Në “Ka Një Mesazh Për Ty”, Dhurata ka ftuar Donikën ose siç e quan ajo, nëna Donën. Në historinë e dhimbshme që ndau në këtë pjesë të programit “E diela shqiptare” në Tv Klan, nëna Dona ka qenë mburoja dhe streha e sigurt e Dhuratës.
Të dyja u njohën kur Dhurata jetonte në jetimore, e trembur, e keqtrajtuar dhe Donika nisi ta rriste e ta mbronte. Ajo i qëndronte pranë për mësimet, e trajtonte me dashuri, të vetmen dashuri që Dhurata kishte njohur në jetë.
Më pas, kur ajo shkoi te prindërit, ku babai e keqtrajtonte fizikisht ndërsa nëna vijonte të ishte në depression e të mos ishte prezente, Donika i blinte veshje, i jepte para, ishte veç një telefonatë larg. Sot, Dhurata është 30 vjeçe, është martuar, ka një djalë 6 vjeç e një jetë të lumtur, por ka një mesazh për njeriun që e konsideron gjysmën e saj.
Dhurata: Të falënderoj për çdo gjë që ke bërë për mua. Që më je gjendur pranë në çdo moment të mirë, të keq. Dua të dish një gjë. Që vërtet kam ikur nga ty, por dije që të kam në zemër.
Donika: Edhe unë ty të kam shumë në zemër.
Dhurata: Nuk do ta harroj kurrë.
Donika: Dhe të kam thënë në çdo moment bjeri telefonit në çdo hall dhe problem që të kesh. Edhe pse ka ikur nga mua, të dua pafund.
Dhurata: Edhe unë./tvklan.al