Kleri katolik në Shkodër ishte baza e shenjestrës së komunsitëve që në orët e para të regjimit të Enver Hoxhës. Instruksionet për eliminimin e tyre kishin ardhur direkt nga Moska dhe Sigurimi i Shtetit merrte vazhdimisht direktiva nga krerët e partisë për forcën e goditjes ndaj klerikëve katolikë.

Pa eliminuar veprimtarinë e klerikëve katolikë në Shkodër nuk do të kemi mundësi veprimi në qytet, thuhet në dokumentin e mëposhtëm.

Dokumenti hartohet pas një mbledhje partie në këtë qytet, ku ishte planifikuar me kujdes sulmi, që do i bëhej kuvendit françeskan në Shkodër dhe gjithë klerikëve françeskanë. Në fillim të dokumentit thuhet se pas arrestimeve të para kishin marrë informata se në Kuvendin e Françeskanëve ishin grumbulluar “dokumenta të Marka Gjonit, të Papalilos, të Patër Antonit dhe të Patër Shllakut, përveç dokumentave të shumta historike dhe sendeve të tjera antike”.

Ndërsa citon hetimet nuk permend asgjë për “armët”, por më vonë thuhet se popullit do t’ia zbulojnë me filmime e fotografi depot e armëve që ishin fshehur në këtë kuvend. Shumë dëshmi e fakte historike e kanë zbuluar tashmë të vërtetën se e i gjithë “shou” i armëve në kishë kishte qenë i inskenuar nga Sigurimi i Shtetit. Por dokumenti që “Kujto.al” e sjell për lexuesit vërteton urdhrin dhe aksionin partiak për këtë goditje që i duhej bërë klerit katolik, si rruga e vetme për të shtënë në dorë Shkodrën.