Jo vetëm për bregdetin, liqenin apo malet por turistët e duan Shkodrën edhe për turizmin historiko-kulturor.
Në listën e më të vizituarave gjatë këtij sezoni turistik, është kalaja Rozafa, simboli i qytetit dhe pikëtakimi i historisë dhe mitologjisë. Për turistet, vizita në kala, është eksplorim i bukur në të kaluarën e qytetit.
“Shume interesante. Miku im me tregoi se si është ndërtuar, sa kapacitet ka, dhe si janë strehuar njerëzit këtu. Unë vij nga Anglia, dhe lexova në internet për kalanë. Ia vlejti!”– shprehet turisti.
“E dua Shkodrën dhe po shijojmë shumë kohën që po kalojmë në këtë qytet prandaj mendova të vij ta vizitoj edhe kalanë. Është shumë impresionuese arkitektura e saj dhe mënyra se si është ndërtuar përgjatë qytetërimeve të ndryshme.”
Por vizitoret, e sidomos ata nga Shqipëria dhe Kosova, kanë disa ankesa kryesisht për parkingun e vogël dhe ciceronet që mungojnë.
Pergjëgjësi i Parkut Arkeologjik Shkodër – Lezhë, Helidon Sokoli thotë se shifrat flasin vete për një rritje të ndjeshme të vizitoreve në krahasim me vitin e kaluar.
“Duke e krahasuar me vitin e kaluar nga janari deri më sot numri i turistëve në Kalanë e Shkodrës e ka kaluar shifrën e 82 mijë vizitorëve kundrejt 65 mijë që ishin vitin e kaluar. Ka një rritje të fluksit turistik të turistëve evropianë, por ka një risi edhe fluksi i turistëve që vijnë nga Izraeli dhe vendet Arabe”- tha Helidon Sokoli,Përgjegjësi i parkut arkeologjik Shkodër- Lezhë Helidon Sokoli.
Në Shkodër, janë mbi 150 objekte të trashëgimisë kulturore.