Intervistë me publicistin Gjovalin Gjeloshi

 

Autori në librin me publicistikë “Afër dhe Larg”, ka shkruar dendur për problemet e arsimimit të fëmijëve të emigrantëve në gjuhën shqipe, për problemet e ruajtjes së gjuhës nëpër familjet shqiptare, interesin e prindërve për t’i dërguar fëmijët në shkollat shqipe nëpër vendet ku ata jetojnë e punojnë.

 

Çfarë ka parë ai më tepër në fushën e arsimimit nëpër vendet e shumta që ka vizituar apo njohur prej së afërmi?

 

Si publicist dhe si pushtetar ju është dhënë mundësia të vizitoni shumë vende të Europës e më tej. Si ruhen vlerat gjuhësore te emigrantët tanë jashtë atdheut?

 

Shumkush e ka provuar kur ka udhëtuar jashtë vendit, se kënaqësia e parë dhe më e madhe është takimi me shqiptarët. Dhe është interesante se, sapo t’i takosh ata, pyetja e dytë është: Si janë fëmijët me mësimin e gjuhës shqipe? Është një pyetje dhe shqetësim që pothuaj e kanë shumica e emigrantëve, por edhe e vizitorëve dhe kjo gjë është shumë pozitive. Tjetër pastaj, se sa i kushtohen këtij problemi të rëndësishëm. Shqiptarët e parë jashtë vendit, i kam takuar në Bosnje-Hercegovinë.

 

Madje ata shërbenin rolin e përkthyesit për ne. Të emigruar qysh pa u lindur (si shtetas të ish Jugosllavisë), gjuhën shqipe (ashtu sa e dinin) e kishin mësuar nga prindërit, por as në shkolla shqipe (megjithëse në Bosnje-Hercegovinë ka disa mijëra shqiptarë) dhe as në shkolla plotësuese shqipe, sepse komuniteti nuk është i organizuar si duhet. Si ruhen vlerat gjuhësore? Kjo duhet thënë troç: megjithë përpjekjet që ka kudo ndër mërgimtarët tanë, ruajtja e vlerave gjuhësore paraqet probleme.

 

“I zoti e nxjerrë gomarin nga balta”. Shqiptarët vetë me shoqatat e tyre që nuk mungojnë askund, duhet të përpiqen më tepër për ruajtjen e trashëgimisë së kulturës gjuhësore duke filluar nga familja, por kryesore është masivizimi i shkollave plotësuese shqipe.

 

Parë në këtë kënd, shtetet ku emigrojnë e jetojnë shqiptarët jashtë kufijve etnik, mund të ndahen në tre grupe. Grupi i parë: shtete që investojnë për emigrantët (rastin konkret shqiptarët) dhe e përfshijnë në programin shtetëror të arsimimimit mësimin e gjuhës shqipe. Në këtë grup prinë Suedia, ku mund të ketë mbi 200 arsimtarë që japin gjuhën shqipe dhe paguhen nga shteti.

 

Pastaj në përgjithësi Europa e veriut, por edhe Gjermania, Zvicra, Australia, Kanadaja etj. Grupi i dytë janë ato shtete që nuk e ndalojnë, por pak e ndihmojnë arsimimin e emigrantëve në gjuhën amtare. Këtu përfshihen shumica e vendeve duke filluar me kryeshtetin ku edhe kemi kryediasporën, SHBA. Kryesisht në këto vende, shteti nuk siguron as ambjente por as edhe nuk paguan mësues për gjuhët amtare, por kryesore është se nuk ndalon asnjë pakicë apo grup emigrantësh që të organizohet vet, të ndjekin shkollimin në gjuhën që dëshirojnë.

 

Por brenda këtij grupi mund të ketë vende që japin ndihmë duke lejuar në ambjentet e shkollave publike, të zhvillohet pasditeve ose në ditët e shtuna e të diela, mësimi plotësues shqip. Këtë gjë e bëjnë psh. edhe disa bashki në Greqi. Grupi i tretë, të paktën për shqiptarët: shtete që jo vetëm nuk i ndihmojnë emigrantët apo pakicat që të shkollohen në gjuhën shqipe, por i ndalon ata. Kjo listë shtetesh fillon e mbaron me numrin një: vetëm Turqia.

