vlerësojë çdo rol e të mishërojë talentin e tij në çdo personazh”.

Kurse pyetjes tjetër: “Një veçori e aktorit Paulin Preka është se në skenë del në mënyrë të vrullshme. Ky vrull e ndjek dhe në interpretim. Si e shpjegoni këtë?” Shkrimtari Selimi iu përgjigj: “Është energjik.

Nuk e merr rolin gradualisht, siç e marrin shumë aktorë të tjerë për ta rritur gjatë interpretimit. Ai ka një zjarr të brendshëm. Shpërthen si raketë qysh në momentin e pare, sapo fut këmbët në skenë. Ju kujtohet figura e Tuç Makut?..

Shpërthen qysh në fillim me impulsivitet. Figurës, që në fillim kërkon t’i krijojë një kulm. Dhe këto synime të tij ai i ka arritur me dritën e mrekullueshme që ka hedhur skenë.”

Rastësia është e çuditshme nganjëherë!.. Aktorët Bep Shiroka dhe Paulin Preka, rastësia jo vetëm i bëri shokë të ngushtë, por i futi në rrugën e të njëjtës karrierë, dhe pothuajse me një biografi të pasur artistike vitesh.

Dhe Bepi më thotë: “Më duket çudi. Kemi hyrë të rinj në teatër, por aty kemi gjetur aktorë të vjetër. Vitet si pakuptuar ikën një nga një. U zbardhëm, u bëmë të vjetër edhe ne. Të tjerë do të vijnë pas… Por do të mbeten kujtimet dhe duartrokitjet e spektatorëve…

Dhe nuk e di se si… po në korridore, prapa kuintave, në skenë po se po, në dhomën e studios, duke ngjitur shkallët… sikur na dalin personazhet përpara dhe na përshëndesin. I përshëndesim me mirësjellje dhe kujtohemi…: ‘Filan dramë…, filan skenë…, filan vit…’. – Nuk jemi të harruar!.. Jetojmë!..”

5. Rrëfimi i Mojsit…

Para një muaji i kërkova Mojsit, djalit të Paulinit dhe mik i adoleshencës sime, të më sillte sadopak një rrëfim… Mojsi me shumë dashamirësi m’i solli shënimet e tij, që dua t’i përcjell, po me shumë dashamirësi…

“Aktualisht familja Gjergji jeton në qytetin e Bisheljes, provincë e Barit (Itali) që nga viti 1992. Është një vend bregdetar me pasuri natyrore: mermeri dhe ullinjtë.

Eh, për babën!… Kanë kaluar shumë vite!.. Është interesante t’u them se në shumë dokumente (edhe ato më të rëndësishmet) baba mban mbiemrin ‘Gjergji’.

Më pas… mbase kjo është e lidhur me traditë dhe thirrje të opinionit të përditshëm shkodran, siç ishte ajo me e thirrë në emër të babës. Kështu: Paulini i Prekës i mbeti Paulin Preka.

Tani baba, në vitin 2017, hyn në 82-vjetorin e tij të lindjes. E, mosha… ka të tjera “pretendime”… Po ju njoh me një ritual të përditshëm. Zakonisht, aty rreth orës 8.00 të mëngjesit,

vjen me nxitim, si një pëllumb, me britmat e gazmoret e tij nipi më i vogël 2-vjeçar, dhe ia largon me “forcë” e “vendosmëri” jorganin gjyshit. E “zblon”, dhe këtë “fitore” e shoqëron me të qeshura sa edhe vetë dielli rrezeartë ndihet ziliqar. I bën zgjimin!

Po diçka rreth kësaj ore a paksa ma vonë, Paulini me të shoqen krah për krah bëjnë daljen e tyre të përditshme. Pinë kafenë e mëngjesit në lokalin-bar që kanë më të afërt nën këngën e përjetshme të dallgëve të kaltra të detit.

Baba, teksa humb vështrimin diku…, thellë në horizont; si nën zë e më pas me zë të lehtë shpirti i këndon një jare shkodrane… E shpirti, përsëri nuk i pushon, këndon: “O moj e bukura More!..”

Një ditë, si çdo ditë babën nuk e lëmë “të mërzitet”. Vizitat e fëmijëve, të Mojsit, Idës, Sokolit, nipave e mbesave dhe anasjelltas të prindërve të shtrenjtë, janë çastet më të bukura, të hareshme e të papërsëritshme.

