“Kujtime prej Pazarit të Shkodrës dhe Bigjistenit”,

të nxjerruna prej ditarit të Prof. Simon Rrotës. (t’përgadituna prej Pjetër Logorecit) –

Si e kujton mjeshtri Simon Rrota Pazarin e vjetër të Shkodrës e Begjistenin?

Sistemi (ndarja) e rrugëve të pazarit të atëhershëm, ishte në këtë mënyrë:

…rruga fillonte në krye të pazarit, me zanatlijtë përkatës, e të parët ishin ARKAXHITË. Këta bajshin arka nusesh (në vend të bauleve), me ngjyra simbas modelit të arkave qi vijshin prej Venedikut.

Përveç arkave, bajshin ferraca, cakorka (vegël druni qi u rrotullonte, u sillte) qi përdorshin gratë për me mbështjellë fijet e mëndashit, të pambukut etj. Mbas këtyne DYFEKXHITE, qi riparojshin armë të ndryshme, e ndërmjet tyne, kishte edhe dugajë tjera të ndryshme.

Me tutje vijshin TEQELITE, qi shitshin pemë (fruta). Këta u dallojshin prej të tjerëve për mënyrën e paraqitjes bukur e me sistem të produkteve, e simbas stinës, u gjente çdo pemë në teqe (zona ku ishin vendosë pemëshitësit, ishte afër nji Teqje Bektashijsh, prandaj u thirrshin teqeli).

Vetë rasa i tërhiqte njerëzit kur kthejshin në qytet e nuk rrinte kush pa ble pemë për familje e veçanërisht për fëmij. Në vazhdim ishte VENDI I DRITHNAVE, vendi i elbnave (bereqetit – drithnave) si: drithë, grunë, elb, tërshanë, etj.

Shitja u bante me masat e peshimit qi u përdorshin atëherë: korriqe, babune, koshiq (të trija këto ishin enë druni të rrumbullakta me madhsi simbas llojit) gjithashtu edhe me barrë (thes – deng qi peshonte 100 okë). Këtu populli blente bereçetin (kokërr, ta pabluem), për vedi, ashtu edhe simitçitë (fjalë turke – furrtar) si të qytetit ashtu edhe të pazarit, blejshin me shumicë për nevojat e tyne.

Por ma e shumta e familjeve e gatujshin bukën në furrat e shtëpisë, pse e kishin për marrë (turp) me ble bukën te furrtarët. Mbasi të kalojshe elbnat, ma nalt ishin DJATHNAT E MIELLNAT. Aty ishte nji shesh i vogël e nën hijen e nji mandi të madh rrijshin hamallicat (gra qi jetojshin tue bajtë me pare, gjana të ndryshme, prej pazarit në qytet).

Njikohësisht në këtë vend shitesh mielli i grunit, kollomoqit (mistrit). Ma nalt u bante tregu i djathit, tlynit (gjalpit), vojit të ullinit, voeve (vezëve), pulave etj., gjanave ushqimore.

Në anën e djathtë, ishte SOKAKU I TALLAGANXHIVE, qi punojshin tallagana (veshje e trashë punue me lesh dhije, pa mangë, qi përdorej në dimen si pallto), shajak për tirqe (formë pantallonash të trasha, të bardha, të punueme me lesh delje, për dimen), gjurdija (nji farë jeleku – zhile, ngjyrë e zezë, e trashë, punue me lesh delje, pëlhure shumë e dendun e rrastë për dimen) të

gjithë këto artikuj ma të shumtën për malsorë e katundarë. Por bajshin edhe punë speciale për myslimanët e Shkodrës, pse tirqit ata i dojshin të përshtatshëm mbas dishirit të tyne.

Tue vazhdue gjatë rrugës të tallaganxhive, fillonte, pak ma nalt, SQELJA E PESHKUT, ku shitej peshk gjithëfarë sojit me shumicë e pakicë. Këtë gja e kishin zanatë Shirokasit (banorët e katundit Shirokë,

në breg të Liqenit të Shkodres, 5-6 km larg qytetit) qi e zejshin peshkun në liqen, me sasi të madhe, mbasi aso kohë, liqeni ishte krejt i joni, prandej kishim rasë të mirë me gjujtë peshk.

Tue u kthye prej sqelës, vijshin ZAGANJORËT, (banorë të katundit Zogaj, përtej Shiroket, po buzë liqenit) qi tregtojshin voj

e lëkura të ndryshme e përvec këtyne bajshin edhe këpucë të lehta të shkurta (pa qafë) bojë të zezë, qi aso kohe populli i përdorte shumë pse ishin të buta e të lehta, të vlefshme nëpër shtëpi.

Po aty, jo fort larg, ishte nji GJELLTORE (restorant) ku pasanikët edhe tjerë, dërgojshin shegertat me marrë gjellë për misditë. Por kishte edhe asish qi shkojshin aty me hangër, por ma të shumtit, ishin të huej. Për ato kohna, u paraqiste mirë, i pajisun me gjanat e nevojshme e me tavolina, baras si restorantet e sotëm; i zoti i këtij, ishte nji ortodoks qi i thojshin emnit Pllazho.

Përballë tij ishte HANI I ALI TIRANES, ku gjejshin strehë të gjithë ata qi vijshin nga Shqypnija e mesme dhe e jugut. Më shumë vijshin prej Krujet e Tiranet, qi bijshin me shitë voj, lëkura etj.