 

Ju keni qenë në Turqi. Ky më duket fakt i panjohur. A ke mësuar ndonjë arsye?

Jo, jo nuk është i panjohur ky diskriminim që u bëhet shqiptarëv. Shqiptarët në Turqi, me “qitje të largët”, edhe pse janë shqiptarë “me gjakë e me qumësht” si i thonë, konsiderohen turq, vëllezër të një gjaku dhe nuk njihen si pakicë. Në Turqi mund të mësohet e propagandohet lirshëm çdo lloj gjuhe që nga greqishtja e rusishtja e deri te armenishtja, por kurr shqip.

 

Ka katedra të albanologjisë e gjuhës shqipe edhe në Kinë e Rusi, ku mund të ketë vetëm disa qindra shqiptarë rezidentë, por asnjëherë në universitetet e Turqisë, vend ku shqiptarët numërojnë miliona (asnjë institucion, zyrtarë apo jo, nuk ka një shifër përafërsisht të saktë. Burimet e fillojnë numërimin nga një e dy deri në gjashtë e shtatë milion). Analisti Nurcan Kaya në studimin “Forgotten or Asimilated” nënvizon se, “shqiptarët në Turqi nuk lejohen t’a mësojnë shqipen as si gjuhë të huaj”.?!

 

Fakti është i njohur por është pak i përhapur, sepse kurrkush nuk i mëshon kësaj të vërtete të hidhur. Politika e ka lënë krejt mënjanë. (Kur erdhi Erdogani në Kosovë, asnjëri prej dy njerëzve të gjatë, dy kryeministra shqiptarë që kishte në krah, nuk e kuptonin se ai u thoshte “vëllezër” nga ana e babait të vet).. Në këtë pikë Turqia nuk e ka ndryshuar konceptin e saj 500 vjeçar osman në marrëdhënie me shqiptarët dhe gjuhën shqipe. Edhe në agoninë e saj më 1912, perandoria osmane lejonte hapjen e qindra shkollave greke e serbe në Shqipërinë e atëhershme, por asnjë shkollë shqipe. E njëjta situatë si sot, por tashmë në vet territorin turk.

 

Si për shekuj me radhë edhe sot, për Turqinë feja është e njësueme me kombin, sepse në të njëjtën pozitë me shqiptarët atje janë edhe bullgarët myslimanë edhe boshnjakët, pa lënë në harresë kurdët, një rrezik real për stabilitetin, do të thoja unë, me probleme, turk. Më trishtojnë disa intelektualë kosovarë, kur në vend që ta denoncojnë këtë fakt, abuzojnë me “vëllazërimin”, duke thënë: “Shqiptarët në Turqi ndihen vëllezër, të integruar. Nuk janë minoritet…”. Po nëse nuk janë minoritet, atëhere çfarë konsiderohen? Në të vërtet janë të integruar apo po punohet për t’i asimiluar? Ka ardhur koha të shtrojmë pyetjen: a kemi shqiptarë në Turqi?

 

Këtu ka shumë për të thënë, por po e mbylli me një përgjigje që më dha një miku im zviceran Rolf Gollob, drejtues i qendrës së Projekteve Ndërkombëtare në Arsim (IPE) në Shkollën e Lartë Pedagogjike të Zyrihut, kur i bëra pyetjen që më ke bërë ti mua: “Unë nuk e di konkretisht për shqiptarët, më tha ai, por Turqia i ka frikë komunitetet e mëdha që përbëjnë kombin e vet dhe gjenë forma “demokratike” për t’i shtypur ato. Kryesore është mohimi i gjuhës (etnisë) dhe asimilimi i ngadalshëm e i sigurt”.

 

Thoni se në ambjentet familjare shqiptarët flasin gjuhën e nënës. A është e mjaftueshme kjo kur në ambjentet publike e kulturore flitet e përdoret gjuha e shtetit ku jetojnë?

