Marjan Ndershtiqaj zhvilloi një vizitë në biznesin familjar “Te Mullini”, ku u prit nga themeluesi i tij, Kastriot Hasanaj, një qytetar që pas një periudhe të gjatë emigrimi është rikthyer në atdhe për të kontribuar me dijet dhe përvojën e fituar jashtë.
Gjatë vizitës, Ndershtiqaj u njoh nga afër me procesin e përgatitjes së produkteve tradicionale që ofron “Te Mullini” – një biznes që është kthyer në një pikë referimi për gatimet e shëndetshme dhe me cilësi në qytetin e Shkodrës. Ai vlerësoi përkushtimin e Kastriotit dhe familjes së tij për të ruajtur shijet autentike të kuzhinës shqiptare, duke theksuar rëndësinë që kanë këto nisma për zhvillimin e ekonomisë lokale dhe për ruajtjen e trashëgimisë kulturore.
“Është frymëzuese të shohësh histori si kjo e Kastriotit, që pasi ka kontribuar jashtë vendit, kthehet dhe investon në vendlindje. Biznese të tilla janë shembull për komunitetin dhe një shtysë për ta mbështetur më shumë prodhimin vendas,” shkruan Ndershtiqaj.