Fytyrat e disa prej tyne më bijnë në mend, ndër ta ishin Ymer Qosja, Guti, Hoc Muharremi etj. Këta tregtarë, mbasi shitshin mallin e vet, kur kthejshin në shtëpitë e tyne, blejshin beze, pambuk etj.

Tue u kthye prej zaganjorëve, vinte ndërtesa e madhe e BEGJISTENIT e ndërtueme prej Vezirit të Shkodrës (autoritet i naltë Turk). Thonë se pati thirrë pasanikët ma të mdhaj të pazarit qi u merrshin me tregti, tue i thanë se: me atë ndërtesë,

ai siguronte mallin e tyne tue vue katër pazvan (roje të armatosuna) natën në rasë rrezik zjarri si edhe kundër hajnave.

Ndërtesa kishte katër dyer të mëdha e të forta e të veshuna me pafta hekuri. Aty mbrendë ishte edhe KAFEXHIJA qi i shërbente vetëm atyne qi ishin në Begjisten dhe nuk kishte të drejtë me çue

kafe jashtë kësaj ndërtese ashtu sikurse edhe të tjerët (të jashtmit) nuk mujshin me çue kafe aty mbrendë, përveç tamlit (qumësht), në verë. Kështu ishte ligji (rregulli) caktue atëherë.

Kjo ndërtesë, ndër ato kohna, ishte vendi ma i pasun i pazarit; kush kalonte aty pari mbeste i mahnitun prej përshtypjeve të madhe qi i bante kjo ndertesë dhe fytyrat e ndryshme të tregtarëve. Sot Begjisteni, asht shkatrrue krejt e lanë mbas dore, ndërsa do të kishte kenë i vetmi monument kombëtar në Pazar të Shkodrës.

Tue dalë prej kësaj ndërtese, u hynte ne SOKAKUN E HAMZ AGËS, sokak ky mjaft i mbushun me dugajë tregtarësh mjaft të përmendun qi u merrshin me tregti të ndryshme e mbasi i kam njoftë të gjithë, po me kande (pëlqen) me i permendë.

Tue fillue nga qoshja: Mustafe Sadiku, Engjëll Çoba, Sali Sahatcija, Alush Spahija, Beqo Bekteshi, Gjon Ashiku, Nikolla Berovic, Lazer Kraja, Kolë Vogli, Kolë Zadrima, Alush Mati. Në anë të sokakut, fillonte Ndreke Kaculini, Dan Berberi, Januz Rrepishti, Sule Fani, Kolë Saraci, Halil Reci, Lan Mustafa, Pjeter Leka etj. Mbasi kalonte ky sokak, vinte

KULLUKHANJA, (ndërtesë e vogël ku rrijshin rojet e armatosuna, me ndrresa për natën e për ditën) si dhe RRUGA E KASAPVE, qi ishte mjaft e gjatë.

Në gjysë të saj, ishin KRYPNAT, ku magazet, ishin të mbushuna me krypë të bardhë e të zezë qi ia shitshin tregtarve të vegjël. Aty ishin edhe TERZITE (rrobaqepsat)

qi punojshin kostume kombtare për myslimanët, si: xhamadana (afërsisht si xhaketë por pa sumblla-pulla), jelekë (si formë zhile), xhybe (në formë pallto, jo fort e trashë, pa mangë e gjatë deri nder gjuj) etj.

Në vazhdim ishin edhe MAGAZET E MËDHA, pjesa aristokrate e pazarit (pasanikët), në të cilat u bante tregti me shumicë: me qinda denga përnjiherësh. Këto magaze, ishin të mbushuna me mallna jo vetëm poshtë, por edhe nalt. Qe disa emna të këtyne tregetarve; Parrucajt (katolik), Kolë Suma, Gjokë Naraci, Palokë Darragjati, Loro Zef Shiroka, Ndrekë Shiroka, etj.

Ky i fundit, aso kohe, ishte i vetmi qi shiste PAFTEN (pelhurë) speciale për branavekët (fjalë qi rrjedhë prej italishtes: branghe venete), ngjyrë vjola të mbylltë dhe të zezë qi perdorshin gratë katolike e, përvec këtij askush tjetër nuk mund ta shiste.

Nji karakteristike tjetër e pazarit ishte edhe TRUMA ( pompë uji, me bisht e santuf me shollë – lekurë të trashë, qi manovrohej me dorë) e kujxhive (argjendar, fjalë turke), jo pse kishte formë ndryshe prej të tjerave, por vetëm për ujin e mirë qi kishte, në mbarë pazarin.

Aq i kishte dalë nami (fama) sa edhe prej sokaqeve ma të largëta të pazarit, vijshin shegertët (djelm të ri shërbyesa të tregtarve e dugajxhive qi i përdorshin

për çdo lloj pune), me marrë ujë për zotnitë e tyne, pse uji i trumave tjera a i pusave, nuk ishte aq i mirë.

Shperndaje ketë postim:

spot_imgspot_img

- PUBLICITET -

Aktualitet

Te tjera
LAJME

NJË TJETËR ATRAKSION, SË SHPEJTI ZIP LINE NË THETH

Një risi që i shtohet Alpeve të Shqipërisë është...

Kalaja e Shkodrës, më shumë vizitorë se Butrinti

Viti i fundit rezultoi të jetë një periudhë shumë...

Dy shenjat e horoskopit që do t’i kthejnë gjërat ashtu siç duan ata

Me Hënën te Peshqit dita fillon e qetë dhe...