200 milionë lekë janë miratuar nga Këshilli Bashkiak Shkodër për klubin e Futbollit Vllaznia në mbledhjen e djeshme të tij. Një fond që ka dalë nga rishpërndarja e fondeve të buxhetit të Bashkisë Shkodër dhe ka qenë i përfshirë në projekt-buxhetin e Vllaznisë.

Një shumë e tillë e miratuar do të shërbejë për shlyerjen e detyrimeve të prapambetura që klubi ka ndaj pjestarëve të saj për sezonin e kaluar dhe njëkohësisht, për nisjen e punës për sezonin e ri.

 

Në pamje të parë duket një shumë e pamjaftueshme por nga sa është bërë e ditur, tani e tutje rrogat dhe shpenzimet e klubit do të bien ndjeshëm pas rënies së skuadrës nga Superliga.

 

Përpos faktit që gjatë kësaj periudhe dhe deri në fund të dhjetorit mund të ketë edhe të ardhura të tjera në klub të cilët do të rregullojnë edhe bilancin e tij. Gjendja në fakt nuk ka qenë e mirë por Bashkia edhe njëherë tjetër është treguar shumë korrekte në mbulimin e shpenzimeve që duhen për Vllazninë.

 

E ndërsa fondi është miratuar, ajo që mbetet për lëvrimin e tij është mbledhja e Asamblesë së Përgjithshme të klubit që do të bëjë edhe shpërndarjen e shumës prej 200 milionë lekësh të vjetra.

 

Deri atë ditë, me siguri që do të jenë emëruar edhe administratori dhe trajneri i ri i kuqebluve të cilët do të nisin punën për ndërtimin e skuadrës.
www.shkodrasport.com