Kur Parashqevia ishte në majat e suksesit

Një këngëtar i mirë i bashkangjit këngës emrin e vet. Kështu siç dëgjohet të thuhet “këngët e Vaçe Zelës” apo “këngët e Anita Takes”, dëgjojmë edhe togfjalëshin “këngët e Parashqevi Simakut”.

Kështu e nis shkrimin kushtuar këngëtares Parashqevi Simaku, revista kulturore e realizmit socialist “Skena dhe Ekrani” në numrin e muajit prill 1989 ku ndër të tjera i kushton një artikull të posaçëm këngëtares që në ato vite po përjetonte majat e suksesit në skenën modeste shqiptare të zërave të mëdhenj.

Të krahasoheshe me zëra si Vaçja apo Anita Take në moshën 22 vjeçare nuk ishte diçka e zakonshme, por Parashqevia duket se e kishte merituar për shkak të talentit të shfaqur që në vogëli në Pallatin e Pionerit në Kavajë.

Rruga drejt skenës nisi pikërisht nga shkallët e Pallatit të Pionërit, një strukturë kulturore e ngritur në periudhën e komunizmit për t’i dhënë mundësi të rinjve të talentuar të krijonin një qasje me zhanre të ndryshme të artit.

Aty prej nga janë zbuluar zëra brilantë të muzikës shqiptare por jo vetëm, si Inva Mula apo Ardit Gjebrea, edhe Parashqevia pati fillimet e saj.

Me publikun e festivaleve të mëdha të fundvitit, këngëtarja u prezantua në moshë fare të re. Kur ishte 15 vjeç, ajo mori pjesë në Festivalin e 20-të të këngës në Radio-Televizion duke fituar çmimin e tretë.

Një sukses i pamatë ky për një debutante. Ndërsa në Festivalin e 24 të Këngës në RTSH, Simaku arriti të fitonte çmimin e parë me këngën “Në moshën e rinisë”. Këngët e saj këndoheshin nga rinia e asaj kohe dhe për shkak të ritmit që nga fundi i viteve ’80 nisi të ishte më i pranishëm në muzikën e lehtë shqiptare.

“Bashkëmoshatarët”, “Dua emrin tim”, “Duam lumturinë”, “N’atë gusht e n’atë prush” “Thuaja Rini” e shumë të tjera ishin pjesë e repertorit të suksesshëm në festivalet e pranverës dhe të fundvitit që çuan lart emrin e këngëtarës.

Aq lart saqë në vitin 1987, Parashqevia u nderua me çmimin e Komitetit Qëndror të Rinisë për interpretim të lartë në këngë. Zëri i saj përshtatej lehtësisht dhe me këngën popullore qytetare në skenën e së cilës ajo rezultoi po kaq e suksesshme.

Këngëtarja u largua nga vendi me ndryshimin e sistemit politik, për t’u kthyer në vitin famëkeq 1997, në një kohë kur pakkush e kishte vëmendjen tek muzika.

Mbase për këtë arsye koncerti i saj nuk pati reagimin e pritshëm, ose mbase këngëtarja nuk ia doli ta organizonte siç do të duhej, e denjë për rikthimin e një zëri të madh të skenës shqiptare. Megjithatë ajo mbetet e tillë, kaq e magjishme me këngët që ka lënë pas sikurse publiku e kujton sot e 30 vite më pas…

 

Shperndaje ketë postim:

spot_imgspot_img

- PUBLICITET -

Aktualitet

Te tjera
LAJME

ZJARR NE SHKODER, TYMI PUSHTON QYTETIN..

Tymi ka pushtuar gati gjithe qytetin e Shkodres. Flaket...

RAME LAHEJ DHE ALESSANDRO SAFINA KONCERT NË SHIROKË

Në pikën turistike të Shirokës, zëri brilant i tenorit...

Ata që po rithurin indet e një vendi të vuajtur

Herë pas herë duhet të kthejmë kokën dhe të...