Në këto mbrëmje “gala” bisedën kryesore e zë Shkodra, me historitë gazmore, me anekdotat e barcoletat… e me gjithçka… “Jeton” Shkodërlocja!.. Sikur e “prekim” të gjithë! E, baba, ashtu fshehurazi e “prek” edhe me një lot në faqe…

Malli për qytetin ku lindi!.. Dhe kjo është arsyeja që ai shkroi shumë poezi. “Shkodra! – siç thotë baba, – është, ajo, toka e bekueme!” E në këtë mallim shkodran, një vend të veçantë zë teatri Migjeni,

kolegët me të cilët interpretoi nëpër vite, nostalgjia… e cila, përsëri siç thotë baba: “…asht e përhershme deri në fundin e jetës sime.”

Po i kthehem disa viteve, ndoshta, edhe “të harruem”. Viti 1957. Roli i parë te drama “Shtatë shaljanët”. Interpreton të birin e vezirit Ibrahim Pasha. (Me të qeshur) Shfaqja e parë, roli i parë, e në fund e “vrasin”.

Pas 8 vitesh aktor i dramës, kalon në trupën e estradës, një kapitull i gjatë, i vështirë, dhe që zë vend kryesor në jetën artistike të Paulinit. Po cila ishte polifotoja e tij? – mund të pyes më të drejt dikush.

Po i përgjigjem, se diku e kam lexuar: “Që nga viti 1957 deri në vitin 1997 që doli në pension, shfaqjet e dhanuna: mbi 160 herë në vit. Pra, çdo vit: mbi 160 herë…”.

Kam dëshirë, me modesti e them, spektaklin që i bëmë babës si dhuratë për 75-vjetorin e lindjes. U mblodhëm, ne fëmijët, e menduam gjerë e gjatë… dhe e realizuam në qytetin e lindjes, në atë skenë, ku ai me talentin e tij shumë ‘u sakrifiku’.

Ishte një kënaqësi e madhe e jona, një përpjekje e vogël për t’ia sjell edhe një herë ‘skenën’ babës që i mungon, spektatorin që e duartrokiti, dhe një emocion i bukur (vetëm ai e di)

takimi me kolegët që i kujton çdo ditë me mall… E pse jo… edhe për mua qe nji copë shumë e vogël e skenës, e cila ban pjesë e “jeton” si jetë në jetën time.
***
E kam njohur Paulinin në jetë dhe në skenë. Imazhi i tij qytetar dhe artist nuk më largohet lehtë. Ka përflakjen e agimit, të një agimi që sjell një ditë të mbarë dhe të bukur. Ditë fatlume! E unë e kam provuar këtë magji.

E shoh dhe e rishoh, gati si një trup (njëjtësuar) me të shoqen fisnike, ashtu ngadalë, me plot të qeshura teksa i drejtohen lokalit-bar për kafenë e mëngjesit. Dallgët zhurmojnë. U sjellin kujtime të pafund…

Shpirti i Paulin Prekës këndon një jare shkodrane të zëbilbilit Bik Ndoja. E kishte idhull. Ende e ka idhull. Këndon… por edhe nuk e harron…, e shpirti vazhdon të këndojë: “O moj e bukura More!..”

Dallgët vijnë, ashtu shtruar gjithë kaltërsi fantastike, i “vjedhin” zemrën dhe, i lënë një tufëz kujtimesh… Zemrën ia nisin si një mall i përvëluar drejt qytetit të tij të lindjes, në Shkodër, siç thotë Paulini:

“… në at’ tokë të bekueme që më ushqeu me artin e saj dhe më bëri ARTIST”.

Shperndaje ketë postim:

spot_imgspot_img

- PUBLICITET -

Aktualitet

Te tjera
LAJME

NJË TJETËR ATRAKSION, SË SHPEJTI ZIP LINE NË THETH

Një risi që i shtohet Alpeve të Shqipërisë është...

Kalaja e Shkodrës, më shumë vizitorë se Butrinti

Viti i fundit rezultoi të jetë një periudhë shumë...

Dy shenjat e horoskopit që do t’i kthejnë gjërat ashtu siç duan ata

Me Hënën te Peshqit dita fillon e qetë dhe...