Një tjetër denoncim është bërë në lidhje me kompaninë ajrore “Wiz Air”.
Mësohet se “Wiz Air” ka sorollatur pasagjerët e linjës Katania-Tiranë, të cilët duhet të niseshin në orën 9:00 të paradites dhe të mbërrinin në destinacion në 10:20.
Por sapo pasagjerët hipën në avion, morën një njoftim se duhet të zbresin me pretendimin se ka defekt avioni.
Për orë të tëra, udhëtarët e të gjitha moshave u lanë në pritje pa asnjë informacion. Më pas, ata u njoftuan se do të niseshin në orën 21:00.
Pa kaluar shumë kohë, pasagjerët u njohën me një lajm të dytë, që udhëtimi i tyre është shtyrë sërish me 2 orë e gjysmë.
Tashmë, ata janë informuar se fluturimi do të nisë në orën 23:30. Sipas informacioneve të siguruara nga CNA, shumica e udhëtarëve janë nxënës shkollash dhe të moshuar, të cilët prej 14 orësh e gjysmë nuk kanë marrë asnjë shpjegim.
Kujtojmë se kjo nuk është hera e parë që kompania “Wizz Air” shfaq probleme me fluturimet e planifikuara.
Shpeshherë udhëtarët janë ankuar se janë lënë të presin pa marrë një përgjigje se përse i është shtyrë apo anuluar fluturimi.
Në disa raste është raportuar se avionët e “Wizz Air” kanë ndryshuar edhe destinacion pas ngritjes në ajër, pa njoftuar pasagjerët./ CNA.al