Humbja e gjyqit me Becchettin, Rama bën gati faturën 109 milionë euroshe nga xhepat e shqiptarëve

E mbani mend Edi Ramën kur shprehej se Francesco Becchetti nuk do të marrë asnjë para nga xhepat e shqiptarëve? Në projekt buxhetin e miratuar së fundmi ai ka parashikuar që plot 109 milionë euro nga taksat tona, t’ia japë ish-pronarit të ish-televizionit Agon Channel, i cili për mbylljen e kësaj medie ka paditur qeverinë dhe ka fituar gjyqin në Arbitrazh.

 

Detyrimet faktike dhe kontigjente të shtetit shqiptar për çështjet e Gjykatës së Arbitrazhit kanë arritur vlerën e 176 milionë eurove. Sipas të dhënave të paraqitura në relacionin e projektbuxhetit 2023, vlera e detyrimeve faktike të pranuara ka arritur në 65.2 milionë euro, ndërsa vlera e llogaritur si kontigjencë për humbje të mundshme është 111.1 milionë eurove.

 

Ndër detyrimet faktike për çështje të humbura në Gjykatën e Arbitrazhit, sipas Monitor më i rëndësishmi është ai ndaj firmës greke JV Copri – Aktor, për prishjen e kontratës së ndërtimit të rrugës Tiranë Elbasan. Detyrimi i deklaruar nga Ministria e Financave është rreth 43 milionë euro, duke përfshirë edhe shpenzimet ligjore të çështjes në arbitrazh.

 

Në fakt, kostot ligjore dhe administrative për përfaqësimin në Gjykatën e Arbitrazhit zënë një pjesë të konsiderueshme në shpenzimet totale të arbitrazhit. Vlera totale e këtyre shpenzimeve arrin në 8.8 milionë euro ose 13.5% të vlerës së përgjithshme të detyrimeve faktike.

 

Këto shpenzime lidhen me koston e kontraktimit të firmave ligjore për përfaqësimin në Gjykatën e Arbitrazhit, por edhe me shpenzime të tjera administrative të lidhura me tarifat dhe kosto të tjera të ndjekjes së arbitrazhit. Çështja tjetër për të cilën qeveria ka pranuar një detyrim të faktuar është ajo kundrejt GBC Oil Company, në vlerën e 13.4 milionë eurove.

 

Ndërkohë, vlera e detyrimeve kontigjente apo të lidhura me humbje të mundshme në arbitrazh është llogaritur nga qeveria shqiptare për një vlerë prej 111 milionë eurosh.

 

Në pjesën dërrmuese, 109 milionë euro (108 milionë euro detyrim dhe pak më shumë se 1 milionë euro kontigjencë për shpenzime ligjore), kjo kontigjencë lidhet me çështjen e humbur në shkallët e deritanishme të gjykimit me biznesmenin italian Francesco Becchetti.

 

Qeveria ka pranuar se në 2 prill 2021, një trupë e posaçme e Gjykatës së Arbitrazhit ka refuzuar kërkesën e Shqipërisë për të anuluar vendimin në favor të kompanive italiane, Hydro S.r.l. and Costruzioni S.r.l. dhe katër shtetasve italianë Francesco Becchetti, Mauro De Renzis, Stefania Grigolon dhe Liliana Condomitti.

 

Sipas qeverisë, shuma që duhet t’iu paguhet subjekteve të mësipërme është 99 milionë e 487 mijë euro, plus interesat. Në prospektin e Eurobondit të fundit, thuhet gjithashtu se përfituesit kanë nisur procedurat për njohjen dhe ekzekutimin e detyrimit në Shqipëri, Austri, Belgjikë, Angli, Itali dhe Hollandë. Madje, qeveria shqiptare ka pranuar se Becchetti dhe përfituesit e tjerë kanë arritur të mbledhin një pjesë të shumës së fituar në disa shtete, duke përfshirë Anglinë, Francën dhe Italinë.

 

Çështja e Shqipërisë kundër biznesmenit italian Francesco Becchetti e ka zanafillën në vitin 2015, me mbylljen e televizionit Agon Channel dhe hapjen e procedimit penal ndaj tij me akuzat e evazionit fiskal dhe pastrimit të parave.

 

Becchetti kundërshtoi akuzat dhe u shpreh se e gjithë çështja ndaj tij ishte e motivuar politikisht, për shkak të linjës editoriale të ndjekur nga Agon Channel ndaj qeverisë shqiptare. Ai hapi çështje kundër Shqipërisë në Gjykatën e Arbitrazhit Ndërkombëtar, duke fituar në ty dy shkallët e gjykimit. Sipas deklaratave të tij në prill të vitit të kaluar, shuma totale që Shqipëria duhet t’i paguajë arrin në rreth 150 milionë euro.

 

Për çështjet e tjera që ndodhen në arbitrazh, kontigjenca e llogaritur nga qeveria shqiptare parashikohet në vlera të papërfillshme. Megjithatë, shumat e kërkuara nga kompanitë që kanë çuar shtetin shqiptar në Gjykatën e Arbitrazhit janë të mëdha dhe përfaqësojnë risqe të konsiderueshme për buxhetin.

 

Për shembull, kompania Arka Energy, që fitoi garën për ndërtimin e kompleksit fotovoltaik në Akërni të Fierit ka kërkuar 110 milionë euro dëmshpërblim për prishje të kontratës. Gjithashtu, kompania Durrës Kurum Shipping Company ka hapur një çështje kundër qeverisë shqiptare, ku kërkon dëmshpërblim në vlerën e 100 milionë eurove për prishjen e koncesionit të terminalit të kontenierëve në Durrës.

 

Nga: Bardh Kodheli, JOQ

Shperndaje ketë postim:

spot_imgspot_img

- PUBLICITET -

Aktualitet

Te tjera
LAJME

Kalaja e Shkodrës, më shumë vizitorë se Butrinti

Viti i fundit rezultoi të jetë një periudhë shumë...

Dy shenjat e horoskopit që do t’i kthejnë gjërat ashtu siç duan ata

Me Hënën te Peshqit dita fillon e qetë dhe...