Dalin detaje nga ngjarja e djeshme ne Shkoder, kur u qellua me arme brenda biznesit te vet pronari i një servisi makinash ne zonën e Vaut të Dejës në Shkodër.

Ai mbeti i plagosur me armë zjarri nga dy persona ende të paidentifikuar, të cilët krejt papritur i shkuan në biznesin e tij dhe i kërkuan me ngulm t’u riparonte një defekt në mjetin e tyre tip “Benz”.

Policia bëri të ditur se shtetasi i plagosur është Ermir Simoni, 43 vjeç. Ai është dërguar menjëherë në spital për t’i dhënë atij ndihmën e parë mjekësore. Sipas burimeve spitalore,

Ermir Simoni është jashtë rrezikut për jetën.

Ngjarja ndodhi në rrugën që të çon te hidrocentrali i Vaut të Dejës. Në fillim të këtij aksi, në anën e majtë ndodhet edhe servisi ku u plagos 43-vjeçari. Fillimisht, sipas burimeve policore, konflikti ka ndodhur mes autorëve të dyshuar dhe vëllait të të plagosurit, të cilin e kanë goditur.

Ata kanë çuar makinën tip “Benz” te servisi, duke ia imponuar me forcë vëllait të Simonit t’u riparonte mjetin. Por duke parë situatën dhe urdhrin kërcënues, ai nuk ka pranuar që të merrej me makinën e tyre.

Pas kësaj, personat janë larguar duke u rikthyer me armë nga ku kanë qëlluar në drejtim të dy vëllezërve.

Për rrjedhojë, Ermir Simoni mbeti i plagosur, por fatmirësisht jashtë rrezikut për jetën. Forcat e Policisë kanë bërë kontrollin e kamerave të sigurisë së servisit ku ndodhi plagosja, por rezulton se kamerat ishin jashtë funksionit dhe nuk kanë mundur që të regjistrojnë ngjarjen.