Famullia “Zoja e Shkodrës” i ka uruar sot dirigjentit dhe kompozitorit të njohur, Profesor Zef Çoba, jetë të gjatë, të lumtur dhe plot krijimtari muzikore në ditën e emrit të tij.
“Famullia “Zoja e Shkodrës” në ditën e emrit të tij i uron Prof.Zef Çobës,dirigjentit të koreve të Katedrales jetë të gjatë,të lumtur dhe plot krijimtari muzikore.Falenderojmë Zotin për dhuratën e jetës së tij e sidomos të talentit.Urime Profesor Zefi!”
Profesor Zef Çoba, i cili mban titullin “Mjeshtër i Madh”, është një figurë e shquar e artit muzikor shqiptar. Këngët epike dhe lirike shkodrane, si dhe jaret e famshme, kanë kaluar kufijtë e Shqipërisë, falë interpretimit dhe studimit të tyre nga breza të tërë artistësh.
Lindur më 17 korrik 1951 në Shkodër, ai e nisi rrugëtimin artistik që në moshë të re dhe përfundoi studimet në Institutin e Lartë të Arteve në vitin 1974, në degën e dirigjimit koral. Karriera e tij nisi në Peshkopi, ku dha një kontribut të vyer në pasurimin e folklorit dhe krijimtarisë muzikore, duke lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë artistike të këtij qyteti.
Me kalimin e viteve, Profesor Çoba jo vetëm që ka krijuar dhe dirigjuar vepra të shumta muzikore, por ka ndihmuar edhe në ngritjen e institucioneve të rëndësishme të muzikës në vend. Akordimi i titullit “Profesor” ishte një vlerësim i merituar për veprimtarinë e tij të palodhur.
Në këtë ditë të veçantë, miq, kolegë dhe dashamirës të muzikës shqiptare i urojnë Profesor Zef Çobës shëndet dhe suksese të mëtejshme në rrugëtimin e tij artistik.