Piktori Rakip Shabani këto ditë prezantohet për publikun me ekspozitën “Identitet”. Në Muzeun Historik Kombëtar ekspozita vjen me piktura vaji, akuareli dhe grafika me tematikë nga etnografia dhe arkeologjia e vendit tonë. Në hapjen e kësaj ekspozite morën pjesë artdashës të cilët vlerësuan punimet e artistit. Dekada me krijimtarinë, piktori Rakip Shabani tregon se kjo është ekspozita e 50 personale e çelur në vijim të aktivitetit të tij me pikturën. Ekspozita e piktorit Rakip Shabani përmban rreth 40 piktura me tematikë nga objekte të ndryshme të trashëgimisë sonë popullore të gërshetuara me kostume etnografike të trevave të ndryshme të Shqipërisë. Piktori tregon se për realizimin e punëve ka punuar për dy vite. “Në vijim të aktivitetit tim, ekspozita ka shumë rëndësi, sepse nuk ka komb pa identitet. Dhe është arti ai që flet për identitetin një kombi, për arsye se arti është ndjenjë dhe identitet. Të tjera ndjenja kemi ne, të tjera popujt e tjerë.

Nuk ka komb pa identitet, dhe nuk ka art pa identitet. Punimet janë vazot, shpellat vjetra, skulptura, mozaikët, gërshetuar me etnografinë kostumet popullore, xhubleta ilire deri në veshjet e sotme. Natyra dhe vetëm natyra është mësuesi i përhershëm i çdo gjëje. Janë dy vite punë dhe është ekspozita e 50 personale”, tregon piktori Shabani. Duke vijuar në fjalën e tij se identiteti ynë është gjithë kulturë, piktori tregon se artin nuk e kanë mundur pushtuesit ndër vite. “Identiteti ynë është gjithë kulturë, luftërat e mëdha që janë bërë, shumë luftëtar janë mundur, ndërsa artin tonë nuk e kanë mundur. Turqit e mundën Skënderbeun, ndërsa David Selenica dhe Onufri jetuan, edhe janë edhe sot me veprat e tyre. Kështu që identiteti ynë, si i çdo kombi është në art”, pohon piktori. Punimet e piktorit Shabani kanë shëtitur dhe janë, mirëpritur nëpër botë si në Angli, Amerikë, Argjentinë, Japoni, Greqi, Gjermani, Rumani, Bullgari, Itali, ku ka hapur ekspozita personale, brenda dhe jashtë shtetit. Piktori Shabani i ka rënë kryq e tërthor Shqipërisë, duke lëvizur nga jugu në veri, dhe duke hedhur në bllokun e tij të gjitha impresionet e mbresat nga çdo fshat e krahinë të vendit. Jo vetëm një njohës i mirë i artit, por edhe një shikues fare i thjeshtë konstaton në punimet e tij, në çdo telajo e tablo, njohuri të thella për historinë, etnografinë dhe filozofinë e kombit të tij.

Punimet në ekspozitë

Në ekspozitë sipas drejtorit të MHK dr. Dorian Koçi tërheqin vëmendjen objektet e muzeut, të cilat piktori Shabani me shije artistike i ka ndërthurur me kostume tradicionale popullore. “Ndër to mund të përmendim Mozaikun e Mesaplikut, Vulën dhe Përkrenaren e Gjergj Kastriotit Skënderbeut, skulptura antike etj”, tha dr. Koçi. Gjatë fjalës së tij piktori Ksenofon Dilo shprehet se Rakip Shabani në pikturat e tij ka dhënë shpirtin romantik. “Kur shohim punimet e tij me karakter popullor ne krenohemi me ndjenjën e brendshme të piktorit. Kjo ekspozitë ka vlera të veçanta. Arti është modern sepse përfaqëson shpirtin e artistit. Unë e kam pasur student dhe jam krenar që piktori Rakip Shabani ka arritur këtë ekspozitë kaq të përkryer”, pohon piktori Ksenofon Dilo. Për ekspozitën, piktorja Anila Kati u shpreh se identitetin shqiptar e shpreh në mënyrën më të mirë. “Rakipi ka qenë profesori im i parë. Kam ndjekur punën e tij dhe jam e mahnitur nga titulli që i ka vënë ekspozitës “Identitet” dhe unë identitenin shqiptar e shoh në tablotë e tij të cilën e shpreh në mënyrën më të mirë. E përgëzoj për punën e tij të palodhshme” u shpreh ajo. Ekspozita “Identitet” është çelur në hollin kryesor të Muzeut Historik Kombëtar edhe në kuadër të Ditës Kombëtare të Trashëgimisë.

Nga Julia Vrapi