 

Nuk është e mjaftueshme, por do të ishte gjysma e së keqes nëse në të gjitha familjet shqiptare në emigracion do të flitej gjuha shqipe në shtëpitë e tyre. Së paku fëmijët do ta mësonin në të folur. Anipse në të shkruar e lexuar do të ishin analfabetë. Nuk ndodh gjithkund kjo. Ka mjaft fëmijë që kanë emigruar të vegjël apo kanë lindur atje që nuk dinë një fjalë shqip dhe prindërit kur vijnë për vizitë në Shqipëri, u flasin po gjuhën e huaj.

 

Prindërit nëse tregohen të kujdesshëm e transmetojnë te fëmijët gjuhën e folur, por duhet të jenë të ngeshëm e pa telashet e jetesës apo duhet të jenë mësues apo diç tjetër, që t’ua mësojnë me të shkruar e të lexuar dhe me gjithë vlerat që ka ajo. Këtë e bën vetëm shkolla, mësuesi. Por edhe kaq sa thoni ju është e rëndësishme: shumë njerëz që kam takuar në SHBA, intelektualë a punëtorë më kanë thënë:

 

ua dimë për nder prindërve që na kanë mësuar shqipen, se për ne që kemi lindur këtu, ajo është gjuhë e dytë. Nuk ka nevojë të përsërisim sentencën pedagogjike se “mësuesi i parë është prindi”. Komuniteti në një vend edhe mund të organizohet ngadalë për të mësuar kolektivisht, me mësues e me shkollë gjuhën, por në shtëpi prindin nuk e ndalon askush dhe me këtë punë ka shpëtuar diçka të madhe.

 

Mund të keni vizituar ndonjë shkollë shqipe. Ç’probleme ngrinin kolektivat pedagogjike, prindërit e nxënësit?

 

Nuk duhet të ngatërrojmë diçka: në diasporë dhe në vende të tjera ku jetojnë shqiptarët si emigrantë, nuk bëhet fjalë për “shkolla të mirëfillta shqipe”, me kolektiva pedagogjike, drejtori e godina shkollore. Për shkolla shqipe mund të flasim vetëm për shqiptarët që jetojnë në trojet e tyre në Malin e Zi, Maqedoni apo Luginën e Preshevës e Çamëri. Atje ku shqiptarët jetojnë si emigrantë mund të flasim vetëm për “shkolla plotësuese shqipe” ose në rastin më të pakët “për kurse të mësimit të gjuhës shqipe”.

 

Quhen “shkolla plotësuese shqipe”, sepse veç gjuhës shqipe nxënësit marrin edhe njohuri bazë për historinë, gjeografinë dhe kulturën shqiptare. Në këtë rast ka dy-tre mësues. Përjashto vendet e grupit të parë që përmendëm si Suedia etj, që e kanë pjesë të programit shkollor edhe mësimin e gjuhës amëtare të çdo etnie, në vendet e tjera ky mësim plotësues ose bëhet pasditeve si në Londër etj,

 

ose bëhet në ditët e shtuna e të diela si në disa shkolla në qytetet e Greqisë si Athinë, Selanik; Italisë si Parma, Bolonja, Rimini etj. E veçanta është se edhe programi plotësues i gjuhës shqipe ndjekë vitin shkollor akademik tetor-maj.

 

Si është gjendja e pajisjes me tekste në gjuhën shqipe e këtyre shkollave?

Është e natyrshme që pajisja me tekste në mjaft shkolla plotësuese shqipe paraqet probleme, sidomos në Greqi e Itali ku gjendet edhe numri më i madh i emigrantëve të Shqipërisë. Kosova e ka më të organizuar këtë punë dhe punon më shumë për të mbajtur lidhjet me diasporën dhe me emigrantët e vet kudo ku janë.

 

Jo thjesht pse organizmat e këtij sistemi i ka të ngritura deri në “Ministri të Diasporës”, por se ka përvojë më të gjatë dhe investohet më shumë. Tashmë e dimë se në Itali apo Greqi ka më shumë shqiptarë të Shqipërisë, ndërsa në Zvicër, Gjermani, vendet nordike etj, ka më shumë shqiptarë të Kosovës.

