Deklarate për mediat, në lidhje me pretendimet e banorëve për vendosjen e bustit të Lek Dukagjinit
Bashkia Shkodër dëshiron të sqarojë opinionin publik se Kryetari i Bashkisë ka pritur disa herë në takim banorët që kërkojnë vendosjen e bustit të Lekë Dukagjinit, duke shprehur mbështetjen e tij dhe vlerësimin për këtë figurë historike.
Ndërkohë, qyteti i Shkodrës është shndërruar në një mozaik të paorganizuar strukturash përkujtimore, si buste, memoriale dhe emërtime rrugësh, shpesh të vendosura pa një proces të qartë konsultimi. Për këtë arsye, me iniciativën e Kryetarit të Bashkisë, është ngritur një grup pune për hartimin e një rregulloreje të qartë dhe të drejtë mbi vendosjen e busteve dhe monumenteve në hapësirat publike të qytetit.
Ky proces bazohet në një metodologji të qartë dhe kritere të mirëpërcaktuara, duke garantuar që çdo bust, monument apo strukturë përkujtimore e re të ketë vlerë historike dhe artistike dhe të përshtatet me kontekstin urban të qytetit.
Pas përfundimit të hartimit të projektvendimit përkatës, grupi i punës e ka paraqitur rregulloren për shqyrtim dhe miratim pranë Këshillit Bashkiak. Këshilli e ka përfshirë atë në rendin e ditës për mbledhjen e datës 6 nëntor 2024. Gjatë diskutimeve në seancë, përfaqësues të opozitës, duke ushtruar të drejtën e tyre ligjore, kanë kërkuar më shumë kohë për shqyrtimin e rregullores dhe kanë propozuar shtyrjen e miratimit për një mbledhje tjetër.
Dokumenti i hartuar nga specialistët e Bashkisë Shkodër ndodhet në sekretarinë e Këshillit Bashkiak dhe është i gatshëm për diskutim dhe miratim, sapo kryesia e Këshillit ta përfshijë atë në rendin e ditës për seancën plenare.
Sapo kjo rregullore të marrë formën e duhur ligjore, çdo kërkesë – përfshirë edhe atë për vendosjen e bustit të Lekë Dukagjinit – do të shqyrtohet në përputhje me kriteret dhe procedurat ligjore përkatëse.
Bashkia Shkodër nuk do të lejojë që procesi i vendosjes së strukturave përkujtimore të ndikohet nga presione apo deklarata mediatike. Qyteti nuk mund të shndërrohet në një vend ku buste dhe memoriale vendosen sipas dëshirave individuale apo të grupeve të caktuara. Institucionet dhe organet përkatëse do të ndjekin procedurat ligjore dhe profesionale për të siguruar që vendimet të jenë në interes të qytetit dhe trashëgimisë së tij kulturore.
Ajo që mund të sigurojmë banorët është se busti i Lekë Dukagjinit do të vendoset në Shkodër, duke respektuar ligjin dhe në përputhje me figurat e tjera të shquara të kombit tonë.
Ftojmë të gjithë aktorët e interesuar të respektojnë proceset institucionale dhe të kontribuojnë në mënyrë konstruktive në ruajtjen e vlerave dhe identitetit të qytetit tonë. Shkodra ka dëshmuar gjithmonë se di të vlerësojë historinë dhe kulturën e saj, duke ruajtur njëherazi dinjitetin dhe estetikën urbane me maturi dhe përgjegjësi.