Dy shtetas turq janë arrestuar pasi janë kapur duke transportuar kanabis nga aeroporti i Rinasit drejt Stambollit me valixhe.
Policia turke ka publikuar pamjet e operacionit, ku qentë e antidrogës kanë zbuluar se në valixhet e dy shtetasve që vinin nga Shqipëria kishte 31 kilogramë e 461 gramë kanabis të fshehur në valixhe. Dy pasagjerët që u nisën nga aeroporti i Rinasit dhe mbërritën në aeroportin Sabiha Gökçen iu nënshtruan një kontrolli të detajuar pasi u konsideruan si të dyshimtë.
Kur valixhet e tyre iu nënshtruan kontrolleve me rreze X dhe qenve të antidrogës u zbulua se brenda tyre ishte fshehur kanabis.
Autoritetet turke kanë nisur hetimet për zbardhjen e këtij rasti pasi dyshojnë se dy të huajt mund të kenë korruptuar kontrollorët shqiptarë për të kaluar sasinë e drogës. Verifikime po kryhen edhe për procedurat e për kontrollin dhe regjistrimin e bagazheve të dy shtetasve turq që tentuan trafikimin e kanabisit.
Kujtojmë se pak ditë më parë në Stamboll u arrestuan 3 shqiptarë mes tyre një efektiv policie dhe ish-komando. Krahas arrestimit në Turqi, 3 shqiptarëve ju kap dhe një ngarkesë prej rreth 100 kg kanabis.