Shqiptarja vdes në Itali, familjarët dhurojnë organet: Ajo do të donte t’i jepte jetë dikujt tjetër

694

Ajo u zgjua në mëngjes dhe vijoi ditën si zakonisht. Shoqëroi fëmijët në shkollë, u kujdes për shtëpinë dhe bashkë me familjen ishin gati të jetonin të nesërmen, por askush nuk e dinte se ajo ishte mbrëmja e fundit që do të kalonin me të.

Tashmë Jurilda Mara nuk jeton më, por zemra e saj rreh në një turp tjetër, mban gjallë një tjetër njeri.

37-vjeçarja, nënë e 3 fëmijëve ka pësuar krizë azmatike e atak kardiak të martën e kaluar dhe pas disa orëve në terapi intensive, mjekët u shuan familjarëve çdo shpresë që mund të kishte për të jetuar.

Familjarët të tronditur nga tragjedia, gjithsesi gjetën forcën të tregonin dashurinë që Jurilda kishte për njerëzit duke dhuruar organet e saj.

“Ajo gjithmonë shqetësohej për njerëzit që e rrethonin, për të afërmit, për fqinjët dhe sigurisht do të donte t’i jepte jetë dikujt tjetër. Për këtë arsye ne vendosëm që të jepnim organet”, janë shprehur familjarët për një gazetë lokale italiane.

Pranë fëmijëve Alessia, Simon, Omar e bashkëshortit Astrit Mara, duke u bashkuar me dhimbjen e tyre kanë qenë të gjithë shqiptarët në lagjen Cassano d’Adda, ku e ndjera jetonte.

Ajo u përcoll për në banesën e fundit sipas riteve myslimane, në tokën italiane. Qindra shqiptarë dhe italianë kanë marrë pjesë në ceremoninë e varrimit duke mbushur sadopak zemrat e zbrasura të familjarëve.

“Jemi prekur nga heshtja e njerëzve ndërsa luteshim sipas riteve myslimane, ndjemë që të gjithë ndanë dhimbjen me ne”, është shprehur bashkëshorti i Jurildës.

Lexo edhe:   Zbardhet formacioni me të cilin Vllaznia do të luajë sot ndaj Kamzës