Mall e kujtime fminiet, n’at breg t’Liqenit, n’Shirok

Njatij bregu shëtisin hapat e drojshëm të fminis teme, edhe sod mbas gjysëm shekulli e kusur vitesh.

 

Njasaj syprine blu, hala shëtit njaj vështrim em i hutuem, qi tue dasht me gjet skaj, ndeshte n’fluturimin e zogjve, qi shkriheshin me magjepsjen kah sheh Maranaj e Cukali, kulmue qiellit, psipri shelgjeve.

Edhe sod m’kujtohet, kur zdrypshim prej anijes, qi na prute prej te Ura e Bunës, tue plusku për do minuta nëpër Liqe, deri me t’mrrime n’Shirok.
Po, njatje, n’plazhin ma t’çuditshëm e ma t’magjishëm, ku asokohe pat dalë edhe nji dyvargsh bejte:
“T’marrsha t’keqen moj Shirok,
Kokrra e rans ma e madhja n’botë.”
Çfarë ranet mor do thoni ju, n’Shirok?! Njatje.. gur me t’sakatu kamsh, tjetërgja jo, e me ec me kujdes, se me u rrzu e me lan nam.
Nejse, zall si me ken n’Kir. Se, gurve, prej kah zdrypshin malesh nëpër teptisje motit, e dalldi përrenjsh, nuk u bite rrugë njaq fort e gjatë, sa me u ba ranë.
E metshin bregut t’Shiroks, kjo mrrokje rrjedhash, ma t’vegjël se zajet e Kirit, gurë që përfundun avllive e mureve t’shpive, n’Shkodër e rreth.
Edhe sod shkoj njasaj nahije malli, me u tret njasaj dehje kthjellimi, me u përlot njasaj prehje vërshimi, ku Shkodra lan syt, e lag shputat e kamve, e kqyret pasqyrimit e vet, e dalldiset si nji Narciz mitologjik, deri mramjes ku dilli e kuqlon.
Shkoj sa herë, me u përpjek me fminin teme, e kujtimet me i pa si pluskojnë si varka peshkatarësh.

Albert Vataj

 

Shperndaje ketë postim:

spot_imgspot_img

- PUBLICITET -

Aktualitet

Te tjera
LAJME

Thethi si zonë lufte, banorët dhe turistët pre e reprezaljeve të IKMT dhe Policisë

Deputetja e zgjedhur e Partisë Demokratike, Greta Bardeli, ka...

Kuvendi i Burrave mblidhet para kishës: Asnjë investitor nuk do gëzojë tokë në Theth

Kuvendi i Burrave të Shalës kërkon ndaljen e prishjeve...

Bajraktari i Shalës, reagon ashpër ndaj Fatmir Metës dhe sjelljes së shtetit

Reagimet pas ngjarjes së rëndë në Theth nuk kanë...