 

Kam takuar disa përfaqësues të komuniteteve dhe ata ankohen për Tiranën zyrtare në adresë të furnizimit me tekste shkollore, megjithë premtimet që jepen prej ambasadorëve apo konsujve tanë në këto vende, ndërkohë që Kosova dërgon tekste shqipe deri në Zelandën e Re.

 

Një rol të madh në diasporë luajnë edhe periodikët (gazeta e revista) që botohen në gjuhën shqipe. Do të veçoja në këtë rast tri prej tyre: “Doruntina” që botohet qysh nga viti 1996 në Hanover të Gjermanisë e shpërndahet në të gjithë Europën. Konsiderohet si “zëdhënësja e fëmijëve shqiptarë në mërgim”.

 

Ose e thërasin “abetarja e fëmijëve në mërgim” dhe është më shumë se sa një mësues në këto shkolla; revista “Ura”, botim i Ministrisë së Diasporës së Kosovës që qarkullon prej disa kohësh. Ajo botohet në Kosovë në mijëra kopje dhe u dërgohet falas shoqatave të komuniteteve të shqiptarëve në ato vende që kanë lidhje me diasporën kosovare. “Ura” boton cikël mësimesh të gjuhës shqipe, njohuri të historisë, gjeografisë e etnokulturës.

 

Dhe e treta është revista mbarëkombëtare për fëmijë “Tinguj malli” që botohet në Austri qysh nga 2005. Revista boton një seri rubrikash, ndër të cilat “Të mësojmë së bashku gjuhën tonë”. Në këtë aspekt ajo është e vlefshme edhe për të rriturit.

Sa janë të interesuar vetë prindërit që fëmijët të ndjekin shkollat shqipe?

Në emigracion, të mësuarit e gjuhës shqipe natyrisht që nuk është detyrim ligjor, prandaj roli i prindërve del në plan të parë. Ka plot shembuj pozitiv: prindër të interesuar, veprimtarë shoqërorë, mësues vullnetarë, biznesmenë që nuk kursejnë. Por unë jam i prirur të them problemet që duhet të korigjojmë.

 

Një miku im Sabit Abdyli, më shkruante nga Zelanda e Re se, “Ministria e Diasporës e Kosovës me kërkesën time i dërgoi tekstet e gjuhës shqipe falas. Në mungesë të klasës së përbashkët librat i shpërndava nëpër familje. Tash mbetet që vet familjarët të merren me fëmijët e tyre”. Kjo do të thotë se komuniteti atje nuk ka arritur të organizohet. Elsa Mirukaj nga Irlanda më thoshte se “para pesë vjetësh u fol për shkollën në gjuhën shqipe, por akoma prindërit nuk janë bërë të gjithë bashkë”.

 

Dile Dojani nga Gjermania më thotë se “ekziston shkolla shqipe, por jo të gjithë prindërit i çojnë fëmijët atje”. Rita Kola nga Kanadaja thotë se në Toronto ekziston “Bordi i Shkollave të Disktriktit” që vendos rregulla edhe për shkollimin e emigrantëve në gjuhën e tyre. Që klasa të qëndrojë e hapur gjatë të gjithë vitit duhet të ketë 25 nxënës. Bashkësia shqiptaro-kanadeze detyrohet t’u bëjë thirrje prindërve për të plotësuar numrin që të hapet shkolla”. Kujtojmë se Kanadaja investon me mjete e mësues. Por dëshminë më interesante e kam nga Prof. Basil Schader kur kam qenë në Zvicër:

 

“Ne kemi programe intensive, tekste model e mësues të kualifikuar për mësimin e integruar të shqipes me gjermanishten në shkollat zvicerane, por fatkeqësisht vetëm 10 përqind e prindërve shqiptarë i dërgojnë fëmijët në shkollat plotësuese shqipe”. Ka plot fakte të tjera që të shqetësojnë me interesimin e pakët të prindërve për t’u mësuar fëmijëve gjuhën që i dallon se janë shqiptarë. Megjithëse “i biem gjoksit” për patriotizëm e nacionalizëm, për të mësuar gjuhën e vet nuk jemi në një nivel fjala vjen me rusët, polakët hebrenjtë apo armenët etj.

