Nisja e fazës përgatitore të ekipit të Vllaznisë në Ulqin është shoqëruar ditën e djeshme jo vetëm me zhvillimin e seancës së parë stërvitore atje por në orët e vona të darkës, futbollistët dhe stafi teknik kanë patur edhe një vizitë surprizë.

Kryetarja e Bashkisë Shkodër, zj.Voltana Ademi, e shoqëruar nga administratori i klubit Astrit Gjyrezi kanë udhëtuar drejt qytetit bregdetar të Ulqinit për të takuar skuadrën dhe për t’i uruar stërvitje të mbarë gjatë kësaj periudhe 12 ditore.

Themi se vizita është zhvilluar në orët e darkës pasi në foton e mëposhtme shohim që është prezent edhe blerja më e re e Vllaznisë, shqiptaro- maqedonasi Sedat Berisha.

Ai ka firmosur kontratën rreth orës 18.30 në Shkodër dhe më pas është nisur drejt Ulqinit.

Gjithsesi, mbështetja që kryebashkiakja Ademi po i jep skuadrës edhe në këto momente, është kuptimplote.

Vetë ajo, në komunikatën e shpërndarë dy ditë më parë paralajmëroi se do të kishte të tjera përforcime dhe kjo në fakt është shumë e rëndësishme sepse po plotësohen të gjitha kërkesat e stafit teknik.

www.shkodrasport.com