Moti keq dhe temperaturat e ulëta që kanë përfshirë vendin kanë sjellë problematika në disa zona në bashkinë e Malësisë së Madhe sa i përket furnizimit me energji elektrike ndërsa asnjë rrugë nuk është e bllokuar nga bora. Kreu i kësaj bashkie Tonin Marinaj thotë se të gjitha akset janë të kalueshme.
Pas rënies së vazhdueshme të orteqeve rruga Qafë Thorë-Theth është e hapur për të gjitha mjetet.Moti i keq dhe era e fortë gjatë mbrëmjes së djeshme kanë sjellë probleme me furnizimin e energjisë elektrike në Vermosh. Kjo pikë turistike momentalisht është pa energji elektrike sqaron Marinaj, i cili thekson se grupet e OSHEE janë në terren për riparimin e defektit por moti i keq ia vështirëson punën. Ndërkohë të gjitha shkollat janë të pajisura me sistem ngrohje shpjegon kryebashkiaku.
Në akset kryesore të Malësisë së Madhe që mbulohen nga ARRSH ndodhen disa mjete borëpastruese dhe fadroma që punojnë pa ndërprerje për të mbajtur rrugët e hapura. Problemi kryesot është mungesa e vazhdueshme e energjisë në Vermosh për shkak të dëmtimit të shtyllave të energjisë elektrike.