 

A ndikojnë festat kombëtare e familjare në ruajtjen e traditave e transmetimin e tyre te pasardhësit?

Në SHBA diaspora shqiptare siç feston 4 Korrikun, të njëjtën gjë bën edhe me 28 Nëntorin. Malësorët e Malësisë së Madhe që jetojnë atje, por edhe të tjerë, festojnë bujshëm festat fetare, të njëjtat që kanë festuar në atdheun e tyre si: Shën Gjonin e Hotit, Zojen e Grudës, Zojen e Trieshit etj. Është e natyrshme se festimi i këtyre festave ndikon tek rinia për të njohur më mirë e dashuruar vendin e origjinës.

 

Në festa, por edhe në dasma shqiptarët nuk i braktisin kostumet popullore, këngët folklorike dhe lojnat e ndryshme kombëtare. Historia na tregon se, te mërgatat e hershme shqiptare që nuk i është kushtuar kujdes gjuhës, siç janë shqiptarët e Ukrainës, të Zarës në Kroaci, kelmendasit në Hrtkovc e Nikinc etj, sot dallohen se janë shqiptarë më shumë prej zakoneve se sa prej gjuhës. Po kështu edhe tek arbëreshët e Italisë, megjithëse këtu gjuha shqipe (arbëreshe) është më e konservuar se tek ata që përmenda, mund të themi se zakonet, doket dhe veshjet janë ruajtur më tepër se gjuha.

 

Së fundmi një pyetje për gjuhën shqipe në trojet etnike shqipfolëse. Si paraqitet gjendja?

Nëse për diasporën dhe mërgimtarët tanë kudo në botë “delja e zezë” është Turqia, për në trojet e Shqipërisë natyrale, kjo “galë” është Greqia. Të njëjtën gjë, si Turqia me mërgimtarët shqiptarë e bën Greqia me popullsinë çame që jeton në trojet e veta në Çamëri. Edhe ata nuk konsiderohen pakicë dhe nuk kanë të drejtën e shkollave shqipe ashtu si e kanë këtë të drejtë pakicat greke në Shqipëri. Kjo është përsa i përket respektimit të të drejtave nga shteti.

 

Por nga ana tjetër vetë shqiptarët në trojet e tyre si Maqedoni, Mali i Zi dhe Lugina e Preshevës kanë “kusuret” e tyre të lëshimeve e të moskujdesit në shkollimin shqip. Një koleg imi në Shkup më thoshte se shumë fëmijë shqiptarë që mbarojnë klasën e 9-të në shkollën shqipe, regjistrimin për më tej e bëjnë në gjimnazet maqedonase. Ka mjaft shqiptarë në Ulqin që i dërgojnë fëmijët në shkollat 9-vjeçare malazeze edhe pse shkollat shqipe janë në funksion.

 

Ndonjë fshat shqiptar në Malin e Zi nuk ka shkollë shqipe. Vetë banorët prej vitesh kanë rënë dakort që të ketë vetëm shkollë malazeze. Mund të jetë një fshat i vogël e me pak nxënës, por edhe kaq tregon se sa në “teposhte” është shqipja në disa vende. Nuk po themi pastaj për dhjetra shqiptarë të besimit myslimanë në Plavë, Guci, Tuz e gjetkë që në censusin e popullsisë, nuk e deklarojnë veten si të tillë.

 

…Po diskutojmë që të shpëtojmë nga asimilimi shqiptarët që kanë vetëm “apartamentet e tyre” qoftë edhe në Zelandën e Re dhe kjo është e drejtë, por akoma më shumë duhet të shqetësohemi se po na asimilohen shqiptarët që janë në “trojet e tyre” qindrashekullore nëpërmjet një procesi të ngadaltë e të butë që e ndihmojnë vet shqiptarët me qëndrimin e tyre liberal ndaj gjuhës amtare.