Në përgjithsi, banesa karakteristike shkodrane, është ndërtesë e madhe dykatëshe, me çati shumë të dalur, me funksion për ta mbrojtur banesën nga lagështia në dimër e për t’i bërë hije në verë.

Banesa shkodrane bën pjesë në tipin e banesave shqiptare të shtëpisë me çardak. Ajo ndodhet gati në qendër të truallit e rrethuar me avulli (mure rrethuese) shumë të larta. Përpara shtëpisë, e cila zakonisht ndodhet me pamje nga dielli (jugu) është oborri shumë i madh, me lule e me pemë, sa gati maskojnë shtëpinë. Mbrapa ose anash është kopshti me perime.

Dera e oborrit zakonisht me hark, është e madhe dhe e llogaritur që të hynte lirshëm qerrja e ngarkuar me sanë (pra me dimensionet e një kamioni të zakonshëm), kjo derë hapej shumë rallë. Komunikimi bëhej nëpërmjet një dere të vogël, që hapej në njërin kapak. Ajo sigurohej me trarë të hollë dhe shula hekuri, që e bënte të pathyeshme.

Dera e oborrit zakonisht nuk vendosej përballë derës së shtëpisë, bila ka mjaft raste që ajo është në ansore të shtëpisë të fasadës kryesore. Zakonisht anash derës mblidheshin lule që ngjyra të bukura dhe erë të këndshme (lule vile, sorhanëm, kaçe etj..)

dhe nuk krasideshin derisa ato të mbulonin pullazin e derës, që edhe ky ishte shumë i madh. Në krah të derës së oborrit, shpesh ndërtohej kulla që shpesh përdorej si depo për ushqimin e bagëtive ose edhe për bagëtitë.

Kati i parë i banesës nuk përdorej për banim, megjithëse ai ka të njëjtin planimetri si kati i mësipërm ( i dyti ). Ai përdorej kryesisht si depo, punishte e ndonjëherë edhe për të strehuar lopën ose kalin e shalës të të zotit të shtëpisë.

Kati i dytë lidhej me të parin nëpërmjet shkallëve të cilat mbuloheshin nga streha e dalë dhe që komunikonin direkt me çardakun. Çardaku është i madh dhe kryen disa funksione. Ky komunikon me disa nga dhomat e rrugicat e shtëpisë. Në të dy anët e çardakut, pak të dalura, janë dhomat e miqve ose oda e mirë dhe oda e qoshes ose qoshku, që shërbente si zyrë për të zotin e shtëpisë.

Odës së mirë i kushtohej shumë kujdes. Tavani, oxhaku, dyert, dritaret, segjitë, trapazani, raftet e murit, e çdo gjë punohej me gdhendje e me shumë kujdes, bile në votër përveç mashës që përzinte zjarrin, kishte dhe një madhë të vogël decorative priçi të verdhë, për të kapë gacat për të ndezë cigaren.

Në muret e saj vareshin saxhade, armë të vjetra, armët e burrave të shtëpisë e të miqve. Në sergji vendoseshin objekte të rralla, të vjetra, bakri, qelqi, porcelain etj..

Në dysheme shtroheshin qilimë të mëdhenj persie, kosove e hali (qilime tradicionale) shkodrane, ndërsa anash vendoseshin munderet e ulët dhe të gjerë, mbi të cilët vendoseshin shilte leshi për ndenje e jastekë leshi për t’u mbështetur.

Në mes të dhomës ishte tangari I qymyrit të druve për ngrohje, i punuar bukur prej bakri ose priçi me kapak, e mbi të varej me zinxhirë të bukur decorative, llambadari i madh, me funksion ndriçues dhe dekorativ. Në to sot janë adabtuar llampat elektrike.

Mbas çardakut vinte kuzhina e madhe dhe dhomat e çdo çifti, dhoma e beqarëve dhe dhoma e vajzave. Çdo dy tri dhoma kishin anekset e veta. Zakonisht kati i sipërm komunikonte me katin e parë edhe nëpërmjet kapanxhes (derës rrafsh me dysheme, ku varej një shkallë dërrase).

Çdo shtëpi ishte e rrethuar me pemë të çdo stine. Ndonjëherë një pjesë e oborrit shfrytëzohej si kopsht për të mbjellur perime e zarzavate të fresëta, si dhe erëza nga më të ndryshmet të cilat nikoqirja shkodrane i përdorte për të gatuar gjellët tradicionale qytetare.

Në oborr ishte pusi me grykë të bukur e mbi të çikrriku në të cilin varej kova për nxjerrjen e ujit. Pusi mbyllej me kapakë. Anash pushit ishte kalldremi me tendencë nga jashtë. Afër pusit ishte lugu i madh prej guri dhe rrasa po prej guri për të larë rrobat. Mbi pus shtrihej tenda e hardhisë.

Agim Parruca (Shkodra bastion i qytetërimit shqiptar)

Shkodra Press