Gratë në mbarë botën po bashkohen në protestë kundër qeverisë iraniane duke prerë flokët. Nismës i janë bashkuar edhe gratë shqiptare.
Mëngjesin e ditës së sotme, ish-ministrja Nora Malaj, doktoreshë Senera Hoxha dhe aktivistja e shoqërisë civile në Kosovë Mimoza Gavrani kanë prerë flokët live në emisionin “Good Morning Albanians” në Euronews Albania.
Ato u shprehën se rasti i 22-vjeçares në Iran i ka sensibilizuar për të bërë një gjest simbolik në kuadër të asaj që quhet liria e paqes dhe e drejta e njeriut.
“Kjo ngjarje na ka sensibilizuar brenda vetes për të bërë një gjest simbolik në kuadër të asaj që quhet liria e paqes dhe e drejta e njeriut”- tha Nora Malaj.
“Duke parë një solidaritet si rrallë herë mes grash nga e gjithë bota, mendoj se duhet t’i bashkohesha edhe unë kësaj kauze për lirinë e grave që po vriten nga policia e moralit”- theksoi Senera Hoxha.
Teksa ka folur për rastin e vajzës në Iran, në një moment Nora Malaj është përlotur.
“Kauza nuk është vetëm e grave por edhe e shoqërisë, mendoj se roli i gruas është edhe i nënës e motrës; është një rol shumë i rëndësishëm në edukimin e familjes. Prehri i nënës është prehri i ngrohtë ku ti gjen zgjidhje në situata të vështira. Shoqëria është ende shumë larg asaj që ne duam të ndërtojmë.”- tha ajo.